BSH: U vodhën 713 mln lekë … Por kemi sistem perfekt sigurie

472
Sigal

TIRANE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka hequr përgjegjësinë nga vetja sa i përket supervjedhjes në institucionin më të lartë financiar në vend.

Në një deklaratë nga BSH-ja, pas një mbledhjeje të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës theksohet se ka përfunduar procesi i inventarizimit të plotë të të gjithë vlerave monetare që ndodhen në magazinat e Bankës së Shqipërisë, nga e cila rezulton se vlera e monetare e munguar është 713 milionë lekë, prej të cilave 143 milionë lekë para e nxjerrë nga qarkullimi për t’u asgjësuar.

Në deklaratë theksohet se janë zbatuar të gjitha aktet nënligjore që rregullojnë dhe disiplinojnë veprimtarinë për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare në gjendje cash.

Gjithashtu infrastruktura teknologjike sipas BSH-së është e duhura dhe garanton monitorim të vazhdueshëm të të gjithë ambienteve ku zhvillohet aktiviteti i përpunimit të cash-it si dhe të ambienteve ku ai magazinohet.

“Inventarizimet dhe kontrollet periodike janë kryer në vazhdimësi në përputhje me bazën rregullative në fuqi”, theksohet në deklaratën e BSH-së. Por si ndodhi vjedhja? Sipas Bankës nga mospërmbushja me rigorozitet e detyrës nga ana e disa punonjësve, ka krijuar hapësira për përvetësimin e vlerave monetare.

“Përvetësimi i parave ka ndodhur në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional ku kryhen veprimet e përditshme me cash-in. Në këtë hallkë, mosrespektimi me rigorozitet i procedurave nga disa prej punonjësve krijoi mundësi për abuzime të kësaj natyre”, theksohet në deklaratën e BSH-së.