Blenard Nonaj: Eko falas për gratë shtatzëna dhe gratë e komunitetit rom

    418
    Sigal

    Intervistë/ Flet z. Blenard Nonaj, drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”

    Që me daljen e urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për shërbimet falas ndaj grave shtatzëna, filloi zbatimi i tij edhe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Këtë gjë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf”, z. Blenard Nonaj, drejtori i maternitetit. “Kjo është pjesë e programit qeverisës dhe ka filluar zbatimi që me daljen e këtij urdhri. Në kuadër të kësaj, për të gjitha gratë shtatzëna që vijnë në maternitetin tonë ekografitë bëhen falas. Gratë shtatzëna paraqiten këtu me një rekomandim nga mjeku i lagjes dhe një librezë shëndetësore, të cilat dhe këto bëhen falas për të gjithë kohën (9 muaj) e shtatzanisë, duke përfituar kështu  ekografinë falas. Edhe për komunitetin rom të gjitha ekografitë, por edhe vizitat bëhen falas, në bazë të marrëveshjes së Ministrisë së Shëndetësisë me Komunitetin Europian” shprehet z. Nonaj. Ndërkohë, me ardhjen e tij në krye të këtij institucioni të rëndësishëm shëndetësor, Nonaj kishte “përveshur” mëngët në kryerjen sa më mirë të detyrës që i është besuar. Shtimi i numrit të shtretërve spitalore, sjellja e disa prej veglave kirurgjikale të domosdoshme për ndërhyrjet operatore, bashkëpunimi me kolegët për trajtimin me seriozitetin e duhur të pacienteve, por edhe mbjellja e luleve për një ambient më të bukur, premton për një të ardhme edhe më të mirë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.

    Përshëndetje doktor dhe urime për detyrën tuaj të re.

    Faleminderit dhe përshëndetje.

    Së pari, doja t’ju pyesja se cila ishte situata në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” , kur erdhët në pozicionin e drejtuesit?

    Aktualisht materniteti “Mbretëresha Geraldinë” gjendet në një situatë mesatarisht të mirë, pra nuk është as shumë e mirë dhe as shumë e keqe. Në përgjithësi, problematika qëndron te aparaturat, në funksion të grave, të cilat kanë shumë vite në përdorim dhe janë drejt konsumimit të tyre. Aktualisht, të dyja ekografitë që ndodhen në Qendrën e Gruas janë në një gjendje jo shumë të mirë pune. Përveç kësaj, kemi dhe veglat kirurgjikale, të cilat edhe ato janë drejt konsumimit, për shkak të viteve të shumta të përdorimit të tyre, pra janë në një nivel jo shumë të mirë për ndërhyrjet operatore. Pastaj, për mënyrën e organizimit, për dhomat, për personelin jemi në një nivel të kënaqshëm dhe shumë të mirë. Unë jam shumë i kënaqur nga personeli mjekësor, apo dhe sanitar.

    Aktualisht, çfarë po bëni për t’i eliminuar këto problematika?

    Në radhë të parë, unë bëra një inventar për të parë se në çfarë niveli është aktualisht materniteti ynë, për të ditur se ku jemi me Qendrën e Gruas, ku jemi me sallën e operacionit, ku jemi në obsetrikë, në gjinekologji, apo në repartet e tjera të maternitetit tonë si; në repartin e patologjisë së barrës, ashtu dhe në repartin e neonatologjisë që është i rëndësishëm, pasi kemi shumë lindje premature. Kjo ishte për të parë ku jemi aktualisht dhe ne do të marrim masat tona. Për shembull në repartin e Neonatologjisë kemi shumë pak inkubatorë, ndërkohë që në maternitetin tonë janë rreth 25-30 lindje në 24 orë dhe një pjesë e mirë e tyre vijnë nga rrethet, sidomos për prematuritetin, sepse ndodh që një prematur mund të rrijë dhe një muaj në inkubator, apo në repartin tonë të Neonatologjisë. Numri i shtretërve ishte 83, ne shtuam dhe 4 shtretër të tjerë, meqë kemi shumë lindje dhe grave që drejtohen në maternitetin tonë nuk duhet t’u mungojë shërbimi spitalor. Përveç kësaj, në bashkëpunim me një shoqatë të mjekëve kërkuam disa vegla për ndërhyrje kirurgjikale, besoj është një pjesë e vogël e mungesave që ne kemi, por i gjetëm për të qenë dhe ato prezent për ndërhyrjet tona. Ndërkohë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë po bëjmë përpjekje për të gjetur ndonjë aparat anestezie, disa monitorë për pjesën e punës së reanimatorëve, por edhe për të shtuar numrin e inkubatorëve. Besoj, që edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të bëjmë hapa përpara.

    Në plane më afatgjata?

    Unë, problemin kryesor e shoh në planin e aparaturave dhe të një pjese të mirë të veglave  kirurgjikale, pasi si veglat dhe aparaturat janë drejt konsumimit të tyre të plotë. Këto janë pikë së pari problematika që më shqetëson mua, pastaj kryesore për mua, është shërbimi ndaj pacientit. Unë besoj se pacientët e marrin shërbimin maksimal si nga ana e personelit të lartë dhe të mesëm. Pacienti, për çdo problematikë, i drejtohet direkt shefave të shërbimit të gjinekologjisë, të patologjisë së barrës, shefit të obstetrikës, por edhe vetë drejtorit të maternitetit. Realisht, vihet re një bashkëpunim i kënaqshëm, që çon pastaj edhe në zgjidhjen e problematikave që vërehen në maternitetin tonë.

    Të qëndrojmë pak te Qendra e Shëndetit të Gruas. Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, shërbimet te gratë shtatzëna janë falas.

    Është e vërtetë, kjo është pjesë e programit qeverisës dhe ka filluar zbatimi që më daljen e këtij urdhri. Në kuadër të kësaj, për të gjitha gratë shtatzëna që vijnë në maternitetin tonë ekografitë bëhen falas. Gratë shtatzëna paraqiten këtu me një rekomandim nga mjeku i lagjes dhe një librezë shëndetësore, të cilat dhe këto bëhen falas për të gjithë kohën (9 muaj) e shtatzanisë, duke përfituar kështu  ekografinë falas. Edhe për komunitetin rom të gjitha ekografitë, por edhe vizitat bëhen falas, në bazë të marrëveshjes së Ministrisë së Shëndetësisë me Komunitetin Europian.

    A keni mungesa në ilaçe, apo në mjetet ndihmëse, siç janë shiringat, pambuku, fasho, dorezat etj?

    Ne nuk kemi asnjë mungesë, si përsa i përket medikamenteve, ashtu edhe mjeteve ndihmëse si; shiringa, garza, pambuk, apo doreza, që për ne janë shumë të rëndësishme për profesionin tonë. Është në një nivel shumë të mirë dhe shumë të kënaqshëm.

    Ndërkohë që erdha këtu, pashë që në ambientin jashtë, kopshti po sistemohej dhe po mbilleshin lule. Sa i rëndësishëm është për ju edhe ambienti i jashtëm?

    Po ta shikoni ambientin, ne e kemi gjetur në gjendje të mirë, është një vazhdimësi në këtë punë. Kemi pemë rreth e përqark, por kemi dhe lule, që edhe pacientet kur vijnë këtu të rilindin, sepse këtu lind jetë e re. Normalisht, duke parë një ambient të kulturuar, të gjelbëruar, me stola rreth e përqark, me lule është e rëndësishme për mua, sepse për nënën është shumë qetësues ambienti i bukur dhe i pastër, duke patur parasysh ankthin e saj në pritje të fëmijës së shumëdëshiruar.

    Ju para se të jeni drejtues, jeni mjek. Në profesionin tuaj, a ka pasur ndonjë rast specifik që edhe sot kur e mendoni, ju merret fryma?

    Unë vij në këtë detyrë nga një karrierë 14 vjeçare si mjek dhe, normalisht, e di se çfarë do të thotë të jesh mjek dhe çfarë do të thotë të jesh drejtues. Në karrierën time kam hasur bashkë me kolegët e mi raste shumë të vështira dhe së bashku kemi menaxhuar raste, që na kanë mbetur në mendje. Kemi patur raste kur pacientja ka qenë drejt shuarjes, por për fat të mirë pacientet dhe sot e kësaj dite gëzojnë shëndet të mirë. Ndjehesh mirë kur shpëton një jetë e sidomos, kur sjell dhe një jetë të re në këtë botë. Unë, aktualisht, sot kam bërë dy operacione dhe ndihem i lumtur, sepse si nënat, ashtu edhe fëmijët e tyre janë në shëndet të plotë.

    Pacientët dhe të afërmit: Më në fund, një spital, ku nuk mungon asgjë

    Po t’u drejtohesh pacientëve apo familjarëve të tyre, të thonë se: “Më në fund jemi në një spital në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shërbimi nga infermieret është 24 orë në 24. Çdo gjë, si shërbimi, ashtu dhe medikamentet gjenden këtu, brenda spitalit. Nuk na duhet të vrapojmë në farmaci për këtë, apo atë ilaç, siç veprohet në spitalet e tjera”. Drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Blenard Nonaj thotë për “Telegraf” se “Me vendim të përbashkët të gjithë stafit tonë mjekësor, është vendosur që familjarët të mos lejohen për t’i bërë shërbim të sëmurës, pasi infermieret janë në dispozicion të tyre. Çdo krevat ka një zile, ku çdo paciente njofton dhe në çast, infermieria është aty në dispozicion të saj”. Nonaj tregon se të gjithë së bashku si staf, bëjnë një administrim të mirë të shërbimit të pacientëve me ilaçet e duhura. “Nuk abuzohet me ilaçet, ilaçet vejnë aty ku duhet të vejnë, te pacienti. Nuk vejnë as te xhepat e doktorëve, as në xhepat e drejtorit, as në xhepat e infermiereve dhe as të sanitareve”, shprehet drejtori i maternitetit Nonaj.