Bota e madhe dhe e pasur e Henriko Veizit

    2018
    Sigal

    In Memoriam/Për njeriun e dy valencave aplikative, të shkencës së naftës dhe artit të vizatimit

    Sido të ndihet apo të kuptohet, tashmë gjeologu Henriko Veizi është vendosur në memorien e të gjithëve. Ai do mbahet mend për punët aplikative në Sizmike, për ndjesitë shpirtërore, megjithëse jo plotësisht të zbuluara si dhe për artin që vizatohet me penel, ashtu siç mbahet mend fizikisht, i gjatë, kolos, diçka si Xhek Londoni, librat e të cilit i lexonte. Henriku kishte hobi karikaturën, me të cilën hidhte shigjeta ironie, herë afër dhe herë larg, përtej Shqipërisë së vogël komuniste, e cila, ndërsa e dënim “shkëmb graniti”, ishte “shkëmb sfungjeri”.  Karikatura është opozita artistike me ngacmuese e çdo sistemi, art me finesë që pickon këdo, ca për mirë ca për keq. Ishte një kohë kur një grup  shokësh me Henriko Veizin, Viron Papingjin, Engjëll Saliajn, Viron Skelën, Salo Arapin e të tjerë, sillnin gati çdo ditë në Fier parfumin e qytetit të Vlorës. Më shumë binte në sy Henriko Veizi. Në atë rrugë të bukur Vlorë-Fier, ata çonin dhe sillnin një humor ngacmues që nuk linte derë pa hapur dhe veshë pa u mprehur…Kur ishim në Patos ai shoqërohej me shkrimtarin Tasim Alija. Shpesh ata ecnin në atë rrugë të vetme të Patosit dhe binin në sy për elegancën, kulturën  dhe artin që lëvronin. Ata përbënin një binom humori që kërcente pupthi aty-këtu. Për Henrikun kanë shkruar disa shokë dhe kolegë, po mua më duket se asnjëri nuk e ka ndierë Henrikun, asnjë nuk e ka parë se si ai nga sikleti i punës kafshonte thonjtë deri në dhembje, apo si shtrëngonte penelin me ata dy gishta të dorës së djathtë, sa ui bënë me kallo, ta shikonin si ai linte dhe fillonte duhanin, si herë-herë e përtypte duhanin apo ta tërhiqte me  hundë. Ishte kënaqësi t’i shikoje llullën ngjyrë arre të errët. E shikonte atë me vëmendje si t’i kishte rënë nga qielli, pastaj e merrte në dorë, mendohej, niste ta përkëdhelte, më tej e mbathte me duhan, e ngjishte mirë e mirë. Së fundi i vinte flakën. Të gjitha këto i shkonin bukur…Ai  fliste dhe lexonte rusisht,  kishte punuar me rusët,  bënte humor dhe qeshte si një fëmijë, po shpesh herë përmbahej deri në trishtim, sa thyej. Pra, ai ishte një vullkan që ziente, por gjithnjë nën ujë. Nuk kishte kurajë, ishte si të gjithë ne zezakët monistë, që e  rrudhëm jetën me lepe-peqe, me brohoritjet Parti-Enver, duart na u bënë me kallo. Edhe Henriku nuk i shpëtoi këtij radioaktiviteti, bile këtë energji e përdori nga fundi për të ecur përpara. Ai kishte artin, pra nuk kishte përse të futej në korin komunist. Ç’i duhej Henrikut partia, kur kompleksi i tij ishte kundër kryqezatës komuniste. Miku im Ali  Mema më thotë  se ai  donte “pasaportën” komuniste për të bërë karrierë. Jo, miku im Ali, ai  nuk kishte nevojë për atë pasaportë, sepse ai kishte tjetër agjendë, kishte artin. Ky azgan me rrënjë nga Jugu, me prindër të kompletuar, me shkollë gjeologjike dhe me prirje artistike, nuk kishte përse t’u servilosej partiakëve. Henriku, pra, u ul në karrige të gabuar. Henrikun regjimi komunist  e spërkati me pak parfum për ta rrëzuar dhe asgjësuar. Ai u emërua  zv/drejtor i Institutit të Naftës rreth vitit 1979, kjo, sipas mendimit tim, qe rrëshqitja e madhe e tij. Aty ai do të  punonte me atë stil që i kërkohej nga lartë, do të ingranohej me raporte dhe referate, nuk do të kishte kohë të studionte apo te vizatonte. Ai studionte  dhe  ndihmonte  shokët  të  projektojnë. Unë ruaj në kujtesë  kohën kur kthehesha nga punimet  sizmike  fushore në Poshnjë në vitin 1982, e gjeja  Henrikun  në zyrën e tij  me  prerje sizmike nxirë me korelime  e vizatime dhe përbri tij ishte  tabakaja  e  duhanit mbushur plot me bishta cigaresh, si gezhoja lufte. Uëe kthehesha nga  fusha, bashkë me lodhjen  i ofroja  lule dielli. Konsultohesha  për eksperimentet  shkencore fushore të Sqepurit. Ai më dëgjonte me kujdes  dhe më thoshte, të  kam  të  mençur…Kam jetuar me të  në apartamentin me tulla të bardha ndërtuar me kontribut vullnetar në qytetin e Fierit. Aty  pashë disa herë nënën  e tij, atë grua të gjatë që ecte rëndë, një aristokrate e madhe, e cila mezi i ngjiste ato shkalle deri në katin e dytë, sado që mbushej mirë e mirë me fryme e ishte rritur në Himarë dhe në Vlorë, ajo ishte një pemë që nuk zinte rrënjë në Fier ku të mbyste Azotiku. Henriku ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ai punonte me orare të reduktuara, merrte leje krijuese. Puna me  karikaturat e lodhte, por i jepte kënaqësi. Ai kishte në qytet studion  e tij,  ku me ftoi edhe mua ta shikoja  Puna i dha Henrikut shtysa të forta, ai drejtoi grupin e punës  me specialistët kinezë në vitin 1974 kur ata erdhën në Shqipëri për të dhënë eksperiencë. Gjithashtu, ai shkoi për eksperiencë jashtë në Irak dhe në Algjeri. Ai ishte aplikativ në punë,  prandaj rruga  e tij për jashtë nuk ngjalli smirë dhe cinizëm. Punën ai e pa si nevojë ditore, ai nuk nënvleftësoi asgjë, ai nuk la asgjë për nesër nga ato që kishte nisur. Në ndërmarrjen Sizmike kishte me dhjetëra inxhinierë gjeofizike që mbulonin sektorë të ndryshëm, po Henriku me një eficiencë të madhe bëri që të shquhej prej të gjithëve. Ai punonte shumë pastër, kishe dëshirë t’i shikoje vizatimet e tij, kurse intuita e tij në gjeologji, u cungua diçka nga arti dhe nga pozicioni. i ndjeri thoshte, se, që të fillosh një punë të re, duhet të mbarosh së pari të parën. Ai kishte shok gjeologun Koço Plaku, fizikanin Nikolin Leka, ai rrinte afër me ing. Novruz Kodhelin,  kryeinxhinier. dhe drejtor i Sizmikes për disa vite, ai mburrej me  shokun e tij, pedagogun Alfred Frashëi, seizmikun Siasi Koçiaj, e të tjerë. Për disa ai toleronte shumë, adoptohej deri në lodhje, po mjerë ata që akoma nuk e kanë kuptuar. Ata abuzuan tek ai, se kishin nevojë për të. Henriku edhe në urrejtje ishte i përmbajtur, ai rrudhej në fytyrë, po nuk e përplaste derën me forcë, ai nuk thoshte fjalë të këqija. Ali Mema dhe Henrik Veizi, ishin dy specialistë me spektër të pastër në Zizmiken e naftës shqiptare. Ali Mema nuk u adoptua as një grimcë me monizmin, ndërsa Henriku ushqeu disa iluzione për të ecur përpara.  Vetëm këtu këta ndaheshin me njëri-tjetrin. Unë  kënaqesha  kur ii shikoja të takoheshin, të shkëmbenin fjalë të  bukura dhe me humor, sidomos kur Aliu i drejtohej  atij me fjalët, Ç’kemi babai i kombit. Henriku humorin e skenonte me penel dhe me fjalë. Humori që ai lëshonte i gjallëronte të gjithë. Zaten, i ndjeri Henrik, më shumë mbahet mend për humorin e këndshëm  me gojë,  se sa  atë të vizatuar. Të qeshurat e tyre do dëgjoheshin deri në barakën  e kafesë, e cila gjithmonë do të ishin plot, megjithëse ishte koha e krizës së kafesë dhe naftës, po jo e krizës së vëllezërve  që mbanin zinxhirë nëpër xhepa. Ai u arrestua në maj të vitit 1985, dhe u dënua me 23 vite heqje lirie… Henrik  Veizi doli  nga  burgu  pesëvjeçar  në  fillim të viteve 1991, falë  këmbënguljes  së Komisionit  të Helsinkit për të drejtat e njeriut. I bëra vizite në shtëpi dhe u  kënaqa  tepër që ishte  gjallë. Si,  more  Henrik,  pranove në hetuesi të thoshe se kishe qenë spiun dhe sabotator, e pyes unë. Ai më tha,  kur ndodhesh në  situata e  rrethana ku  çdo ditë të vënë  përpara  familjen dhe  fëmijët, detyrohesh të  nënshkruash  çdo gjë që  ata  të  thonë e te  kërkojnë… Për Henrik Veizin, si  specialistin e aftë, burrëror  dhe besnik, unë tregova shumë pak,  për të  mund  të  shkruhen  romane të  tërë, se ai  ishte  shumëplanësh, specialist  i shquar  në Sizmike, artist në  fushën  e karikaturës,  ishte  drejtues  i  mençur,  njeri me botë të  madhe shpirtërore. Ai  kurrë  nuk njohu urrejtjen,  ndonëse kishte arsye të urrente.

    Mik i të gjithëve…

    Henriku kishte dy valenca aplikative, atë profesional dhe aftësinë për të vizatuar. Nëse për gjeologjinë ai u ul në bankat e shkollës, aftësinë në art ia dha Zoti. Po Henriku nuk e dëgjoi Zotin, i kërkoi Atij më shumë. Ai nuk kishte nevojë për zyra administrative, për atë lloj agjende, atij do i mjaftonte një dhomë pune, me një tavolinë të gjatë për të hapur dhe koreluar ato  seismogramat e gjata dhe më pas, prerjet e kohëve. Ai nuk kishte lindur për ato lloje zyra-mortore me tavolina T në mes, ai nuk donte armiq. Henriku ishte krejt ndryshe nga unë, unë si me zyrë dhe pa zyrë, bëra me qindra armiq, sigurisht, së pari drejtuesit  dhe partiakët, e, së dyti, beniaminët e tyre. Se, për të vizatuar, atij do t’i  mjaftonte një tavolinë e vogël sa të ngulte bërrylat fort. Zaten ky është portreti artistëve. Picasso thoshte, më jepni një sallë ta mbush me piktura.

    Gjithçka sot, asgjë për nesër…

     Ai ishte aplikativ në punë,  prandaj rruga  e tij për jashtë nuk ngjalli smirë dhe cinizëm. Punën ai e pa si nevojë ditore, ai nuk nënvleftësoi asgjë, ai nuk la asgjë për nesër nga ato që kishte nisur. Në ndërmarrjen Sizmike kishte me dhjetëra inxhinierë gjeofizike që mbulonin sektorë të ndryshëm, po Henriku me një eficiencë të madhe bëri që të shquhej prej të gjithëve. Ai punonte shumë pastër, kishe dëshirë t’i shikoje vizatimet e tij, kurse intuita e tij në gjeologji, u cungua diçka nga arti dhe nga pozicioni. i ndjeri thoshte, se, që të fillosh një punë të re, duhet të mbarosh së pari të parën. Ai kishte shok gjeologun Koço Plaku, fizikanin Nikolin Leka, ai rrinte afër me ing. Novruz Kodhelin,  kryeinxhinier. dhe drejtor i Sizmikes për disa vite, ai mburrej me  shokun e tij, pedagogun Alfred Frashëi, seizmikun Siasi Koçiaj, e të tjerë.