Blair në Tiranë: Të rritet numri i grave në pozicione drejtuese

    399
    Sigal


    TIRANE
     – Ditën e djeshme u mbajt një takim me temë “Rritja e rolit drejtues të grave në jetën politike, publike, në media e biznes – Fuqizim i gjithë shoqërisë” ku e ftuar nderi në këtë bashkëbisedim ishte edhe Cherie Blair, gruaja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair.

    Takimin e hapi Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, e cila pasi përshëndeti të ftuarat dhe Blair, tha se gratë veçanërisht në fushën e biznesit, mediat dhe politikës janë përballur gjatë karrierës së tyre me mjaft sakrifica.

    “Shumë zonja të nderuara e dinë mirë se sfidat me të cilat janë përballur në jetën e tyre, ajo çka kanë arritur ka qenë gjithmonë një pjesë e sakrificave, e punës së palodhur, e përkushtimit, qofshin këto fusha të cilat ndonjëherë perceptohen relativisht më të lehta se politika, por në fakt nuk janë. Këtu do përmendja patjetër fushën e medias, fushën e biznesit. Kam kënaqësi të them se ndihem e privilegjuar që jam pjesë e një kabineti qeveritar që ka 7 zonja ministre nga 19 ministra dhe 8 zëvendësministre. Mbi 60% e administratës publike përbëhet nga zonja, të cilat kanë pozicione drejtuese, në të gjitha nivelet institucionale dhe vendimmarrëse.” tha Ministrja Gjermeni

    Ndër të tjera, ministrja Gjermeni theksoi se vendimmarrja nuk është vetëm ajo në Parlament, por vendimmarrja fillon në familje, në komunitet, në njësitë e qeverisjes vendore, në të gjitha nivelet.

    “Për këtë të gjitha shoqëritë kanë shumë për të bërë. Gratë në përgjithësi trajnohen dhe mbështeten që të hyjnë në politikë dhe të angazhohen në fushatë, pastaj në momentin që futen në Parlament apo bëhen pjesë e qeverisë, mbështetja reduktohet”, tha Gjermeni.

    Sakaq, nga ana e saj Cherie Blair vuri në dukje se legjislacioni dhe kultura e një shoqërie shkojnë së bashku në promovimin e barazisë gjinore.

    “Ne akoma kemi shumë rrugë për të bërë, veçanërisht në rritjen e numrit të grave në pozicione drejtuese. Edhe kur gratë janë më të mirat në punën që bëjnë, nuk u jepet gjithnjë mundësia për të promovuar aftësitë e tyre. Diversiteti është çelësi i zhvillimit, ndaj ne duhet të jemi mendjehapur për të pranuar njëri-tjetrin ashtu si jemi. Rolet tradicionale të grave dhe burrave janë të ngulitura në shoqërinë tone, ndaj është e nevojshme që gjithmonë e më shumë burra të flasin për familjen”, u shpreh Blair.