Bombardimi atomik mbi Hiroshimë dhe mbi Nagasaki, fundi i Luftës Dytë Botërore

    508
    Sigal

    Megjithëse sekretin e sofistikimin në prodhim, bomba atomike paraqet kërcënim

    *Prof.as.Dr.          

    Gjashtëdhjetë e shtatë vjet më parë, Forcat Ushtarake të ShBA kryen shpërthimin e parë të bombës atomike me plutonium-239 në poligonin e Alamogordos (Nju-Meksiko) dhe tre javë më von në Hiroshima e Nagasaki të Japonisë, respektivisht më 6 dhe 9 gusht të 1945. Bombardimi atomik i Hiroshimës dhe Nagasakit,vulosi dramatikisht mbarimin e tragjedisë së madhe te luftës së dytë botërore, duke i dhënë fund çdo shprese të bllokut nazifashist për rezistencë.

    KAPITULLIMI NAZIFASHIST

    Pas kapitullimit të Gjermanisë naziste më 7 Maj 1945 e mbarimit të luftës në Europë, Fuqitë Aleate,në deklaratën e Potsdamit më 26 korrik 1945,i shpallën ultimatum Japonisë nazifashiste për kapitullimin e saj pa kushte,gjë që u hodh poshtë nga qeveria Japoneze. Atëherë,forcat ushtarake Amerikane,pas një lufte të gjatë me Japoninë në Pacifik e në përgjigje të refuzimit të ultimatumit, kryen shpërthimin atomik mbi qytetin e Hiroshimës dhe të Nagasakit, ndërsa ushtria e kuqe hapi frontin e luftës me Japoninë në Mançuri. Bombardimi atomik nga njëra anë dhe ndërhyrja e Rusisë nga ana tjetër, e detyroi regjimin e Tokios të pranojë kapitullimin pa kushte më 15 Gusht 1945, duke marrë fund Lufta e Dytë Botërore…

    PËRZGJEDHJA

    Hiroshima dhe Nagasaki, u përzgjodhën si objekt i bombardimit atomik edhe për shkak të militarizimit ushtarak ekstrem të tyre nga japonezët. Në këto qytete jugore,ishte instaluar një fuqi e madhe ushtarake industriale dhe njerëzore, me moton ‘gjithçka për luftën’. Aty vepronte Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Japoneze për Frontin Jugor, divizioni i pestë i ushtrisë japoneze, qendra logjistike dhe komunikimit ushtarak, depot e mëdha të municioneve ushtarake gjitharmësh,uzina dhe fabrika ushtarake për artilerinë, anijet luftarake dhe armatimin ushtarak etj. Vetëm në rrethinat e qytetit të Hiroshimës ishin dislokuar rreth 50000 trupa dhe vetë zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Japoneze. Bombardimi atomik i rrafshoi këto qytete dhe rrethinat e tyre, duke vrarë rreth 200000 njerëz dhe duke shkaktuar një ndotje të madhe radioaktive me pasoja katastrofike për një hapësirë të konsiderueshme rajonale, viktimat dhe pasojat e të cilave ndjehen edhe sot…

    TRIUMFI ATOMIK AMERIKAN.

    …Në vitin 1940,Shtetet e Bashkuara të Amerikës,Anglia dhe Kanadaja u përfshinë në Projektin e famshëm Manhaçan për realizimin e të cilit hartuan një program të madh ushtarak nën drejtimin shkencor të Dr. Robert Openhajmer,në të cilin u përfshinë jo vetëm forcat ushtarake por edhe shumë institucione shkencore, universitete,  uzina e fabrika prodhimi,u angazhuan mbi 130000 njerëz dhe një investim mbi 2 miliard dollarë. Për shkallën e lartë të intensifikimit bërthamor, mjafton të përmendet fakti që para vitit 1940, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk disponohej më shumë se disa gram uranium, ndërsa  brenda periudhës 1940-1942 ajo arriti të prodhojë mbi 40 ton uranium metalik të pastër mbi bazën e përpunimit të qindra mijëra tonëve minerale uraniumi dhe rreth 400 ton grafit shumë të pastër që u përdorën menjëherë për ndërtimin e reaktorit të parë bërthamorë në stadiumin e Universitetit të Çikagos në vitin 1942 nën drejtimin e shkencëtarit të njohur italian, nobelistit  Enriko Fermi. Ky investim dhe përshpejtimi i zgjerimit të tyre gjatë luftës, ngritja e njëpasnjëshme e reaktorëve bërthamorë më të fuqishëm për prodhimin e plutoniumit-239 në vitet 1943-45 në Henford,u kurorëzuan me prodhimin e bombës atomike(Bomba-A) nga ShBA në Los Alamos dhe  shpërthimin e parë të saj në poligonin e Alamogordos(Nju-Meksiko)…

    EKSPANSIONI I ARMATIMIT ATOMIK

    Prodhimi i bombës-A pavarësisht qëllimit luftarak të saj dhe viktimave njerëzore që shkaktoi, pati edhe tri fitore të mëdha për njerëzimin: (1) Ajo triumfoi në kampin demokratik të luftës duke shpëtuar njerëzimin nga rreziku i sundimit atomik nazist. (2) Ajo nxiti realizimin në një kohë rekord të rrugëve për shfrytëzimin praktik të energjisë bërthamore. (3) Hapi perspektiva të mëdha për shfrytëzimin e energjisë bërthamore në shumë fusha të  ekonomisë,të shkencës dhe të prodhimit. Pas luftës së dytë botërore dhe fillimit të luftës së ftohët,për armatimin atomik vazhdonin përpjekjet edhe vende të tjera që u kurorëzuan me prodhimin e bombës atomike nga ish-Bashkimi Sovjetik(Rusia) më 1949,nga Anglia më 1952, nga Franca më 1960 dhe nga Kina më 1964. Një numër të tjerë shtetesh sidomos India,Pakistani,Izraeli dhe Koreja e Veriut tani zotërojnë bombë atomike ose janë në gjendje ta prodhojnë atë. Afrika e Jugut-aparteide ka pas disponuar 6 bomba-A por që i ç’montoi ato më vonë, ndërsa tri ish-Republikat Sovjetike: Ukraina, Bjellorusia dhe Kazakistani trashëguan arsenale bërthamore, të cilat i  zhvendosën në Rusi me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Sot,teknologjia e prodhimit të bombës atomike nuk përbën ndonjë sekret, por realizimi praktik i saj lidhet me një proces mjaft kompleks industrial që kërkon investime të konsiderueshme dhe që  kundërshtohet nga vendet që kanë nënshkruar Traktatin për ndalimin e prodhimit dhe të  mospërhapjes së bombave atomike. Megjithë marrëveshjet e fuqive të mëdha për reduktimin e  armëve atomike,për mospërhapjen dhe mospërdorimin e tyre,kemi të bëjmë ende me një arsenal të madh bërthamorë nga vet këto vende,të cilat gjithsesi përbëjnë një rrezik serioz për paqen dhe sigurinë botërore,veçanërisht në kushtet e acarimeve të ndryshme politike,të konfliktit të interesave dhe të armatimit atomik të disa vendeve me konflikte të gjata rajonale, sidomos në lindjen e mesme dhe të largët.