Buka, shkak për rritjen e sëmundjeve tumorale

    1580
    Sigal

    Selman Pajo, inxhinier kimist:Importi pa kontroll, shkelja e parametrave teknik, vaji i ricikluar sjellin deri pasoja vdekje

    Gruri i importit pa kontroll, teknologjia e papërshtatshme e prodhimit, përgatitja pa Bashmaja (majaja Mëmë), përdorimi pas kriter i majasë së birrës, përdorimi i vajit të ricikluar dhe mungesa e kontrollit, bën që buka masive që përdorin shqiptarët, të rrezikoj jetën e konsumatorëve, deri dhe në raste vdekje. Alarmi për këtë situatë vjen nga ekspertët. “Përveçse futjes pa kontroll të lëndës së parë që importohet janë një sërë shkeljesh të rënda që ndikojnë në cilësinë e bukës që përdorin shqiptarët. Shkelja e kërkesave teknologjike, riciklimi i vajit që përdoret për tavat e bukës me përbërje shumë të lartë kancerogjene, raportet në përdorimin e majasë shoqëruar me bacilin e sëmundjes së patates, rrezikojnë seriozisht jetën e konsumatorit”,- pohojnë specialistët. Selman Paja, inxhinier kimist dhe një nga specialistët e njohur të prodhimit të bukës në Shqipëri, jep alarmin për cilësinë problematike të prodhimit të bukës, me ndikim tepër të rëndë tek qytetarët. Sipas tij, pasojat janë deri dhe me vdekje. Njëkohësisht, Islam Cani, Kryetar i Shoqatës së Konsumatorëve, kërkon me urgjencë që strukturat përgjegjëse shtetërore të ndërmarrin menjëherë masa për të frenuar këtë abuzim skandaloz që ka të bëj me jetën e njerëzve.

    SPECIALISTËT

    Specialistët, prej kohësh e kanë dhënë alarmin për rrezikun që paraqet prodhimi e tregtimi i bukës masive jashtë standardeve, por strukturat përgjegjëse shtetërore nuk janë impenjuar seriozisht me këtë fenomen me pasoja të rënda. Një prej specialistëve të njohur që argumenton shkeljet në prodhimin e këtij produkti jetik është dhe inxhinieri kimist, ekspert i prodhimit të bukës, Selman Paja. Ai bën dhe dallimin nga prodhimi i dikurshëm, i kontrolluar i bukës, deri tek prodhimi i saj sot… “Unë dua të evidentoj shkeljet që sjellin prodhimin jo cilësor dhe me pasoja në prodhimin  bukës. Midis të tjerave, është problemi i majasë. Dikur, përgatitej majaja e thatë, majaja e parapërgatitur e cila ruhej në vend të veçantë. Ose brumë i thartuar siç quhej. Ose në gjuhën e teknologëve quhej bashmaja. Pra majaja kryesore. Majaja e rëndësishme, Mëmë. Pra buka bazohej në majanë e birrës dhe të bashmajasë, Majasë Mëmë.  Pra bashkoheshin këto dy maja që buka bëhej e tillë. Bashmajaja luan rolin e konservantit, siç luan rol kripa tek turshitë, apo sheqeri i shumtë tek glikotë. Ato e ruajnë nga prishja… Ndërsa sot abuzohet e vidhet në teknologji, në pjekje, në majat. Pra nuk piqet në temperaturën e duhur, nuk piqet në kohën e duhur, kursehet majaja apo kombinimi i tyre. Pjekja në temperatura të ulëta e bukës është një e metë e madhe. Gatimi pa bashmaja, Maja Mëmë. Pa miellra të kontrolluara, pa përzierje miellrash,  të pa shoqëruara me fletë analiza, dhe i hedhin më shumë maja birre. Këto sjellin sëmundjen e patates. Kjo sëmundje është një bacil, që shfaqet nëpër furrat e bukës kur ka papastërti. Pra bacili i sëmundjes së patates. Kur merr bukë të tillë, ajo mban erë si pjepër i prishur. Buka qulloset dhe bëhet toksike. Organizmi i njeriut dëmtohet rëndë deri në vdekje”- pohon inxhinieri kimist.

    ELEMENTË KANCEROGJENË NË BUKË

    Specialistët japin alarmin dhe për një sërë elementesh të tjerë që përdoren në gatimin e bukës, elementë që shkaktojnë kancerin tek konsumatori. Ndër ‘ta, specialistët evidentojnë vajin e ricikluar që përdoret për lyerjen e tavave të pjekjes së bukës, e deri tek riciklimi i bukëve të mbetura. “Në shumë furra të prodhimit të bukës, përdoret vaj i ricikluar, me pasoja shumë të dëmshme, veçanërisht në sëmundjen e kancerit. Kështu, vaji që përdoret në fast-foood-e u shitet furrave të bukës(një pjesë dhe pularive për koncentrate), ku dhe riciklohet. Ky vaj që në vendet e tjera përdoret vetëm për automjetet, në Shqipëri përdoret në furrat e bukës. Me këtë vaj, lyhen tepsitë e bukës. Elementët kancerozë të këtij produkti të ricikluar, kanë një ndikim shumë të rëndë tek konsumatori. Po ashtu, në disa raste, me pasoja të rënda shëndetësore është dhe riciklimi i bukëve të mbetura. Bukët e mbetura, grumbullohen(ndonëse mund të kenë dit të tëra që janë prodhuar( dhe nëpërmjet ujit të nxehtë, rikthehen në brumë. Ky brumë përzihet me brumin e radhës dhe rikthehet tek konsumatori nëpërmjet bukës së re që del në treg. Po ashtu, me efekte të dëmshme në organizmin e njeriut, është dhe mënyra e tregtimit, veçanërisht përdorimi i qeskave plastike:- shtojnë specialistët.

     Dr. Islam Cani/ Buka e përditshme rrezikon jetën e shqiptarëve

     Pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptarë kanë mbërritur një numër i madhe ankesash për sa i takon produktit të bukës, e cila në shumë raste ka rezultuar të ketë qenë e prishur. Lidhur me këtë problem, pranë SHKSH kanë ardhur ankesa të shumta për cilësinë e këtij produkti. Vetëm për 2013 janë regjistruar relativisht 489 ankesa nga konsumatorët mbi cilësinë, ambalazhimin dhe sigurinë e bukës masive. Në Tiranë kemi mbi 310 furra buke, sipas testimeve tona ku nga këto furra buke janë mbi 193 furra buke që zhvillojnë aktivitetin e tyre të palicencuar, e njëjta gjendje e furrave të bukës është dhe në disa qytete të mëdha të vendit ku janë numëruar 162 furra që janë pa licencim nga organet shtetërore kompetente. Mungojnë kushtet higjieno-sanitare gjatë përgatitjes së bukës. Duhet thënë që ky fakt përbën një problem shumë të madh, kjo pasi produkti i bukës gjen një përdorim të madh nëpër familjet shqiptare. Ndonëse nuk mjafton rritja e herë pas hershme e çmimit të bukës, edhe përgatitja e saj nuk përmbush të gjitha standardet e kërkuara dhe nuk respektohen masat e higjienës.

    Ankesat e qytetarëve

    Pranë SHKSH-ës kanë mbërritur një sërë ankesash nga ana e qytetarëve kryeqytetas dhe jo vetëm, lidhur me cilësinë e produktit kryesor që tavolinës shqiptare, siç është buka. Mostrat që na kanë ardhur janë nga Kryeqyteti si dhe qytete te tjera të vendit si Durrësi, Lezha etj sidomos në furrat e rrethinave të qyteteve, ku sipas mendimit të konsumatorëve kanë blerë bukën në këto pika; në Tiranë rr. “M. Shyri”, Rr. e Kavajës, Rr. Elbasanit, pranë Qytetit Studenti dhe dy raste në Rr. “Don Bosko” etj.. Shenjat që kanë rezultuar tek ato konsumatorë që e kanë përdorur bukën me këto probleme shëndetësore sipas tyre janë: -Pas konsumit të bukës, tek konsumatorët vihet re se kanë gogësima me erë të keqe, fryrje barku, nauze/të vjella, pengesë në jashtëqitje si dhe deri në turbullime nervore.

    Dëmet që shkakton në organizëm buka e helmuar

    Buka e helmuar shkakton një sërë sëmundjesh dhe kjo si pasojë e disa shkaktarëve, siç janë; bacilli mezenterik i cili mendohet të jetë tek gruri apo misri dhe më pas nga mungesa e ruajtjes kalon në miell, në bukë etj., mënyra e ruajtjes dhe magazinimit të miellit, papastërti të brumatriçes, kushtet e higjienës, temperatura, lagështira, mungesa e dezinfektimit, deratizimit. Mundësia me e madhe e zhvillimit të bacilit është kur bëhet riprodhimi i bukës së pjekur, ku zhvillimi i bacilit bëhet me i vrullshëm etj..

    Sugjerimet e Shoqatës së Konsumatorit Shqiptarë për biznesin

    Sipas Shoqatës së Konsumatorit Shqiptare, biznesi ka shumë përgjegjësi para konsumatorëve, kjo pasi ata shpenzojnë për të marrë një produkt të mirë dhe cilësor. Kur konstaton se mielli është i infektuar nuk duhet ta përdorë; Kur konstaton bukë të qullët dhe të infektuar nuk duhet ta tregtojë atë për konsumatorët; Furrat e bukës të plotësojnë të gjitha kushtet e higjienës, pastrimit të mjeteve të punës, e sidomos i brumatriçes, thikave, mjeteve të tjera; Nuk duhet të futet buka në qese plastike para 4 orëve pas pjekjes; Të përdoret uthull + hudhra për të pastruar brumatriçen pas përpunimit të brumit; Nuk duhen transportuar bukët rifuxho; Dëmtimet dhe çarjet e bukës janë të dëmshme dhe shkak për infektim të bukës.

    Kushtet e shërbimit të produktit

    Një tjetër problem i rëndësishëm që lidhet me produktin e bukës dhe që rrezikon seriozisht shëndetin e konsumatorëve është edhe mënyra se si shërbehet ky produkt. Duhet thënë se edhe nga informacionet e mëparshme, ky problem përbën një fenomen të vjetër, i cili duhet thënë se po përmirësohet dita-ditës, por ende ngelen gjëra të rëndësishme të pazgjidhura. Një ndër këto probleme është mënyra e servirjes së këtij produkti tek konsumatori, që bëhet me qese plastike. Vendosja e bukës nëpër qese plastike përbën një rrezik të madh për shëndetin, kjo pasi qeset përmbajnë një sërë lëndësh kimike, të cilat më pas transmetohen tek buka, ndonëse është përfolur vënia në zbatim, edhe përdorimi i qeseve prej letre. Pothuajse në të gjithë vendet e botës është hequr nga përdorimi i qeseve plastike, të cilat përdoren si ambalazhim për produktin e bukës, ndaj kërkojmë që këto të zëvendësohen me qese prej letre. Për konsumatorin tonë përbën një rrezik të madh konsumi i bukës pasi ka qenë për orë të tëra në këto qese, të cilat bëjnë përcjelljen e kimikateve të dëmshme tek organizmi i njeriut. Kjo kërkesë e jona nuk është e tepruar, sepse plastika shkakton kancer, ashtu si vaji i ricikluar, apo abuzimet e tjera me bukën.

    Përdorimi i vajit të ricikluar

    Abuzimet me bukën shkojnë deri te riciklimi i vajit të përdorur për të lyer tepsitë para pjekjes. Mblidhet vaji i dhjetëra lokaleve dhe Fast Food-eve dhe vazhdon rrugën në tregun e zi. Ky vaj mund të jetë përdorur ndoshta deri ne 30 ditë radhazi, minimumi 70-80 herë. Ky vaj shkon në furrat e bukës ose në pulari. Në furrat e bukës e përdorin për të lyer tepsitë, ndërsa në pulari i hedhin koncentrat dhe e hedhin ushqim për pulat. Por të gjitha vajrat pas çdo përdorimi transformohen në  kancerogjene…

    Ripërpunimi i bukës

    Një nga problemet e hasura është dhe ripërpunimi që i bëhet bukës, pasi furrave iu është kthyer mbrapsht nga tregtarët e dyqaneve. Por ky ripërpunim ndikon në cilësinë e bukës, sigurinë e saj dhe bën që të prishet më shpejt.

    Abuzimet me peshën

    Abuzime ka edhe me peshën, ku gjithmonë buka tregtohet 100-200 gram më pak, nga ajo çfarë deklarohet nga prodhuesi dhe këta të fundit, shpesh herë nxisin konsumatorët që të blejnë bukën kur është e nxehtë, sepse në këtë formë është më e rëndë. Të gjitha këto abuzime me bukën, por jo vetëm, vijnë si pasojë e mungesës së kontrollit nga organet shtetërore. Autoriteti Kombëtare i Ushqimit (AKU) dhe Drejtoria Rajonale e Metrologjisë dhe Kalibrimit ushtrojnë kontrolle të pakta. Këtë e mbështes tek ajo çfarë vërej. Peshat që ndodhen në furrat e bukës, kur ka pesha, nuk kanë vulën e kësaj drejtorie.

    Konsumatori duhet të jetë:

    I kujdesshëm dhe Vigjilent në blerje dhe në zgjedhje; Kërkoni jo vetëm afishimin e peshës dhe të çmimit, por dhe llojin e miellit, rrezen e tij, origjinën etj; Nëse e shikoni bukën të papjekur mirë, mos e blini atë ose kthejeni; Në raste se ju konstatoni një bukë të tillë mos e konsumoni atë.

    Çfarë sugjeron SHKSH-ja:

    Të ushtrohet kontrolli nga të gjitha organet përgjegjëse për të siguruar produktin dhe shëndetin e konsumatorëve; AKU duhet të jetë aktive në zbatimin e ligjeve dhe standardeve si organ specifik për sigurinë ushqimore; SHKSH-ja; si përfaqësuese dhe pjesëtare e shoqërisë civile në mbrojtje të konsumatorëve do të bëjë çmos që konform ligjit për informimin dhe negocimin me organeve kompetente në mbrojtje të konsumatorit të jete shumë aktive; SHKSH do të bashkëpunojë me shoqatat e tregut me qëllim që të vihet në zbatim dhe të kenë sukses implementimi i standardeve.

    Origjina e drithërave që importon Shqipëria

    Vendi ynë importon sasi të mëdha drithërash (grurë, misër, thekër) nga shtetet të ndryshme. Importi më i madh i drithërave bëhet nga Rusia, Serbia, Franca, Kroacia dhe Itali Relativisht importi vjetor shkon 340.000-400.000 ton në vit, ku peshën më të madhe e zë Rusia me 47-60 %, e më pak nga Italia 7-10 % të sasisë së përgjithshme të importit. Rëndësi të posaçme, por që shpesh neglizhohet, merr kontrolli në dogana. Po pse duhet të bëhet kontrolli në dogana? Për:

    1. Certifikatën shoqëruese, e cila vërteton analizën e produktit

    2. Garancia ose fletë -shoqëruese (analiza dhe ekzaminime sipas normave të BE-së, për praninë e metaleve të rënda, të mykut dhe të mbetjeve të tjera. Në asnjë rast, pa u bërë analizat (ISUV) për normat e përcaktuara të produktit (grurë, misër, miell) nuk duhet shpërndare ky produkt për konsum në popullatë.