Bllokohet vaji kancerogjen i destinuar për Shqipërinë

    468
    Sigal

    Shqipëria, destinacioni për mijëra litra vaj ulliri skarco. Flasin znj. Manjola Vraja, inspektore e AKU-së, Gjergj Buxhuku, administratori i Konfindustrisë dhe Altin Goxhaj, kreu i Zyrës së Konsumatorit

    Qytetarët shqiptarë ndihen të rrezikuar nga produktet ushqimore skarco që kontrabandohen drejt tregut tonë. Kështu një sasi prej 25 mijë litra vaj ulliri me destinacion Shqipërinë është bllokuar nga Guardia di Finanza ne bashkëpunim me zyrën e shërbimit doganor në portin e Barit. Vaji i ullirit me mbishkrimin “I virgjër” ishte prodhuar për vendet e BE. Mediat italiane shkruajnë se pas vlerësimeve teknike, rezultoi që vaji i ullirit ekstra i kishte cilësinë shumë me të ulët se ato të kërkuar me ligj.  Sasia e vajit të ashtuquajtur “i ullirit ekstra”, është konfiskuar ndërkohë janë ndaluar edhe dy persona të kompanisë, përkatësish të prodhimit dhe të marketingut. Ata do të gjykohen nga organet gjyqësore për “mashtrim komercial” dhe “gënjeshtër ideologjike”. Në një prononcim për gazetën “Telegraf” znj. Manjola Vraja, inspektore në Sektorin  e Ushqimit, pranë AKU-së shprehet se “AKU e ka mësuar lajmin e skandalit të vajit të ullirit vetëm nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar të ardhur nga Italia”. Ndërsa sqaron se në kontrollet e shpeshta të ushtruara në treg nga AKU kur është  konstatuar se mostrat e analizuara të vajit të ullirit nuk kanë rezultuar brenda normave të lejuara, janë marrë masa sipas legjislacionit në fuqi. Ndërsa kreu i Zyrës së Konsumatorit, z.Altin Goxhaj ngre shqetësimin se “duke u nisur nga praktikat e kontrollit doganor, nëse nuk do të bllokohej nga Guardia di Finanza ky vaj do të pushtonte tregun dhe me mijëra konsumatorë shqiptarë do të paguanin shumë (pasi çmimi është shumë i lartë i këtij lloji vaji) dhe do të merrnin një produkt aspak me vlerë”. Për këtë arsye, shprehet Goxhaj, ZMK i paraqet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit një kërkesë për kontrollin urgjent të të gjithë sasisë së vajit të ullirit dhe vajrave të tjerë ushqimor në tregun shqiptar, prodhim lokal dhe importi. Ndërsa z. Gjergj Buxhuku, administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë tregon për “Telegraf” mënyrën sesi apo pse kontrabandohen produkte të tilla në Shqipëri. Buxhuku shprehet se kontrabandimet tek ne ndodhin me dije të autoriteteve përkatëse apo për arsye teknike. Ndërsa i bën thirrje shtetit shqiptar të ndërhyjë urgjentisht e të marrë masat sa nuk është vonë për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve të vet.

     Altin Goxhaj: AKU të kontrollojë urgjent tregun ushqimor

     Vaji i ullirit i bllokuar nga Guardia di Finanza është i papranueshëm për tregun, por fatmirësisht jo i rrezikshëm. Ky është një mashtrim i pastër i destinuar për vende si Shqipëria, bazuar te mungesa e standardeve të sigurisë në kontrollet doganore. Nga të dhënat e deritanishme vaji është i një cilësie shumë të ulët, që do të thotë shumë poshtë standardeve të BE-së për vajin e ullirit “vergine”. Gjithsesi, ne po presim të dhënat e institucioneve italiane që do të përcaktojnë edhe shkallën e cilësisë dhe rrezikshmërinë e mundshme që ai mund të paraqesë. Duke u nisur nga praktikat e kontrollit doganor, nëse nuk do të bllokohej nga Guardia di Finanza ky vaj do të pushtonte tregun dhe me mijëra konsumatorë shqiptarë do të paguanin shumë (pasi çmimi është shumë i lartë i këtij lloji vaji) dhe do të merrnin një produkt aspak me vlerë. Shqetësimi që ngre ZMK është mbi sasinë që ndodhet në tregun shqiptar. Nëse edhe vaji i ullirit italian është një mashtrim komercial, mendo se çfarë mund te ketë në tregun shqiptar. Për këtë arsye, ZMK i paraqet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit një kërkesë për kontrollin urgjent të të gjithë sasisë së vajit të ullirit dhe vajrave të tjerë ushqimor në tregun shqiptar, prodhim lokal dhe importi. Konsumatori shqiptar sot ndihet i pasigurt dhe ka nevojë për garanci dhe këtë duhet t’ia garantojnë institucionet shqiptare të sigurisë ushqimore dhe mbikëqyrjes së tregut.

      Gjergj Buxhuku: Kontrabandimi për arsye fiskale

     Fillimi dhe mbarimi i historisë së kontrabandimit është te institucionet shtetërore të fushës. Përgjithësisht ne kemi kontrabandim për arsye fiskale. Më i rëndë është kontrabandimi i produkteve që godasin shëndetin e njeriut, por dhe ambientin përreth, kjo lidhur edhe me importin e materialeve të ndryshme si për shembull të hekurit me radioaktivitet që vjen nga Ukrahina. Kontrabandime të materialeve të ricikluara, apo të skaduara, pra me kosto të ulët, prishin tregun dhe godasin prodhimin vendas duke e konkurruar me pa të drejtë prodhimin vendas, pasi dhe çmimi i tregtimit të këtyre produkteve do të jetë më i ulët. Një pjesë e hyrjes së këtyre produkteve ndodh me dije të autoriteteve përkatëse, ose për shkak të vështirësive teknike që kanë doganat shqiptare ku mungojnë laboratorët, për ekzaminimin e produkteve që hyjnë, pra shteti duhet të ndërhyjë. Duhet urgjentisht përgjigja nga shteti!

    Manjola Vraja: AKU pret lajme zyrtare nga Italia për të ndërhyrë në treg

     A keni dijeni ju si institucion për skandalin e bllokimit në Itali të 25 mijë litrave vaj ulliri pa cilësi të destinuar për tregun shqiptar dhe cili është reagimi juaj?

     AKU e ka mësuar lajmin e skandalit të vajit të ullirit vetëm nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar të ardhur nga Italia. Nëse do të mësohet se për çfarë firme apo kompanie ishte destinuar ngarkesa e bllokuar, apo dhe emri, marka e vajit, AKU do të ndërmarrë një inspektim të menjëhershëm për analizimin e sasisë që ndodhet në treg dhe në rast se nuk plotëson standardet, sasia do të bllokohet, si dhe do të merren masa ndaj kompanisë importuese.

     Cilat janë masat që merr institucioni juaj në raste të tilla?

     AKU kryen kontrolle të vazhdueshme në të gjithë Operatoret e biznesit ushqimore (obu), të cilët, prodhojnë, përpunojnë, tregtojnë dhe importojnë produktin ushqimor vaj ulliri mbi plotësimin e  kërkesave tekniko-teknologjike, higjieno-sanitare, si dhe  verifikimin e dokumentacionit të nevojshëm, ku rol të rëndësishëm luajnë kushtet e ruajtjes dhe etiketimi. Ligji parashikon që karakteristikat e cilësisë dhe kriteret e natyrshmërisë së vajit të ullirit dhe vajit të bërsive të ullirit, përcaktohen mbi bazën e analizave që bëhen në laboratorë. Në raste kur analizat e kryera rezultojnë jashtë normave të lejuara, produkti ushqimor bllokohet dhe ndaj subjektit merret masa administrative sipas legjislacionit në fuqi. Në rastet e falsifikimeve ligji dënon praktikat falsifikuese dhe mashtruese ndaj konsumatorit.

     A keni gjetur ju nga kontrollet e bëra, vaj jashtë normave në tregun shqiptar dhe cilat kanë qenë masat tuaja?

     Në disa raste të konstatuara, ku mostrat e analizuara të vajit të ullirit nuk kanë rezultuar brenda normave të lejuara, janë marrë masa sipas legjislacionit në fuqi.