Bulëza puthjesh…

    362
    Sigal

    Poezi nga Aida BODE

    Një tjetër zë poetik do të shfaqet këto ditë nëpërmjet librit që po përgatitet për botim nga shtëpia botuese “ADA” dhe që ka për autore Aida Boden, e cila ka vite që jeton në SHBA, por lidhjet shpirtërore me njerëzit dhe vendin e saj, Shqipërinë e Korçën i mban gjithnjë të pashkëputura. Besimi, dashuria për njeriun dhe gjithçka të mirë të kësaj bote, kureshtja për të ditur se ç’ka përtej hapësirës ku jeton dhe kohës së tanishme, janë motive-refren të këtij libri. Për lexuesin e “Telegraf” po shkëpusim një cikël nga kjo përmbledhje, që do të jetë në qarkullim dhe lexuesit do të kenë mundësi ta kenë ndër duar.

    Demir GJERGJI

    SHILARËS

    Shilarësi

    ofron një ndenjëse

    dhe pret…,

    pret të ulesh

    pastaj të përkund

    ta hedh vështrimin

    lart,

    poshtë…

    Një shilarës

    përkundje dështimesh dhe suksesesh

    kënaqësish e trishtimesh

    besimi dhe dyshimesh.

    Jeta, shilarës ku ulem,

    shtrihem

    deri në prehje

    SHINAT

    Ajri printon

    imazhe krijesash

    e i ruan në dosjen

    e padukshmërisë.

    Tremben shinat e jetës

    nga vërshëllima e trenit

    të vetmisë,

    ndërsa njoftuesi automatik

    shpall monotoninë

    Republikë.

    Përplasen robotët e ngutshëm

    tek përpiqen të plotësojnë

    përgjegjësitë e gënjeshtrave,

    mbajnë ritmin e shurdhimit

    dhe me penelin e verbërisë

    plotësojnë tablotë e boshit.

    Ekspozitë në trenin kuturu ekspres.

    Shinat zhyten lehtë në zhavorr

    dhe jeta zbulon ferrin.

    JAM E LASHTË

    Jam e lashtë të përsëris

    gabimet, gëzimet;

    e lashtë

    kur ime bijë më sheh në sy,

    im bir më shkul faqet,

    e burri me puth në buzë.

    Jam e lashtë,

    kur shkoj në punë,

    kur djersij,

    kur shoh qiellin përtej qiellit,

    i thërres të madhit Zot…

    dhe ajri tronditet në dëshpërimin tim.

    E lashtë jam

    mall, dashuri, frikë,

    dhimbje, ngazëllim, uratë.

    Mëkat. Shpëtim.

    Më e lashtë se çdo fosil,

    UFO apo fantazmë.

    Jam e lashtë.

    Jam njeri,- nga Zoti shenjtëruar.

    NËSE…

    Nëse jeta është det

    unë jam guri në breg

    që goditet nga valët,

    digjet nga dielli

    zbutet në përsosmëri

    deri në mbarim të kohës.