Bujar QESJA/ Miri Hoti, kirurgu duar artë dhe njeriu me zemër fisnike

    759
    Sigal

    (Vijon nga numri kaluar)

    Durrësi mezi e priste djalin e tij. Por me sa dashuri flet Miri Hoti për mjedisin që kishte spitali dhe poliklinika e Durrësit. “Kur erdha në Durrës, më shpjegon Hoti gjeta Paskal Prodanin, shefin e parë të kirurgjisë, Fiqiri Këlliçin që ishte drejtor spitali dhe asistenti i Prodanit, neuropsikiatrin Miti Vokopola, patolog Koçi Moisiun, Eqerem Enesin, Mustafa Carën, Liri Kojën, Eleni Andruçin, Hëna Binon, Meleqe Velja, Afërdita Lezon dhe Ben Çetën, okulistin Koçi Nika, ndërsa në poliklinikë Dhimitër Treskën, Muhamet Agollin, Natan Shatrin, Lluka Dhimitrin”. Emra shumë të njohur dhe nostalgjik. Këta mjekë e mbajtën Durrësin për shumë kohë dhe respekti për ta vinte aq i ngrohtë dhe joshës nga Miri Hoti, duke i kujtuar me shumë mall, me shumë dashuri dhe nostalgji. Ishte viti 1966 kur Miri Hoti ngul rrënjë në spitalin e Durrësit, në atë spital që do t’i përkushtohej me tërë fuqinë fizike dhe mendore, për t’ia rritur namin dhe emrin e mirë. Zor se mund të ketë në mjekësi një praktikë të tillë që u ndesh me Miri Hotin. Vetëm 24 vjeç me një nam dhe prestigj në rritje. Aq e vërtetë është kjo, sa që shumë pacientëve që shkonin në Tiranë u thonin mjekët e këtushëm: “Kot keni ardhur tek ne. Kthehuni në Durrës se keni kirurgë të mrekullueshëm si Prodani dhe Miri Hoti”. Dhe kjo joshje prej zemrash njerëzore, nuk ia rriti mendjen Miri Hotit, përkundrazi e kaloi edhe më thellë në detin e modestisë dhe thjeshtësisë. Nuk të lakon kot njeri për të mirë, nëse nuk e meriton. Dhe Miri punon shumë, aq sa nuk ka kohë të shplodhet. Pasi ai këmbëngul edhe tani kur thotë se: “Suksesi të vjen nga pas, kur e ndjek të sëmurin pas operacionit. Krijohen situata të papritura dhe mundi të shkon kot. Në këto kushte duhet të shpërndaj komplimente pa fund për gruan time të mirë Jetën, që iu desh të përballej me rritjen dhe edukimin e fëmijëve dhe me detyrimet e saj profesionale. Unë tashmë nuk i takoja vetes time. U isha falur njerëzve. Jetoja pranë tyre duke sfiduar vdekjet dhe dhimbjet e plagëve që u shkaktohej nga shumë trauma dhe dëmtime”. Miri Hoti i përqafoi me shpejtësi shumë shprehi të domosdoshme për zanatin. “Të jesh kirurg i mirë duhet të njohësh në majë të gishtave anatominë e trupit të njeriut. Dhe për fat të mirë këtë e zotëroja dukshëm saktë. Të jetë njeri i fortë dhe u durueshëm, pasi të takon të kalosh situata dramatike, të rënda dhe shokuese. Të jesh i fortë edhe fizikisht, pasi duhet orë të tëra të kalosh në operacion. T’i qëndrosh afër pacientëve dhe të mos trembësh nga sfidat, por t’i kapërcesh ato”. Këto thonte Hoti, në bisedën disa orëshe që zhvilluam së bashku. Në operacionet që kishte bërë në Tiranë, krahas kirurgëve të njohur, Miri Hoti njihte në perfeksion të gjitha veglat e punës dhe kishte përqendruar vëmendje të madhe në operacionet e ndryshme që bëheshin. Studionte shumë. Prodani merrte revista deri nga Amerika dhe ingranohej me të rejat e shkencës operacionale. Po kështu Miri Hoti studionte edhe revistat në gjuhën ruse, ku përfitonte dukshëm. “I blinim me rubla, pasi shteti nuk kursente në këtë pikë. Shpenzonte dukshëm për ngritjen profesionale tonën. Kirurgë të huaj nuk kishte, me përjashtim të një mjeku rus që mbaj mënd që quhej Gamovi që së bashku me Shirokën, që kishte mbaruar në Vjenë unë nuk i arrita”.
    Nga Ni Çin Çini deri tek ambasadori hungarez
    Puna e kirurgut Miri Hoti është e mbushur me suksese, me detyrime njerëzore. Bashkëkohësit e mi ia njohin shumë mirë këtë anë atij, por edhe rinia nuk mbetet pas. Ia kanë dëgjuar emrin, pasi atë e ka në gojë, për mirë, një Durrës i tërë. Për të prekur ngarkesën e jashtëzakonshme të Miri Hotit, mjafton që të kujtojmë që shtrirja gjeografike ishte nga Durrësi, Shijaku dhe Ishmi që bënin gjithsej 74 mijë banorë, e deri në Kavajë e Rrogozhinë me të njëjtën numër popullsie. Kujtojmë që Shkozeti kishte 12 mijë banorë si një qendër e fuqishme industriale. Po Durrësi kishte edhe Portin, ku hynin e dilnin me mijwra të huaj. Po tregojmë shkurt pesë raste, në raport me të huajt që Miri i kujtonte për momentin: “Kur erdhi atleti kinez me famë botërore në Shqipëri, kërcyesi së larti Ni Çin Çin më njoftojnë një ditë para se të bënte garën zyrtare të planifikuar në Tiranë, se nuk ndjehej mirë. E shikoj me vëmendje dhe besova se nuk kishte gjë me rëndësi. Vizita që i bëra nuk kishte mjaftuar. Alarmi u bë edhe më i madh, pasi hyri edhe qeveria jonë në mes. Gjërat shikoheshin, veç të tjerave, edhe politikisht. E rivizitova dhe isha i bindur se ishte diçka kalimtare. Dhe ashtu ndodhi. Rasti tjetër është me ish ambasadorin kinez në Tiranë Gën Biao, i cili më vonë u bë Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kineze. Ishte një personalitet i politikës kineze. Duke luajtur tenis amator, thyen këmbën. Mu desh ta operoja në këmbë. Ishte një ndërhyrje me përgjegjësi. Me urgjencë vjen e më takon edhe Panajot Boga, që ishte ortopedi ynë më i mirë. Më inkurajon për punën e bërë dhe ai më pas niset në Kinë për të shoqëruar Gën Biaon. Siç më tha pas kthimit nga Kina, puna që kisha kryer me të ishte vlerësuar, dhe për këtë Panajotit i kishin bërë një pritje të shkëlqyer në Kinë. Ne mbulonim edhe Elbasanin në raste të veçanta. Vjen një urgjencë pasi një kinez ishte dëmtuar, teksa pastronte njërin prej oxhaqeve gjigante të metalurgjikut. Nga interesimi i politikës sonë dhe asaj kineze, mësova se ishte nga specialistët më të mirë kinezë të kësaj linje pune. E kurova me sa munda, duke evituar rrezikun që i kanosej. Më pas ai transportohet në Kinë. Hasa edhe një ngjarje të rëndë me ambasadorin hungarez në Tiranë. Të gjitha këto raste janë në harkun kohor të fillimeve të viteve 70-të. Ambasadori hungarez ishte përplasur me një bordurë tek ecte me makinë dhe kishte dëmtuar kafkën. Mu desh ta operoja. Suksesi ishte në anën tonë. Dhe rasti i pestë është me një marinar italian, që kishte probleme me stomakun. Pas operacionit ai u qetësua. Për këtë morëm falënderime edhe nga i madhi i kirurgjisë italiane Valdoni, pasi e kishte djalin e vëllait këtë marinar”. Pastaj Miri Hoti kujton me dhimbje ngjarjen e nëntorit të viti 1967, kur shpërtheu reparti i fishekzjarrëve në ish kimiken e Durrësit. Të vdekur dhe të plagosur. Por me ndërhyrjet e menjëhershme që bëmë shpëtuan shumë jetë njerëzish. Po kështu në optikën e kirurgut të njohur nuk harrohen edhe ngjarjet e rënda të vitit 1997, ku vinin shumë të plagosur nga konfliktet e krijuara njëri me tjetrin dhe sidomos pas rrëmbimit të armëve nga civilët. Janë momente që lemerisesh kur i kujton, por grupi ynë i mjekëve u qëndroi punëve në kokë, duke luajtur në ndonjë rast edhe me jetën tonë, nga tmerri që ushtrohej nga individë të veçantë dhe të inkriminuar. Miri Hoti kur ngre në qiell punën në grup, ka dëshirë të kujtoj me shumë mall Lulzime Macukullin, Osman Kokën, Vita Titanin, Gjyzide Gjonin, Landa Urumin, Kadri Shabën, si dhe kolegët e tanishëm Roland Katroshin, Shaban Dedej, Kop Lalën, Xhevat Spaneshin, Bashkim Habibin etj.
    Familja
    Fati e shoqëroi Miri Hotin, siç e thotë edhe vetë, edhe në krijimin e familjes me bashkëshorten e nderuar Jeta Muça. Lindën një djalë Redin dhe vajzën Elën. Ato ngjanin si dy yje të bukur në qiellin rrezatues të familjes së nderuar Hoti. Jeta është në profesionin e farmacistes dhe është e bija e intelektualit të njohur Zihni Muça. Në fillim të viteve 50-të ai ka qenë drejtor i portit dhe kryetar i komitetit Ekzekutiv të rrethit të Durrësit. Vëllai i Jetës është shkrimtari i njohur, profesor doktor dhe shkencëtar në fushën e sizmologjisë Betim Muça. Jeta është kujdesur dukshëm në edukimin dhe formimin kulturor të fëmijëve. Redi u bë mjek ortoped. Qëndroi në Hungari 14 vite, 6 vite studimet e larta, 5 vite specializim dhe 3 vite punoi në një nga klinikat e njohura të Budapestit, gjithnjë në profilin e ortopedit. Redi ka një vajzë 15 muajshe që quhet Rea. Edhe vajza, Ela, mbaroi me medalje të artë fakultetin e shkencave të natyrës, dega farmaci. U emërua pedagoge në këtë degë. U njoh me Ledjanin, edhe ky pedagog në këtë fakultet. Anri është djali i tyre 5 vjeçar. Nipi dhe mbesa janë shërimi i Miri Hotit dhe gjyshi i tyre përgjërohet për ta.
    Vlerësimet
    Janë të shumta në adresë të kirurgut të njohur. Të gjitha nderet që i bëri këtij populli Miri Hoti edhe ai ia ktheu me të njëjtën monedhë. Të gjitha vlerësimet e mundshme i ka marrë Miri Hoti. Duke filluar me Urdhrin e Punës të Klasit të Parë, me ‘Nderi i Qytetit të Durrësit’, ‘Qytetar Nderi i Durrësit’, ‘Mjeshtër i Madh’. Në harkun kohor 1992-1996 ishte deputet në parlamentin shqiptar dhe nga viti 2000 deri në 2003 ishte Kryetar i Bashkisë së Durrësit. Periudha 1975-1983 e gjeti Miri Hotin në krye të spitalit të Durrësit dhe në vite të ndryshme ishte edhe shefi i kirurgjisë. Mosha 72 vjeçare e gjen sërish pranë pacientëve, por këtë herë jo në atë spital, ku kaloi kohën më të gjatë në mjekësi, por në spitalin amerikan. Por siç thotë Miri Hoti “vlerësimi më i madh përmbi çdo dekoratë, a ç’është gjë tjetër e këtij lloji është bekimi i njerëzve. Nuk ka gjë më të shtrenjtë dhe më inkurajuese për mua kur më thonë: ky është mjeku ynë, njeriu, shoku dhe miku i mirë Miri Hoti. Më thuaj ti, a kam të drejtë të gjykoj kështu?
    Përfundimi
    Edhe 72 vjetori i lindjes, e gjen Miri Hotin si çdo vit i konsumuar më parë. Në orën 8.00 është në punë. Ndihmon kolegët dhe jep këshilla, dhe pse jo kryen vizita në pacientë të ndryshëm. Nuk heq dorë nga takimet me njerëzit, të cilat mbeten ushqimi kryesor i jetës së tij. Ecën rrugëve të qytetit me hapin e qetë dhe të shtruar, ndonëse jeta si kirurg është zhvilluar në një det të trazuar. Mbetet i njëjti, ashtu sikundër filloi ditën e parë të punës. E takoj shpesh dhe më bije rasti të qëndroj me të. Si nuk u mburr njëherë. Gjithnjë modest e kokë ulur dhe aspak euforik për atë punë gjigante që ka lënë pas. Në fakt ky është edhe nderi më i madh për të. Ndoshta jam nga të parët, që e uroj për përvjetorin e 72-të të lindjes, por edhe për dekadën e pestë të jetës së tij të ngjeshur dhe intensive. Qofsh jetë gjatë doktori ynë i çmuar, kirurgu duar artë, njeriu me zemër fisnike! Ti do të mbetesh gjithnjë i miri Miri ynë!