Botimet Pegi sjellin në shqip librin e famshëm të Primo Levit

827
Titulli: A është, vallë, njeri…? 
Titulli në origjinal: 
Se questo è un uomo 
Autori: Primo Levi 
Përktheu: Genci Pjetri 
Zhanri: Roman 
Data e botimit: janar, 2016 
Numri i faqeve: 196 
Çmimi: 700 lekë 
Libri me një fjali 
Një rrëfim rrëqethës dhe një analizë e thellë mbi historinë e kampeve të përqendrimit, mbi fyerjen, poshtërimin dhe degradimin e njeriut, para se të mbërrihet në shfarosjen e plotë të tij. 
Informacion i përgjithshëm rreth librit 
“A është, vallë, njeri…”? është libri i parë i Primo Levi-t, shkruar e botuar më 1947-ën, menjëherë pas daljes nga kampi i përqendrimit në Aushvic. 
Në këtë libër, ai rrëfen përvojën e një viti të tërë, nga shkurti 1944 deri më 27 janar 1945, të kaluar në lagerin e Buna-Monovicit. Buna ishte një ndër 44 kampet satelitë të Aushvicit, në Silezinë e Sipërme, në territorin polak. Historia fillon me internimin e autorit në kampin për hebrenj në Fosoli dhe përfundon me çlirimin e kampit të Aushvicit nga ushtria ruse. Levi arriti të mbijetonte falë ushqimit shtesë, që një punëtor italian, Lorencoja, arrinte t’ia kalonte fshehurazi. 
Përvoja e Levi-t si një ndër të mbijetuarit e këtij Lageri famëkeq shpërfaqet në një prej librave më realistë e të thellë mbi ferrin që përjetuan gjithë bota e sidomos hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me stilin e zhveshur të një kronike, ai sjell dëshmi tronditëse të asaj mbijetese deri në çnjerëzim. Ky është libri i dinjitetit, i zvetënimit dhe i tëhuajzmit të njeriut përballë mekanizmave të pamëshirshme të shfarosjes në masë. Peripecitë e turmës, që tashmë s’ka emër, por veç një numër të vulosur si tatuazh i përjetshëm mbi parakrahun e majtë, rikujtohen pa asnjë fije retorike, duke ia lënë komentet në dorë vetë realitetit lebetitës. Nga kori i personazheve të paharrueshëm të librit ngrihet një mesazh i kthjellët moral e qytetar. 
Kritika 
Me qëndresën morale dhe staturën intelektuale të një titani të shekullit XX, ky kimist i përkushtuar dhe modest mori misionin t’i rrëfejë botës ferrin nazist në tokë, përmes një proze racionale, të kthjellët dhe pa mllef. Me bisturi letrare, Levi zhbiron ngjarjet njerëzore ku sjell vuajtjet e mëdha dhe provokon përçmim të thellë. […] Levi ka qenë personi më frymëzues që kam njohur dhe të bënte për vete me atë delikatesën magjike. Philip Roth 
Një prej të paktëve që i mbijetuan Holokaustit, rrëfen përvojën e tij me një zë të butë e të trishtë. Guardian 
Një libër që të ndryshon jetën. Daily Express 
Mbi autorin 
PRIMO LEVI është shkrimtar italian me origjinë hebreje, një prej të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit hitleriane. U diplomua si kimist në vitet e para të vendosjes së regjimit fashist, i cili, më 1938 shpalli ligjet racore, që sollën diskriminimet e rënda ndaj qytetarëve italianë “të racës hebreje”. Të gjitha këto e shtynë Levin të hynte në radhët e antifashistëve dhe të merrte pjesë në disa çeta partizane. U arrestua në dhjetor 1943 dhe, prej shkurtit 1944 deri më 27 janar 1945, përjetoi tmerrin e pafund të kampit të shfarosjes në Aushvic. Përvoja në kampin e përqendrimit e tronditi si fizikisht, edhe psikologjikisht dhe e shtyu të hidhte në letër makthin e jetuar prej tij e miliona njerëz të tjerë, përmes shkrimesh të paharrueshme si “A është, vallë, njeri…?”, “Armëpushimi” dhe “Të mbytyrit e të mbijetuarit”. 
Fragmente nga libri 
1. Atëherë, për herë të parë vumë re që gjuha jonë s’kish fjalë për të shprehur këtë fyerje, shkatërrimin e një njeriu. Në çast, pas një shkëndije intuite thuajse profetike, realiteti na u shfaq përpara: kemi prekur fundin. Më poshtë se kaq s’mund të shkohet: gjendje njerëzore më të mjerueshme s’ka e s’mund të mendohet. Asgjë s’është më jona: na morën rrobat, këpucët, edhe flokët: po të flasim, s’na dëgjojnë, edhe nëse do të na dëgjonin, nuk do të na kuptonin. Do të na shuajnë edhe emrin: e nëse do të duam ta ruajmë, duhet të gjejmë brenda vetes forcën për ta bërë këtë, të bëjmë të mundur që mbas emrit të ngelet diçka nga ne, nga ata që ishim. 
2. 
Është e vështirë të shkatërrosh njeriun, thuajse po aq sa ta krijosh: s’ishte e lehtë, s’u bë për një kohë të shkurtër, por ia arritët, gjermanë. Ja tek jemi, të urtë nën vështrimet tuaja: nga ne s’keni pse të trembeni (për) asgjë: s’ka veprime kryengritëse, s’ka fjalë sfiduese, as shikime gjykuese. 
3. 
Përfytyroni tani një njeri, të cilit, së bashku me njerëzit e dashur, t’i marrin shtëpinë e vet, zakonet e veta, rrobat e veta, gjithçka në fund të fundit, gjithçka ka me gjithë kuptimin e fjalës: do të jetë një njeri bosh, katandisur në vuajtje e nevoja, nder e gjykim harruar, sepse është e lehtë që, ai që ka humbur gjithçka, të humbasë vetveten; një njeri i tillë, që do të mund të vendosë me mendje të fjetur për jetën ose vdekjen e tij jashtë çdo kuptimi të ngjashmërisë njerëzore; në rastin më të mirë, në bazë të një gjykimi vetëm mbi dobinë. Atëherë do të merret vesh kuptimi i dyfishtë i fjalës “kamp asgjësimi”, do të jetë e qartë ç’duam të shprehim me këtë fjali: “të dergjesh në fund”. 
4. 
Ata (të burgosurit e tjerë të Aushvicit) mbushin kujtesën time me praninë e tyre pa fytyrë, e sikur të mundja të përmblidhja në një pamje të gjithë dhembjen e kohës, do të zgjidhja këtë pamje, që e kam shumë të njohur: një njeri kockë e lëkurë, me kokën ulur e i kërrusur, në fytyrën e në sytë e të cilit s’mund të lexosh asnjë gjurmë mendimi. 
Aftësia e njeriut për të gjetur një qoshe, për të ndërtuar një zhguall, për të ngritur rreth vetes një mur të lehtë për t’u mbrojtur, edhe në rrethana në dukje të pashpresa, është mahnitëse dhe do të meritonte një studim të thellë. Bëhet fjalë për një punë të çmuar përshtatjeje, pjesërisht pasive dhe të 
pandërgjegjshme dhe pjesërisht aktive: të ngulësh një gozhdë sipër shtratit për të varur këpucët natën; të lidhësh marrëveshje të heshtura mossulmimi me fqinjët; të marrësh me mend e të 
pranosh ligjet e Komandos dhe të Blokut. Me anë të kësaj pune, pas disa javësh arrihet njëfarë ekuilibri, njëfarë sigurie përballë të papriturave: është ngritur një fole, tronditja e hedhjes nga këtu aty është kaluar. 
5. 
Të gjithë zbulojnë pak a shumë shpejt në jetën e tyre, që lumturia e përkryer s’është e realizueshme, por janë të paktë ata që ndalen në mendimin e kundërt: që njësoj është edhe për fatkeqësinë e përkryer. Rrethanat që kundërshtojnë përmbushjen e dy gjendjeve – kufi janë të së njëjtës natyrë: rrjedhin nga prejardhja jonë njerëzore, armike e çdo pafundësie. 
Sigal