Boçari: Pronarët duan kthim, kompensimi vetëm për nevojat publike

    374
    Sigal

    Tryeza me pronarët ofron zgjidhje: Zbatoni Kushtetutën, shqyrtoni projektligjin tonë

    Gazeta “Telegraf” vijon sot me zbardhjen e fjalës së dr. Gëzim Boçarit, si përfaqësues i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, mbajtur në pjesën e dytë të tryezës (që u zhvillua pa praninë e mediave) së organizuar në 24 tetor nga AKKP dhe Ministria e Drejtësisë, në zbatim të planit të veprimit për zbatimin e vendimit pilot të GJEDNJ. Anarkia me pronën prej moszbatimit të Kushtetutës ka qenë kryefjala në të gjithë fjalën e dr. Boçarit. Në lidhje me pronësinë, kemi “ligje që bien ndesh me njëra-tjetrën dhe secila prej tyre bie në kundërshtim me Kushtetutën”, shprehet dr. Boçari në fjalën e tij dhe si alternativë zgjidhjeje të këtij ngërçi, ai parashtron projektligjin e shoqatave të pronarëve.

     * * *

    Dr. Gëzim Boçari

    Unë jam mjek, jam diletant në fushën e drejtësisë, por dëshiroj të flas këtu si një nga pronarët. Nuk jam ish-pronar, jam pronar me të gjitha dokumentet. Rasti im mund të jetë i mjaftueshëm për të treguar qoftë studentëve të juridikut, qoftë gazetarëve, qoftë mediave, qoftë edhe juve, sa keq është vepruar me pronën, përveç faktit se, siç u tha nga juve gjatë diskutimeve të hapjes, që është një anarki institucionale praktikisht.

    – Nga znj. Jorgaqi u paraqitën ligjet, që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, por që të gjitha, jo vetëm se janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, por secili ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuta thotë “pronë”, kurse ata thonë “tokë bujqësore”, “tokë livadh”, “tokë truall”, etj..

    – Kontradikta tjetër është: Shteti, pronën e shtetëzuar e konsideron si pronë të qeverisë së shtetit dhe është ndarë: qoftë për qëllime klienteliste; qoftë për efekte elektorale; qoftë edhe për t’u pasuruar pronarët. Sot, jemi në anarki institucionale. Shteti nuk zbaton Kushtetutën. Të gjitha ligjet… Nuk ka një ligj që të jetë në përputhje me neni 181, me neni 41 dhe 42 të Kushtetutës. Pra, duhet të ndahet çfarë është pronë e shtetit dhe çfarë është pronë e pronarëve. Dhe atë që tha z. Toro: “të kompensohet atje ku është për nevojë publike”. Në qoftë se bëhet kjo, që shteti çliron pronën e tij dhe pronën e pronarëve, nuk ka nevojë për asnjë qindarkë për kompensimin, kjo është platforma që ka paraqitur projektligji i shoqatës. E para: të jetë detyrimi i shtetit, jo detyrimi im si pronar, që të sorollatem për të marrë dokumentet për të vajtur në agjenci. Në qoftë se do të flas për periudhën 1993 – 2013, që të gjithë drejtorët e Agjencisë së Kthimit të Pronave, janë vjedhës ose abuzues në pronën time si qytetar, gjyqtarët…(tha një fjalë shumë të madhe Kryeministri: “korporata”). Z. Elvis Çefa, që ka qenë drejtues atje, ka raportuar se është ekzekutuar vendimi i Strasbourg-ut. Kur, efektivisht nuk është ekzekutuar. Gjyqet janë…

    Pra, në qoftë se nuk ndahet çfarë është pronë e shtetit me çfarë është pronë e pronarëve, kjo platforma e qeverisë që kemi sot, për të cilën ju mundoheni ta çoni përpara, është dështim; nuk çon përpara. Është vetëm një modifikim i asaj rrugë platforme që morën përsipër politikanët e mbas ’91-it, me koncepte minimale për pronën private, nga shtresa të varfra, që cjapin e merrnin borxh tek fshati tjetër… Dhe e shfrytëzuan këtë pronë për efekte elektorale, për t’u pasuruar…

    Zgjidhja, si bëhet?

    – Zgjidhja është dhe zgjidhja bëhet menjëherë. Nuk ka nevojë për shumë tryeza. Drejtoria e Kodifikimit, Agjencia e Kthimit të Pronave, të vënë përpara projektligjin që ka përgatitur shoqata. Është projektligj i përgatitur nga specialistë të huaj dhe jo nga ne. Ne nuk jemi në gjendje… Ai zgjidh të gjitha nevojat që ka për të zgjidhur edhe Ministria e Drejtësisë, edhe Agjencia e Kthimit të Pronave, edhe shteti shqiptar, edhe është në përputhje me Vendimin Pilot; por edhe me një vërejtje që ka bërë komisioneri hungarez Myznieks në vitin 2013, që thotë: “kompensimi vetëm për nevojat publike”. Kurse këtu, platforma është: “shpejtoni kompensimin!”.

    – Progres raporti i fundit i 2014 është fatkeqësi e madhe. Dhe praktikisht, po të shikojmë, faji bie mbi politikën ‘91 – 2013… Por edhe faktori ndërkombëtar, duke filluar që nga Banka Botërore, USAID-i, FMN- ja, EURALUS-i; këta ambasadorë kanë mbështetur edhe me financim, edhe me mbështetje morale këtë politikë që është kleptokraci.

    – Projektligji ynë është zgjidhje që shkurton kohën dhe shmang dënime të tjera që mund të marrë shteti shqiptar nga Strasbourg-u. Mund të bëhet shumë shpejt: si prioritet duhet të ketë kthimin, pastaj kompensimin, pastaj legalizimin e paligjshëm. Kurse deri tani, prioritet i qeverisë kanë qenë ligjshkelësit : “legalizohet ky, sepse guxoi të shkelë ligjin”. Pra, unë që po pres ligjin duhet të ndëshkohem dhe të marr 5 lekë. Ky kompensim, qoftë edhe 50,000, në qoftë se nuk është në përputhje me Nenin 41, është gjithmonë i atakueshëm; në mos në gjykatat këtu, në Gjykatën e Strasbourg-ut. Por Gjykata e Strasbourg-ut thotë procedurën – kompensoje me çmimin e tregut. Kush do të paguajë këtu? Do të paguhet nga çdo qytetar i shtetit si taksa; faturë për të gjithë.

    Zgjidhja është e mundshme, edhe mund të zgjidhet shumë shpejtë, në qoftë se ky projektligj me procedurë të shpejtuar kalon në Parlament… se s’ka faturë financiare. Është edhe detyrim ndërkombëtar.

    Aktualisht, jemi në anarki institucionale, sepse vetë shteti nuk zbaton Kushtetutën. Gjashtëmbëdhjetë (16) ligje, dhjetëra vendime të tjera, mbi 6 institucione që kthejnë pronën dhe që nuk komunikojnë me njëra-tjetrën. Në atë projektligj është propozuar: Një ligj që i mbledh të gjitha dhe një institucion që i zgjidh të gjitha. Ajo që ju lutem juve si zv/Ministër është t’ia transmetoni Kryeministrit. Ai është në dijeni për këtë projektligj… Unë kam takuar me të, kohë përpara, kur ishte kryetar bashkie… E ka…, duhet ta ketë një ide për projekt ligjin… Ka ardhur koha të merret në shqyrtim, në nivel specialistësh dhe të qeverisë, për vendimmarrje; të kalojë sa më shpejt; të bëhet menjëherë… dhe nuk ka kosto. Por, duhet një Gjykatë Kushtetuese, që të jetë kushtetuese. Deri tani ka qenë gjykatë politike… Shembuj mund t’ju jap sa duash, por nuk duam të hamë kohën këtu.

    Përfaqësues i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”