Bisedë me Slavoj Žižek

    412
    Sigal

    Intervista e filozofit të mirënjohur slloven, i cili po i jep një kontribut të madh në diskursin e çështjeve filozofike

     -Cili është roli i akademikëve, si p.sh. në një institucion si Harvard-i, në krizën globale aktuale?

    SLAVOJ ŽIŽEK: Ajo çka është më e rëndësishme dhe po ashtu një prej rreziqeve që shoh ndër do rrethe akademikësh radikalë – veçanërisht sot kur po ndodh një lloj rilindjeje e disa formave të protestës – është mungesa e besimit te teoria; p.sh. fjali të tipit: “Kujt i hyjnë në punë librat e trashë mbi Hegelin dhe logjikën?! O Zot, duhet të veprojmë!” Unë mendoj të kundërtën. Sot më shumë se kurrë është vendimtare të theksohet se, nga njëra anë: po, çdo shembull empirik e minon teorinë. Nuk ka shembuj të plotë. Veçse, nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se duhet t’i kthejmë shembujt kundër teorisë. Në të njëjtën kohë, s’ka asnjë përjashtim. Nuk ekzistojnë shembuj jashtë teorive. Çdo shembull teorie përbën një tregues të dinamikës së brendshme ndarëse të vetë teorisë. Pikërisht këtu nis dialektika, etj…

    Mos bini në kurthin e të ndjerit fajtor, veçanërisht nëse keni fatin të studioni në një vend të pasur si ky. Thuhen gjepura të tilla si: “Fëmijët somalezë po vdesin urie…” Jo! Fëmijët somalezë nuk po vdesin urie për shkak se ju po ja kaloni mirë këtu. Të tjerë janë shumë herë më fajtorë. Në vend që të ndiheni kështu, përdoreni këtë mundësi. Shoqërisë do t’i vyejë punë intelektuale gjithnjë e më e shumtë. Kjo puna e intelektualëve që janë të privilegjuar përbën manipulimin tipik mikroborgjez që synon t’ju bëjë të ndiheni fajtorë. A e dini kush ma ka treguar historinë më interesante? Marksisti britanik Terry Eagleton. Më ka thënë se para njëzet a tridhjetë vjetësh ishte i pranishëm në një leksion që figura e madhe marksiste britanike, Eric Hobsbawm, po u jepte punëtorëve në një fabrikë. Hobsbawm-i donte të ngjante popullor e jo elitar. Kështu që e nisi leksionin duke iu drejtuar punëtorëve me këto fjalë: “Mbani vesh! Nuk ndodhem këtu për t’ju mësuar. Ndodhem këtu për të këmbyer përvojat tona. Me shumë mundësi, më tepër do të mësoj unë prej jush sesa ju prej meje.” Pas kësaj, i erdhi një përgjigje që do ta mbajë mend gjithë jetën. Një punëtor i zakonshëm e ndërpreu dhe i tha: “Shko ore pirdhu! Ti je i privilegjuar pikërisht për të studiuar, për të ditur. Je këtu për të na mësuar! Po, ne duhet të mësojmë nga ti! Boll na the gjepura të tipit: ‘Të gjithë ne kemi të njëjtat njohuri!’ Ti je elita në kuptimin se je privilegjuar pikërisht për të mësuar dhe ditur shumë. Kështu që sigurisht që ne duhet të mësojmë nga ti. Boll luajte lojën e barazimtarisë së rreme!”

    Ka një farë strategjie të tillë sot dhe më duhet të flas në këtë mënyrë sepse Evropa po i afrohet kësaj pike. Mendoj se Evropa po shkon drejt një farë vetëvrasjeje intelektuale në kuptimin që arsimi i lartë po bëhet gjithnjë e më shumë brenda rryme. Sot po flitet njëlloj siç flisnin komunistët dyzet vjet të shkuara kur u duhej t’i jepnin dërrmën jetës intelektuale. Ata pretendonin se intelektualët ishin fort abstraktë në kullat e tyre të fildishta; se nuk po merreshin me problemet reale; na duhet arsimimi për të ndihmuar njerëzit – problemet reale të shoqërisë. Në mënyrë të ngjashme, kur pata një debat në Francë, një politikan i rëndësishëm ma bëri të qartë se si e mendonte punën…Asokohe në Francë po ndodhnin demonstrata ku në Paris po u vihej flaka makinave. Ai tha: “Dëgjo! Po digjen makina në periferitë e Parisit. Nuk na nevojiten teoritë e tua abstrakte marksiste. Na duhen psikologë për të na thënë si kontrollohen turmat. Na duhen planifikues urbanë për të na thënë si rregullohen periferitë për t’i bërë më të vështira organizimet e demonstratave.” Veçse kjo është punë ekspertësh, dhe çështja është se të qenët intelektual sot nënkupton me qenë më shumë se ekspert. Ç’po bëjnë ekspertët? Po zgjidhin probleme të formuluara nga të tjerë. E dini çfarë? Nëse ju afrohet ndonjë politikan ka për të thënë: Dreq o punë! Po digjen makina! Më dëftoni mekanizmin psikologjik për ta zotëruar situatën! Intelektuali shtron një pyetje krejt të ndryshme: “Cilat janë rrënjët? A është fajtor sistemi?” Intelektuali, para se të japë përgjigje ndaj pyetjes, ndryshon pyetjen. Ai ja nis kështu: “A është kjo mënyra e duhur për ta shtruar pyetjen?”

    -Pse mendoni se e Djathta dhe e Majta amerikane s’kanë mundur t’u japin përgjigje problemeve të pabarazisë dhe krizave që vetë i kanë parashikuar?

    : Është marrëzi, por jam i bindur për ç’po them: Shikoni dy seritë e fundit të filmit “24”. Shikoni me kujdes pasi diçka shumë interesante ndodh. Nuk është thjesht sipërfaqësore apo korrekte politikisht. Në serinë e shtatë, Jack Bauer-i heton disa sulme myslimane dhe zbulon se myslimanët nuk kanë të bëjnë fare me to: përgjegjëse për ato sulme është një kompani e madhe sigurie amerikane. Diçka edhe më tragjike ndodh në serinë e fundit, çka më pëlqen shumë: Në fund, Jack Bauer-i e thyen këtë logjikë autoritare: Dikush duhet t’i bëjë punët e pista, torturat etj. Ai thotë: “Mbase duhet të them gjithçka publikisht. Nuk mund të jetoj me këtë peshë mbi supe.” Kësisoj, thyhet logjika sipas të cilës “Heronjtë e vërtetë janë ata që janë të gatshëm të bëjnë punët e pista – të torturojnë për hir të atdheut.” Kontrapunkti i tij liberal, presidenti Allison Taylor, thyhet gjithashtu dhe detyrohet të japë dorëheqjen. Kështu që në fund gjendemi përballë pohimit të ndershëm të një rruge qorre dhe mesazhi është ky: brenda koordinatave sistemore globale të tashme, çfarëdo që të bëni, do të përfundoni në rrugë qorre. Liberalët janë përparimtarë budallenj. Ajo çfarë mund të mësojmë prej konservatorëve të ndershëm është se duhet të jemi të gatshëm të pranojmë rrugën qorre.

    Për shembull, Marksi thoshte për Balzakun: pikërisht si konservator, Balzaku përshkruante rrugën qorre të shoqërisë franceze. E njëjta gjë ndodh me (shkencëtarin politik amerikan) Francis Fukuyama. Ai nuk u beson më gjepurave të “fundit të historisë”. Më ka thënë se thjesht fakti i mundësisë së manipulimeve biogjenetike e bën të vjetruar tezën e tij mbi “fundin e historisë”. Ai mendon se për ta përballuar këtë problem na duhen forma më të fuqishme kontrolli shoqëror, të cilat kapitalizmi demokratiko-liberal nuk mund t’i sigurojë. Kjo është ajo çka më pëlqen dhe ç’mund të mësojmë nga konservatorët e ndershëm: ata nuk të thonë gjepura. Mbase kjo është detyra jonë si intelektualë. Kështu siç po shkojnë punët, bota është e ngatërruar keqas, nga Wall Street-i në Egjipt. Megjithatë, po çelet një hapësirë. Njerëzit po ndërgjegjësohen. Ky është hapi i parë, por sidoqoftë duhet nisur së menduari për ndonjë formë ndryshimi radikal. Të gjitha këto gjërat majtiste, liberale të tipit – më shumë të drejta për gay-t, për abortet – sigurisht që janë të rëndësishme, veçse nuk janë të mjaftueshme. Për ironi, kur isha i ri, ne ëndërronim për socializmin me fytyrë njeriu; këta çunat po na ofrojnë kapitalizmin global me fytyrë njeriu. I njëjti sistem, veçse me pak më shumë…Duhet ta thyejmë këtë tabu, e cila ka qenë shumë e fortë deri më tash: as që ka guxuar kush të imagjinojë ndonjë alternativë. Si me thënë, gjithkush ka qenë fukujamaist. Edhe radikalët e pranojnë disi faktin se kapitalizmi global dhe demokracia liberale janë të pandryshueshme, e për pasojë mbetet veç të bëhet pak më shumë efiçent sistemi. Jo, duhet të nisim të mendojmë.

    Kjo është një përgjegjësi e madhe sepse sigurisht që nuk mund t’i kthehemi lavdisë së komunizmit të shekullit XX. Veçse në këtë pikë është detyra jonë ta hapim fushën dhe, në të njëjtën kohë, të përmbysim, thyejmë. Në këtë pikë duhet me qenë shumë shkatërrimtarë: shkatërrimtarë në kuptimin e thyerjes së iluzioneve të rreme.

    -Duket sikur një rrugë qorre e ngjashme po shfaqet edhe në kontekstin e krizës ekonomike, edhe në atë të ngrohjes globale – ekspertët duket se s’po i parashikojnë, e as politikanët apo shoqëria nuk po i ndalin ato.

    : Përvoja më mëson të ndjej neveri kur njerëzit thonë: “Oh, kush mund ta kishte parashikuar këtë (krizën ekonomike)? Jo. Unë njoh ca majtistë dhe empiricistë që e kanë parashikuar ekzaktësisht. Ata nuk janë prej llojit të katastrofistëve dylekësh që gjithë kohës bëjnë parashikime të këqija e kur ndodh ndonjë gjë inatosen. Jo, jo. Ata kanë qenë shumë të përpiktë dhe e kanë parashikuar këtë krizë. Paul Krugman-i ka thënë diçka shumë të vërtetë, kur e pyeti dikush: “A nuk do të ndodhte ndryshe sikur ta dinim që prej dhjetë vjetësh atë që dimë sot? Ai u përgjigj: “Jo, jo. Nuk do të kishte ndryshim. Sistemi të shtyn të veprosh në një farë mënyre.” Iluzioni është edhe më i madh. P.sh. mund ta dimë se do të ndodhë një katastrofë, e megjithatë do të bënim të njëjtën gjë. D.m.th. nuk është më çështje njohurie. Sot shumëkush, madje edhe sociologë, lodrojnë me idenë e bukur se megjithëse jetojmë në shoqëri të bazuar te dija, edhe dija shkencore po bëhet gjithnjë e më e papërcaktueshme, e padetyrueshme. Mendoj se ka qenë teoricieni gjerman Ulrich Beck ai që e ka tërhequr vëmendjen në këtë fakt të thjeshtë: sot flasim për opinione eksperte. A e kemi parasysh se sa paradoksal është ky term?! Çështja është se ne, njerëzit e zakonshëm, kemi opinione. Ata thonë të vërtetën. Tashmë të gjithë ekspertët po na japin papritmas opinione të ndryshme, ndërsa ne duhet të vendosim se kush thotë të vërtetën, megjithëse vetë ata nuk e dinë. Problemi qëndron në faktin se na duhet të zgjedhim pa pasur koordinatat e duhura konjitive të mënyrës se si dhe çfarë duhet zgjedhur…Çmimi që duhet paguar është se shkenca nuk është më shkencë homogjene, por po shndërrohet në një soj fushe pluraliste opinionesh.

    Andre Depui thotë se është problematik fakti që njerëzit thonë: “Oh, po ne nuk e dimë nëse ka vërtet ngrohje globale.” Problemi qëndron në faktin se nëse duhet pritur deri kur ta dimë me të vërtetë, për përkufizim do të jetë tepër vonë. Sepse do ta kuptojmë kur t’ia ketë mbërritur katastrofa. Mbase kjo është një nga gjërat që duhet përcaktuar si problem specifik. Në Gjermani po punohet me disa ithtarë të shoqërisë së riskut për të vendosur disa rregulla bazike vendimmarrjeje në situata që nuk janë transparente nga pikëpamja konjitive. Duhet të vendosësh sepse të pabërit asgjë përbën gjithsesi një vendim. Duhet të vendosësh, por nuk e di se si. Situata nuk është transparente.

    Biseduan: Bradley G. Bolman dhe Tara Raghuveer

    Përktheu: Arlind Qori