Breshëri plumbash drejt lokalit në Fier, identifikohet autori 47-vjeçar

    79
    Policia ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të atentatit të ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Fierit, duke shpallur në kërkim një 47-vjeçar. Mbrëmjen e së dielës, në lagjen “1 Maji”, u qëllua disa herë me pistoletë në drejtim të një lokali në pronësi të 45-vjeçarit me inicialet A.M.
    Pronari i lokalit ishte i shoqëruar nga tre persona të tjerë në momentin kur në drejtim të tavolinës së tyre u qëllua të paktën katër herë. Në xhamin e lokalit shihen qartë katër shenjat e plumbave të armës së zjarrit, ndërkohë që të katër personat që ishin në të njëjtën tavolinë kanë shpëtuar fatmirësisht pa marrë plagë.
    Pas hetimeve të kryera nga grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes, dyshohet se autori i atentatit është një 47-vjeçar. Policia e Fierit nuk ka dhënë detaje që kanë çuar në këtë përfundim, por bën të ditur se ka shpallur në kërkim shtetasin A.P.
    Ndërkohë që po punohet për kapjen e autorit të dyshuar, grupi hetimor vijon ende punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar katër gëzhoja pistolete, shkruan ‘Panorama’.
    Ngjarja ndodhi rreth orës 18:45 në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Parkut”, ku u qëllua në drejtim të tavolinës ku ishin ulur pronari i lokalit A.M. 45 vjeç bashkë me A.B. 53 vjeç, A.Xh. 49 vjeç dhe S.N. 50 vjeç, të gjithë banues në lagjen “1 Maji”, Fier.
    Lidhur me ngjarjen, Policia ka marrë në pyetje të pranishmit në tavolinën e shënjestruar, për të kuptuar nëse kanë pasur ndonjë konflikt të mundshëm me persona të tjerë.
    Nga ana tjetër, po hetohet për të kaluarën e katër personave në fjalë për të arritur në përfundimin se cili prej tyre ka qenë shënjestra. Ndërkohë që po punohet për 47-vjeçarin e shpallur në kërkim si autor i ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.