Biletë urbani e rritur 33%, abone 70% më të shtrenjta dhe abone e “Kartë Studenti” të mohuara

    647
    Absurditeti ndodhi natën e fundit të vitit 2015! Një nga “dhuratat” social-ekonomike me “goditje” të rëndë financiare, që kreu i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj u bëri banorëve të kryeqytetit dhe gjithë shqiptarëve që do të kenë futen në Tiranë e që do te kënë nevojë për shërbimin e transportit urban në çdo linjë transporti brenda “hartës” së bashkisë së Tiranës, është kjo: Me një hipokrizi, dredhi e djallëzi “fine”, natën e Vitit të Ri u rriti çmimin e biletës me 10 lekë për çdo biletë, ose më saktë me 33% më shumë për çdo udhëtim me linjat e shërbimit të autobusëve urbanë koncesionar, të cilat deri sot nuk dihet nëse janë 100% aktivitet privat, apo janë në ortakëri koncesionare me bashkinë, nëse nuk kompensohen, apo nëse rimbursohen edhe nga bashkia, me financime që janë të ardhura nga taksat e banorëve dhe të bizneseve të Tiranës. Ka, apo nuk ka ortakëri e rimbursim mes palëve bashki-shërbim urban privat, kjo nuk deklarohet nga kreu i bashkisë Veliaj, i cili sa herë që merr vendime, del e vetë-shpallet si “ikona e transparencës”. 
    Biletë urbani e rritur 33% dhe abonet 50-70% më shtrenjtë 
    Ajo që duket, që ka shqetësuar e që qysh prej 1 shkurtit 2016 dhe në vazhdim, do të rëndojë financiarisht qytetarët e Tiranës, ka lidhje me rritjen e çmimeve të udhëtimit në shërbimin urban. Banorët e Tiranës dhe ata që futen në Tiranë për shërbime publike e private dhe kanë nevojë për transportin urban, do të detyrohen të paguajnë biletë dhe abone më shtrenjtë, mbasi bashkia rriti çmimet edhe pse kryu i saj Erjon Veliaj, 2 ditë përpara rritjes së çmimeve të biletës e aboneve u betua kështu “Sa të jem unë kryetar bashkie në Tiranë, nuk do te ketë rritje çmimesh në transportin urban të Tiranës”. Por ja që u bë, madje edhe duke u justifikuar e duke u “bekuar” publikisht prej tij “me zë e me figurë”. Që prej 1 shkurtit 2016, në gjithë linjat e transportit publik urban të Tiranës, qytetarët që shkojnë në punë, që udhëtojnë për të kryer shërbime ditore personale e familjare, do të udhëtojnë me “Biletën Veliaj”, që kushton 10 lekë më tepër, ose me 33% rritje çmimi. Duke filluar nga 1 shkurti 2016, qytetarët që do të përdorin shërbimin urban brenda Tiranës, përveç biletës do të paguajnë me çmim më të lartë edhe gjithë llojet e aboneve mujore, të cilat janë rritur në masën nga 50-75% të çmimit të tyre aktual. Një abone e përgjithshme, nga 1200 lekë që do të jetë deri në 31 janar 2016, nga 1 shkurti 2016 do të jetë me çmim 1800 lekë, ose 50% më tepër. Një abone me shërbim udhëtimi vetëm për 1 linjë, nga 800 lekë që është aktualisht, prej 1 shkurtit 2016 do të kushtoj 1400 lekë, ose me rritje në masën 75%. 
    Aboneja e studentit, duhet të rimbursohet 100% nga shteti
    Sipas pazarit të bërë mes kreut të bashkisë së Tiranës, zotit Erjon Veliaj dhe firmave të shërbimit të transportit urban të Tiranës, rezulton se e vetmja abone që nuk do të pësoj rritje çmimi është “Aboneja e studentit” e cila mbetet do të mbetet në vlerën 600 lekë në muaj. Kujtojmë, që firmat private të shërbimit të transportit urban të Tiranës, protestuan dhe kërkuan prej krye-bashkiakut Erjon Veliaj, që nga 600 lekë, çmimi i abonesë së studentit të bëhej 1000 lekë, por kjo rritje nuk u miratua, (sipas zërave brenda “Rilindjes”) ndoshta për të mbajtur “lidhur” votat e studentëve. Në fakt, studentëve të Tiranës e të gjithë Shqipërisë, prej disa vitesh u është shkelur, u është mohuar, u është shpërfillur dhe nuk po u jepet një e drejtë tjetër e detyrueshme ligjore, që ka lidhje me transportin urban, me transportin ndër-qytetës dhe me shumë shërbime të tjera sociale-ekonomike, të cilat ligji i përcakton dhe detyron shtetin, mes tyre edhe Bashkinë e Tiranës për t’i zbatuar “një më një”, pa asnjë neglizhencë. Sipas ligjit, aboneja e studentit nuk duhet të jetë jo 600 lekë në muaj, por asnjë qindarkë. Sipas ligjit, ajo duhet të rimbursohet financiarisht 100% nga shteti, si detyrim prej ligjit të Arsimit të Lartë, ku përcaktohet pajisja me “Kartë Studenti” e çdo studenti të universiteteve shtetëror e atyre private të licencuar nga shteti shqiptar. Mirëpo, shteti lejon që ata të detyrohen të paguajnë abone 600 lekë në muaj për shërbimin e transportit urban, abone të cilat shiten në tregun e zi prej vetë firmave private të shërbimit deri në vlerën 900-1000 lekë! 
    Ligji detyron pajisjen me “Kartë Studenti”, që garanton shërbime lehtësuese
    Ligji për Arsimin e Lartë në Shqipëri edhe ky i “rilinduri” në fund të vitit të kaluar, përcakton dhe detyron shtetin të pajis studentët “Kartë Studenti”. Mirëpo edhe pse e detyron ligji, një deklarim i bërë 3 muaj më parë prej krye-bashkiakut Veliaj, bëri me dije se “Karta e Studentit”, ashti si gjatë vitit 2015, nuk do të vihet në zbatim as gjatë vitit 2016, me sa duket as gjatë vitit 2017 e sa të jetë Veliaj në krye të bashkisë së Tiranës. Pse? Sipas “argumentit”” të krye-bashkiakut Veliaj, “Karta e Studentit” në Tiranë do të aplikohet, mbasi Bashkia e Tiranës as ka fuqi ta përballoj me financat e veta rimbursimin e saj për çdo shërbim që parashikon kjo kartë sipas përcaktimeve ligjore. Mirëpo ky është detyrim ligjor! Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, konfirmohet se kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj i ka thënë “mjaft” kësaj kërkese të paraqitur prej studentëve edhe me protesta e peticione, duke e hedhur në “koshin e plehrave” edhe për vitin 2016. Gazeta “Telegraf” është interesuar përsëri këto ditë në Bashkinë e Tiranës, për të mësuar se çfarë do të behet për çështjen e pajisjes së studentëve me “karta” siç e parashikon ligji. Por nuk na u dha asnjë përgjigje konkrete. Sipas premtimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, “Karta e Studentit” do të krijonte një seri lehtësirash përfituese për studentët në tregun e mallrave të konsumit të përditshëm, në shërbimet prej enteve publikë e privatë, duke pasur si tregues reduktimin çmimeve në shërbimet sociale, jetësore e mësimore. Studentët e Tiranës e të gjithë Shqipërisë, duket qartazi që edhe këtë mësimor do të vazhdojnë të paguajnë në vlerën 100% edhe për shërbimet që ligji i parashikon falas, me rimbursim, ose me ulje çmimesh si në autobusët urbanë, qendra interneti, biblioteka, librari, transportin hekurudhor, linjat e transportit ndërqytetës të autobusëve, në zyrat e pasaportave, në shërbimin postar e shëndetësor, në çmimet e pasaportave e deri në stadiume. 
    ———————————————-
    Ligji i Arsimit të Lartë
    Pajisja dhe shërbimet me “Karta e Studenti”, detyrim qysh nga 3 janari 2008
    “Karta e Studentit” nuk është lëmoshë, por detyrim ligjor për zbatim. Pajisja e studentëve me këtë kartë është e sanksionuar me ligj. Sipas ligjit ende në fuqi, studentët kanë të drejtë të përfitojnë ulje çmimesh e shërbime falas në disa sektorë shërbimesh publike e private. Ja çfarë përcakton dhe sanksionon ligji në fuqi për Arsimin e Lartë, Nr. 9832, datë 12.11.2007, por edhe ligji i ri i bërë prej “Rilindjes”, parashikuar në nenet nr. 78 e 83, pika 1 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, në Nenin 56 të të cilit ka 4 përcaktime, për dhënien e “Kartës së Studentit”:
    1. Studentët e institucioneve publike e private të Arsimit të Lartë në Shqipëri, pajisen me “Kartën e Studentit” e cila është dokument unik. Me anë të saj, studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.
    2. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i “Kartës së Studentit”, përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse, që mbulon institucionin e arsimit të lartë shqiptar.
    3. Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore sipas kësaj karte, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë e me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme.
    4. Ky ligj nis zbatimin në 3 janar 2008.
    Sigal