Bradhok Gjergji: Kur vdiq Mehmeti isha me shërbim, familja ishte në terror

    463
    Sigal

    INTREVISTA/ Flet ish- ushtaraku Bradhok Gjergji: Si e takova Gjin Markun në Shkollën e Bashkuar, takimi i parë dhe i fundit

    Shkollën e Bashkuar e kam filluar në shtator të vitit 1958. Në këtë shkollë  më caktoi Dega Ushtarake e Burrelit. Unë në fakt kisha për të shkuar ushtar dhe në këtë kohë duke pasur parasysh që unë isha i mirë me mësime si dhe duke pasur parasysh se vija nga një familje patriotike dhe kishte nevojë për oficerë, më thanë nuk do të shkosh ushtar, por do të shkosh për oficer. Unë jam nga një fshat i vogël në krahun e djathtë të rrugës nacionale, kur shkon për në Burrel, një  fshat i vogël malor Madhesh në zonën e Shkopetit.

     Kur ju thanë do shkosh për oficer si u ndjetë?

    S’e di u ndodha ngushtë. S’e kisha menduar kurrë. As e kisha idenë se ç’do të thoshte oficer në atë kohë. Ishte Komiteti i Partisë së rrethit ai që kishte vendosur, pasi në atë kohë do të shkonin në shkollë të lartë shumë veta që ishin kandidatë partie.

     Komandant ka qenë Gjeneral Qazim Kapysizi ndërsa Komisar Shafqet Hekali një burrë i shkëlqyer. Të gjithë oficerët në Shkollën e Bashkuar ishin njerëz të mrekullueshëm, atdhetarë, të përgatitur, të mësuar jashtë me dije dhe me plot dinjitet.

     Ku jeni  njohur me Duro Shehun?

    Jam njohur kur shkova në shkollë. Ai ishte pedagog i Marksizmit. Një njeri me vlera të jashtëzakonshme, plot dinjitet dhe mirësi. Unë vija nga një vend malor, pa asnjë njohje në Tiranë dhe Duro Shehu më ka mbajtur shumë afër. Ai ishte një njeri shumë praktik, shumë korrekt, që kurrë nuk ka thënë një fjalë fyese. Ai më mbajti shumë afër, më jepte kurajo. Ishte pikërisht puna e Duros, afrimi që më bëri ai që unë të shkoja mirë me mësime dhe të mos më mërzitej shkolla.

     Kur ishit në shkollë kush nga udhëheqësit ka ardhur në shkollë?

     Kur mbarova vitin e parë në përvjetorin e parë të shkollës në vitin 1959, kur unë kisha marrë vlerësimin shkëlqyer, në shkollë për të na përshëndetur me rastin e festave të Nëntorit erdhi gjithë udhëheqja e partisë, midis të cilëve edhe Gjin Marku. Dua të them se kur erdhi Enver Hoxha të gjithë ne brohoritëm, ahere emri i tij ishte i shenjtë, ishte hyjnor, pasi s’kishin dalë ende këto që dimë sot. Por mua më përshtypje më bëri vetë Gjin Marku, pasi e kisha patriot. Në këtë ceremoni pati parakalime, fjalime, ku Enveri tha për rolin e madh që ka kjo shkollë për mbrojtjen e vendit. Në atë kohë çdo gjë lidhej me ushtrinë, pasi dihej që bota ishte ndarë në dy kampe. Pas ceremonisë na lanë të lirë. Edhe gjeneralët që nuk ikën me Enverin u shpërndanë nëpër auditorët e shkollës. Unë pyeta për Gjin Markun dhe shokët ma treguan pasi ai kishte thënë që jemi të lirë për biseda me studentët. Gjini kishte qenë dy herë Komandant i Shkollës së Bashkuar dhe u ndal për të takuar pedagogët, por edhe për të parë auditorët e rinj. Ishte hera e parë që e shihja nga afër. Sa u afruam ai na tha: Vetë ecni mos ngurroni. Na pyeti nga jeni. U përgjigjëm me radhë. Midis të tjerëve u përgjigja dhe unë. Jam nga Madheshi i Mirditës. Ou, qenkemi patriotë më tha. Si urdhëron shoku Gjeneral, jemi patriotë,- i thashë. Më pyeti i kujt jam dhe më tha që me një kushëri tuajin kam qenë në një klasë. Si je me mësime më,- tha. Unë heshta s’doja të flisja për vete. U përgjigj një shok i klasës, është më i miri në klasë. Të lumtë,- më tha-  do më japësh fjalën që të tri vitet do dalësh shkëlqyeshëm. Si urdhëron shoku Gjeneral, -i thashë. Do vish të më takosh,- më tha dhe të më raportosh. Si urdhëron,- i thashë. Por më 3 gusht 1961 ai ishte liruar nga ushtria, më vonë u burgos, u internua dhe unë nuk munda ta takoj më. Më ka ngelur peng.

     Pas mbarimit të shkollës ku ju caktuan dhe kam dëgjuar se keni takuar dhe Hysni Kapon

    Unë mbas mbarimit të shkollës u caktova në Shkollën e Bashkuar. Ndërsa për Hysni Kapon është e vërtetë që e kam takuar. Pikërisht kur doli grupi i Beqir Ballukut. Unë ahere isha në Korpusin e Katërt Tiranë. Hysniu ishte i deleguar në Korpus për të diskutuar për tradhtinë e Beqir Ballukut. Unë ahere isha Sekretar Partie në një repart në Ndroq. Shoku Hysni, lexoi letrën e KQ dhe ne të gjithë u solidarizuam me këtë letër dhe masat që ishin marrë ndaj tyre. Unë në diskutim theksova se është merita e partisë që ka zbuluar Beqir Ballukun, por puna jonë si komunistë është të zbulojmë këlyshët dhe mbështetësit e fshehtë të tij dhe bëra me dorë në hapësirë. Shoku Hysni tha se, ne këtu nuk kemi të tillë më. Partia i ka hapur sytë. Kur dolëm në pushim më thonë se me do shoku Hysni. Ai më priti buzagaz, më pyeti si je, si kalon, nga je, pastaj vazhdoi se tashmë ne i kemi zbuluar ata, por sytë t’i mbajmë hapur. Po,- i thashë -ne si komunistë gjithmonë do jemi me sytë hapur. Të lumtë ashtu duhet. Ai vetëm qeshte, shpërndante mirësi, shpërndante, fjalë të ëmbla. Ky ishte takimi i parë dhe i fundit me të.

     Në një bisedë me Duro Shehun ju keni thënë se keni pasur mik Shefin e Kabinetit të Mehmet Shehut. Çfarë ju ka treguar ai për jetën e Mehmetit, diçka të veçantë?

     Quhej Zija Beqiri, me origjinë nga Dibra, një burrë zotni, që kishe qejf të rrije. Ai ishte shumë i përgatitur, shumë korrekt. Mehmeti e respektonte shumë. Më tregonte se Mehmeti ishte shumë punëtor dhe e njihte gjendjen e ekonomisë shqiptare në pëllëmbë të dorës. Më thërriste të paktën 4 herë në ditë. Me mua sillej shumë korrekt. Njëherë ishte i deleguar në Konferencën e Partisë së Komitetit të Partisë së Lushnjës. Me vete më mori dhe mua,- më thotë Zijai. Kur shkuam aty i pari që e mori fjalën ishte një agronom i ri, i cili kishte bërë një shpikje në bujqësi që se mbaj mend se çfarë. Agronomi filloi të fliste plot pathos. Mehmeti i kishte shumë qejf, njerëzit e zgjuar dhe kurajoz. Kur fliste agronomi Mehmeti i ndërhynte dhe i bënte pyetje të vazhdueshme. Mehmeti pyet, ndërsa agronomi përgjigjej flakë për flakë. Heshtje, asnjeri s’merrte frymë. Të gjithë habiteshin me kurajon e agronomit. Replika të shumta. Mehmeti provoko, ai përgjigju në vend. Gjithë  seanca e parë u mor me këtë debat. Në pushim i afrohet Sekretari i parë Zijait, Shefit të Kabinetit të Mehmetit dhe i thotë, bobo na mori në qafë ai agronomi, na hodhi gjithë punën poshtë. U tremb. Jo, jo,- i tha Zijai, Mehmeti i do këta njerëz. Në seancën e dytë të gjithë kuadrot filluan të kritikonin agronomin. S’lanë fjalë pa i thënë. Mehmeti nuk foli fare në seancën e dytë. Kur do bëheshin konkluzionet, u çua Mehmeti. Çohu ti agronom në këmbë,- i tha. Me atë shpikje ti ke bërë diçka me vlerë për popullin dhe partinë. Ne na duhen njerëzit që shpikin, që bëjnë racionalizime, që studiojnë. Pastaj ju drejtua Sekretarit të parë, kështu ti kishe të gjithë drejtorët, shefat, kështu duhet të jenë dhe ministrat tek ne. Këtu ke mbledhur shumë servilë, që s’lanë gjë pa i thënë një njeriu të punës. Salla shtangu. Askush s’merrte as frymë. Ky ishte Mehmet Shehu, që të jepte çfarë të takonte. Kur vdiq Mehmet Shehu atë e ulën në detyrë.

     Po kur u vra Mhemet Shehu, ku ishe?

    Isha me shërbim në atë kohë në Korpusin e Katërt, në Komitetin e Partisë. Komanda e Korpusit ishte në të dalë të Kombinatit. U dha alarmi se Mehmet Shehun vrau veten. Askush nuk e besonte sepse ai dallohej për trimëri, por edhe për punë. U tronditëm. Mora shtëpinë në telefon gruan dhe dy fëmijët. Si jeni i thashë, -kujdes rrini të qetë. Fëmijët po qajnë shumë,- më tha. Jo të mos qajnë,- i thashë të rrinë të qetë. Thuaju se do vij babai dhe do t’i sqarojë.

     Po Duro Shehun a e ke takuar pas vrasjes së Mehmet Sheut?

    Jo, as Duron, as Gjin Markun s’i kam takuar më. Ata kanë hequr të zitë e ullirit, s’kisha ku t’i takoja. S’dua të jem dhe trim, në atë kohë takimet me ta të nxinin jetën. E tillë ishte situata. Me Duron u takova pas 1990-s dhe pashë që ishte ashtu, i mirë, i dashur, plot vrull.