Biznesmeni shqiptaro-amerikan Petrit Xhelollari: Të investosh në Shqipëri është e vështirë, biznesmenët nëpërkëmben, vendimet e

    426
    Sigal

    Sotiraq Filo dhe Niko Peleshi atë që thonë sot e mohojnë nesër

    Agjencia e Legalizimeve po më mban peng lejen e legalizimit.

     KORÇË – Të investosh në Shqipëri është mjaft e vështirë. Kështu mendon biznesmeni shqiptaro-amerikan Petrit Xhelollari. Të njëjtin mendim me të kanë edhe biznesmenët e tjerë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së paku kështu mendojnë miqtë dhe të njohurit e Xhelollarit, me të cilët i duhet të takohet shpesh, pasi jetojnë në të njëjtin vend. Përvojat e tyre kanë qenë të hidhura dhe tejet dëshpëruese. Vetë Xhelollari e ka një përvojë të tillë, ku me ardhjen në Shqipëri, konkretisht në qytetin e Korçës, nuk i shpëtoi dot as arrestimit të paligjshëm. Arrestimi i tij u bë i mundur falë një kallëzimi të bërë nga ana e kryebashkiakut, Sotiraq Filo, e cila  nuk u provua si e vërtetë. Më në fund Prokuroria e rrethit Gjyqësor Korçë, e pushoi çështjen dhe tashmë Filo rrezikon të paditet për dëshmi të rremë, por dëmi moral ndaj Xhelollarit ka qenë mjaft i madh. Xhelollari mendon se tashmë emri i mirë i tij është njollosur dhe do t’i duhet kohë për të rikuperuar dëmin e shkaktuar. Këtë përvojë të hidhur të tij, në lidhje me Bashkinë e Korçës, ai dëshiron ta përcjellë edhe për lexuesin e gazetës “Telegraf”. Ajo çfarë ndodh në Korçë, thotë ai, është e pabesueshme, si kryebashkiaku Sotiraq Filo, si zëvendëskryeministri Niko Peleshi, atë që thonë sot e mohojnë nesër, që do të thotë se në këtë qytet nuk mund të zgjidhësh dot asnjë çështje.

    Ju thoni se keni pasur një përvojë të hidhur me Bashkinë e Korçës dhe institucionet e tjera shtetërore, a mund të na thoni që nga cili moment e keni identifikuar këtë gjë?

    Mund të them se gjithçka mori një drejtim tjetër me ardhjen në pushtet të socialistëve, dhe me sa shoh e njëjta praktikë do të ndiqet edhe në vijim. Biznesmenët do të nëpërkëmben, ndërsa vendimet e drejtësisë do të shpërfillen, për rrjedhojë investitorët shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës nuk do të guxojnë të investojnë. Gjithçka që po ndodh sot është dekurajuese. Dhe kur mendon se një kryebashkiak mund të bëjë edhe një kallëzim të pavërtetë në Prokurori, atëherë kuptohet se me çfarë pasojash mund të përballen emigrantët tanë, që pas akumulimit të të ardhurave t’i investojnë në Shqipëri. Gjithë mundi i jetës në emigrim mund të humbasë brenda një sekonde, aq sa mund të zgjasë një shpërthim tritoli. Në një klimë të tillë nuk besoj se ka dëshirë të vijë kush në Shqipëri e të investojë dhe aq më pak në qytetin e Korçës, ku po ndodhin gjëra të çuditshme. Unë për vete ndihem i frikësuar, pres çdo ditë të kthehem në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

    Nëse ju keni investuar në qytetin e Korçës, a keni respektuar ligjet dhe rregullat e këtij shteti? Më konkretisht, a keni qenë të pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia e qytetit?

    Sigurisht, që familja ime ka investuar në qytetin e Korçës. Ngritja e një ndërtese 5- katëshe kishte për qëllim strehimin e familjes, ndërsa pjesa tjetër, kryesisht katet e para do të viheshin në shërbim të biznesit, dhe kështu ka ndodhur. Pra mund të them se ky ishte një investim mjaft i rëndësishëm. Vlera e objektit, duke iu referuar tregut të sotshëm, shkon në 1 milionë e 300 mijë euro. Pra, në këtë investim është gjithë mundi i familjes dhe i qëndrimit për një kohë të gjatë në emigracion. Gjithë investimi u krye mbi pronën e familjes. Madje 10 metra katrorë na u dhanë nga Bashkia e Korçës, të cilat sigurisht që i blemë me çmimin e tregut. Më këtë dua të them se ne ishim të pajisur me leje ndërtimi dhe fillimisht me bashkinë kemi pasur një bashkëpunim korrekt. Kjo e fundit merrte çdo vit taksat për ambientet që kishim lëshuar me qira. Ndërtimi është kryer që nga viti 1999. Megjithatë me kalimin e kohës do të nisnin edhe problemet. Kohët e fundit u agravuan edhe më tepër dhe me sa shihet të tilla do të jenë edhe në vijim. Sigurisht familja ime është e vendosur t’u drejtohet organeve gjyqësore dhe do të kërkojë drejtësi. Përpara kësaj të drejte nuk ka për t’u ndaluar në asnjë rast.

    Cilat janë arsyet që marrëdhëniet tuaja me Bashkinë e qytetit dhe konkretisht me drejtuesit e saj erdhën duke u acaruar?

    Siç e thashë edhe më sipër, ndërtesa është pesëkatëshe, por bodrumin dhe katin e pestë na i konsideruan si ndërtim pa leje, nën pretendimin se në këtë zonë ndërtimet nuk do të jenë më të larta se katër kate. Për këtë arsye, në vitin 2005-2006, aplikuam pranë Agjencisë së Legalizimeve ashtu si shumë shqiptarë të tjerë. Procesi i legalizimit për ndërtimin e kryer nga ana jonë përfundoi në vitin 2012. Paguam të gjitha detyrimet financiare që rridhnin nga ky proces, rreth 400.000 lekë dhe pas kësaj gjithçka ishte në rregull sipas të gjitha ligjeve të shtetit shqiptar. Pra, më në fund, ishim tërësisht të ligjshëm. Por çfarë ndodhi në të vërtetë. Asnjëherë nuk u pajisëm me lejen e legalizimit. Zyra përgjegjëse nuk pajis me këtë dokument pasi pengohet nga bashkia e Korçës, nga kryebashkiaku Sotiraq Filo dhe nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

    Pse u refuzohet pajisja me lejen e legalizimit?

    Ne nuk e morëm dot lejen e legalizimit në vitin 2012, sepse ndodheshim në Shtetet Bashkuara të Amerikës. Gjithsesi, vendosëm ta merrnim kur të vinim në Shqipëri, në një kohë më të favorshme edhe për ne, pasi nuk e kishim menduar kurrë që leja e miratuar dhe e firmosur do të na mbahej peng dhe nuk do të na jepej më. Ajo leje edhe sot figuron e miratuar, por ne ende nuk e kemi në dorë. Vijon refuzimi për të mos na pajisur me këtë leje, gjë që duket qartë që është një shkelje e hapur e ligjit. Kur erdhëm në Shqipëri, çuditërisht, u paditëm nga dikush që pretendonte se ballkonet e ndërtesës sonë nuk duhej të ishin vendosur nga ana e shtëpisë së tij. Shkuam në gjyq. Më 13 prill, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë e pushoi çështjen, pasi paditësi ynë nuk kishte pasur certifikatë pronësie. Mungesa e certifikatës së pronësisë nga ana e tyre na la edhe më të befasuar. Megjithatë, që nga ky moment ne ishim në të drejtën tonë për t’u pajisur me lejen e legalizimit, pasi edhe gjykata e kishte pushuar çështjen, por përsëri refuzuan të na pajisnin me leje. Tashmë çështja është në Apel, sigurisht nuk ekziston asnjë mundësi që të fitojë paditësi, pasi përsëri ai është paraqitur në gjykatë pa certifikatën e pronësisë, por familje ime (si gjithnjë), sërish nuk do të pajiset më lejen e shumëkërkuar, pasi siç e thashë edhe më sipër nuk dëshirojnë drejtuesit e bashkisë Korçë

    Cilat janë arsyet që ndodh kështu?

    Siç është bërë e ditur edhe ne media, përgjatë rrugës “Gjon Buzuku”, do të prishen 28 shtëpi për shkak të një projekti nga ana e Bashkisë Korçës, ku kjo e fundit do të ndërtojë një rrugë më të gjerë nga sa është sot e kësaj dite. Një nga ndërtimet që do të prishet është dhe godina e ndërtuar nga familja ime. Siç e theksova edhe më sipër, vlera e saj shkon në 1 milionë e 300 mijë euro, por bashkia e Korçës po bën të gjitha përpjekjet për të më dëmshpërblyer sa më pak që të jetë e mundur.

    Ku e bazoni këtë që sapo pohuat dhe pse bashkia dëshiron t’u dëmshpërblejë sa më pak?

    Tashmë e vërteta është në dritë të diellit. Fillimisht më thanë se dëmshpërblimi që do të më jepej ishte 17 milionë lekë, gjë që më la tejet të befasuar. Nuk mund ta besoja dot. Vlera e investimit të kryer nga ana e familjes time shkon në 1 milionë e 300 mijë euro. Ajo që po na ofronte bashkia nuk ishte as “një kockë”, siç thuhet në zhargonin e përditshëm. Të njëjtin fat do të kishin edhe 27 familjet e tjera, gjë që na detyroi të dilnim në protesta, por kur unë u vura në krye të tyre për të mos lejuar prishjen e 28 shtëpive në një nga lagjet më të vjetra të Korçës, mllefi i kryebashkiakut të sotëm, Sotiraq Filo, u bë edhe më i madh. Madje gjatë ditëve që protestohej më erdhi lajmi se dëmshpërblimi im kishte zbritur në 14 milionë. Dhe Sotiraq Filo nuk u mjaftua vetëm me kaq. Ai më paditi në Prokurori për kanosje duke sajuar një akuzë e cila nuk u vërtetua dhe Prokuroria e pushoi si çështje. Pra, gjithçka duket qartë se çfarë është duke ndodhur konkretisht.

    A mund të na thoni nëse keni bërë edhe përpjekje të tjera për ta zgjidhur këtë çështje?

    Këtu në Shqipëri dhe veçanërisht në Korçë çështje të caktuara janë shumë të vështira për t’u zgjidhur. Mund të them se ndërkohë jam takuar edhe me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, për të kuptuar më mirë se çfarë do të ndodhte më konkretisht me investimin e kryer nga ana e familjes time. Dhe përgjigja e tij ishte kjo: “Unë do ta prish shtëpinë tënde, por ju merrni një studio të specializuar të llogaritë vlerën e objektit dhe unë do t’ju dëmshpërblej”. Sigurisht, bëra ashtu siç më tha Peleshi. Pajtova një nga studiot më të mira të Tiranës, ku kjo e fundit, pas një studimi të mirëfilltë doli në përfundimin se një pjesë e shtëpive, përfshi edhe ndërtesën e familjes time, mund të mos prisheshin, por as mendimi i studios nuk u mor parasysh dhe as dëmshpërblimi nuk u rrit, ai mbeti në shkallën më minimale të mundshme, një shpërblim fyes dhe qesharak. Dhe kjo është arsyeja që nuk më pajisnin me lejen e legalizimit, sepse atëherë dëmshpërblimi do të ishte edhe më i lartë. Niko Peleshi dhe Sotiraq Filo dëshirojnë të më shohin të falimentuar. Ndaj atë që thonë sot e mohojnë nesër. Kjo është e vërteta e investitorëve në Korçë. Bëhet gjithçka për t’i shkelur me këmbë dhe gjithçka që ata të mos ngrijnë kokën. Për t’ia arritur kësaj, nuk përfillin as vendimet e organeve të drejtësisë. Historia ime është një dëshmi e qartë e asaj se çfarë ndodh në qytetin tim, ku gjithçka mund ta humbas brenda një fragmenti kohor, aq sa mund të zgjatë një shpërthim tritoli. Kam frike se historia ime do të trembë edhe mbesat e mia të vogla ne Amerikë.

     Nga Vepror Hasani