Blushi: Ramës i ka mbaruar mandati, Balla: S’është e vërtetë, po shqyrtojmë modalitetet

    41
    Pas përfundimit të Asamblesë Kombëtare të PS-së , deputeti socialist Ben Blushi e quajti “ arbitrar” vendimin që të mos ketë zgjedhje për kreun e partisë. Deklarata u bë për gazetarët pas përfundimit të Asamblesë Kombëtare të PS-së.
    “Mori një vendim që nuk mund ta merrte. Të zgjidhen të gjithë me përjashtim të kryetarit të PS-së. Këtë e konsideroj arbitrare. Kryetari i PS-së mori një mandat të përhershëm, shpresoj jo të përjetshëm…. Ka skaduar afati i mandatit të kreut të PS. 
    Është partia më unike në planet, që nuk lejon zgjedhje për kryetar. Do ishte mirë që mbledhja të devijonte, ekonomia në ditë të vështira. Sot duhet të kishte debat për situatën ekonomike”, deklaroi Blushi pas mbledhjes.
    I pyetur nëse rrezikon përjashtimin nga partia me deklaratat që po bën, Blushi tha se ajo që po kërkon janë vetëm zgjedhje, dhe nëse partia vendos ta përjashtojë për këtë fakt, atëherë e mirëpret atë.
    Pretendimet e Ben Blushit i hodhi poshtë pak sekonda më vonë deputeti Taulant Balla, pjesë e Grupit të Punës për Zgjedhjet brenda PS-së. “Nuk është e vërtetë që nuk bëhen zgjedhje sepse ne jemi të detyruar për edhe shkak të anëtarësisë që kemi tek euro-socialistët që të zhvillojmë zgjedhjet dhe ne aktualisht po shqyrtojmë modalitetet e zgjedhjes së kryetarit”, tha Balla.
    Për Ballën, mandati i Ramës në krye të PS-së u konfirmua nga vota popullore. “Mandati i kryetarit është një mandat i konfirmuar për shkak të votës popullore”, tha Balla duke premtuar se libri i rregllave të PS do të jetë shumë i qartë për funksionimin e strukturave. “Është një gënjeshtër të thuhet se nuk ka zgjedhje në PS. Sot PS i ka hapur rrugë një procesi ku të gjitha organet drejtuese do të hyjnë në një proces zgjedhor”, shtoi Balla.
    Sa i përket kritikave të Blushit për ekonominë, atyre u dha përgjigje ministri Arben Ahmetaj. “Sa i takon ekonomisë, një nga arsyet e fitores së 21 Qershorit është ekonomia. Më vjen keq që Blushi iu referua sikur ekonomia ishte në rënie. Për këtë ka statistika përballë qëndrime emocionale”, tha Ahmetaj