Biznesi i vogël, si do të veprojë me skemën e TVSH-së

    1286
    Tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi dy milionë lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 Prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar). Sipas Drejtorisë së Tatimeve, çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda datës 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH. “Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda datës 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40 mijë lekë ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë. Paraprakisht, këta tatimpagues duhet të përpilojnë (inventarizojnë) listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë”, theksohet në njoftim. Ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda datës 31 mars 2018. Ndërkohë, çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë, jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH. “Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e parë kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim. Administrata Tatimore është në shërbimin tuaj në sportelet e saj të shërbimit, si dhe me Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 00 02. Një program gjithëpërfshirës seminaresh trajnimi me grupe tatimpaguesish, është programuar përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018”, theksuan tatimet.
    Sigal