Bilal Kola: Këto ditë fillon shpërndarja e dëmshpërblimit për trashëgimtarët

    435
    Sigal

    Flet z. Bilal Kola, drejtori i Institutit të Përndjekurve, për dëmshpërblimet, kuotat e Masterit dhe kalimin e Drejtorisë së Dëmshpërblimeve te ministria e Veliaj

    Janë rreth 5 milionë dollarë që pritet të shpërndahen në këstin e radhës për trashëgimtarët. Vitin e kaluar asnjë trashëgimtar nuk ka marrë dëmshpërblim sipas ligjit të ri, pasi, sipas drejtorit të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, në vlerësimet e bëra, ky kontingjent e kishte tejkaluar 30 %-n e fondit të alokuar për dëmshpërblimet e ish të përndjekurve politikë për vitin 2014. Porse shqetësimit dhe ankesave të tyre të shpeshta, z. Kola u përgjigjet në një intervistë për “Telegraf” se “shumë shpejt do të fillojë dëmshpërblimi për trashëgimtarët paralelisht me këstin e katërt të kategorisë parësore. Pra, parësorët do të marrin këstin e katërt, ndërsa trashëgimtarët do të marrin këstin e radhës”.

     Deri më tani, është arritur te kësti i 4-t për dëmshpërblimet e kategorive parësore, sipas ligjit të ri. Po për dëshpërblimin e trashëgimtarëve si po vijohet? Kam parasysh këtu disa ankesa të tyre që thonë se ka trashëgimtarë që janë mbi 70 vjeç dhe nuk kanë marrë ndonjë këst me hyrjen në fuqi të ligjit të ri. A do ketë grupe prioritare, edhe për trashëgimtarët? Po për ta si do veprohet?

     Unë dua të jem 100 % korrekt kur flas. Sipas ligjit, trashëgimtarët që futen te lista e përfituesve prioritarë janë vetëm ata trashëgimtarë që janë minorenë. Me keqardhje them se të tjerët nuk futen në këtë grup. Tani, t’i marrim me radhë gjërat. Kemi arritur deri në këstin e 4-t për të përndjekurit, (grupin parësor), për ata që janë gjallë. Në 8 vite, dëmshpërblimi shkoi maksimumi deri në këstin e dytë, ndërsa në një vit buxhetor kemi dëmshpërblyer100 % të tretin dhe kemi arritur te i katërti për të mos thënë që kemi filluar me trashëgimtarët që kanë qenë në këst 0, kemi filluar të japim të parin dhe të dytin. Kur janë bërë vlerësimet, sesa para kishin marrë trashëgimtarët nga buxheti i alokuar për 2014-n, që ka qenë 18 milionë dollarë, (një buxhet jashtë mase i madh krahasimisht me çfarë kanë qenë miratuar më parë, por jo aq i madh i mjaftueshëm në gjykimin tim, por po ta shohësh në termat krahasimorë, pa diskutim që i madh), trashëgimtarët e kishin shteruar atë 30 %-n e tyre, sipas ligjit të ri. Ndaj, në fund të 2014-s u përqendrua shpërndarja te këta që janë gjallë dhe prandaj shpërndamë për 2400 persona 100 % të këstit të tretë dhe për 470 persona kemi shpërndarë këstin e 4-t. Natyrisht, ngelen dhe gati 2000 persona për të marrë këstin e katërt për vitin 2015, që brenda 3 mujorit të parë të vitit do të shpërndahet kësti i katërt, me qëllimin që ajo që tepron (dhe tepron shumë) do të shkojë për këstin e pestë. Unë them që brenda 2015-s shumë prej të burgosurve politikë, për të mos thënë të gjithë, do të kenë marrë këstin e pestë.

     Ngelemi te trashëgimtarët…

     Unë ju siguroj që, nga shuma prej 20 milionë dollarë, këtë vit 30 % e saj do t’u jepet trashëgimtarëve dhe shumë shpejt ju do shikoni që, do vazhdojë kësti i katërt për të gjithë ata që nuk e kanë marrë për kategoritë parësore dhe do të vijojë kësti i radhës për trashëgimtarët. Pra, thuajse 5 milionë nga 20 milionëshi do u kalojë trashëgimtarëve. Të jemi realistë. Ajo çka rezulton e vërtetë është se trendi i këstit për të gjallët do të jetë shumë i shpejtë, për trashëgimtarët nuk ka për të qenë shumë i shpejtë. Dhe qeveria ka marrë këtë impenjim; që brenda këtij mandati të dëmshpërblejë të gjithë të gjallët. Kjo është faturë relativisht e lartë, por angazhimi i qeverisë ky është dhe unë them që qeveria, me këtë trend që ka nisur, i dëmshpërblen të gjallët brenda viti 2017, pa harruar që 30 % e të gjitha buxheteve që do të miratojmë, (siç e thashë këtë vit është miratuar 20 milionë, vitin tjetër shpresojmë të jetë pak më shumë) do i kalojnë trashëgimtarëve sipas ligjit, gjithmonë e theksoj këtë. Qëllimi është që, sapo të mbarojë dëmshpërblimi për të gjallët, i gjithë fondi i miratuar vjetor do të kalojë për trashëgimtarët dhe atëherë ka për të pasur një përshpejtim masiv për dëmshpërblimin e trashëgimtarëve. Kjo është një qasje solidare, nuk është qasja ideale se s’ka të tillë kur s’ka lekë me bollëk për të dhënë. Ne e gjykojmë si një qasje solidare, pasi ai që i ka vuajtur vetë në kurriz (në vetë të parë) vuajtjet e birucës e trajtimit çnjerëzor, (pasi burgjet s’kanë qenë këto që janë sot. Atëherë kanë qenë aq çnjerëzore sa imagjinata njerëzore e ka të vështirë ta imagjinojë), pra, ata njerëz që kanë kaluar ferrin dhe kanë dalë të mbijetuar nga ky ferr, (citoj këtu të burgosurin politik Sherif Merdanin që thotë: Mos më thuaj i gjallë, por më thuaj i mbijetuar), t’i marrin paratë pa shkuar në botën e përtejme. Kështu që, në këtë kontekst themi se jemi solidarë duke i dhënë prioritet atyre që janë gjallë, pa harruar absolutisht ata që janë trashëgimtarë, por me një rend dytësor.

     Atëherë, mesa kuptova, trashëgimtarët do të marrin këstin vijues pas këstit të 4-t të grupeve parësore?

     Ndoshta, shumë më shpejt, do të fillojë paralelisht me këstin e katërt. Pra, parësorët do të marrin këstin e katërt, trashëgimtarët do të marrin këstin e radhës.

     A do ketë ndonjë përparësi, përsa i përket moshës, apo…?

     Ligji te trashëgimtarët nuk është se vendos përparësi, por nga ana tjetër ne kemi një qasje të tillë që rast pas rasti i adresojmë organit që kryen dëmshpërblimin kërkesa që na vijnë për ata që janë në moshë, apo në gjendje financiare të vështirë, apo me halle nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me probleme shëndetësore; duan të bëjnë një operacion dhe gjëra të kësaj natyre. Ne i çojmë këto kërkesa për t’u trajtuar me përparësi, pasi brenda hapësirës njerëzore gjykojmë se ka mundësi për t’i trajtuar me përparësi ata që janë shumë të vjetër dhe ata me probleme shëndetësore e kështu me radhë.

     A ka përfituar kuota Masteri shtresa e ish të përndjekurve politikë për këtë vit akademik?

     Jo, ne nuk kemi marrë kuota Masteri këtë vit. Ne pritnim të merrnim kuota si për sistemin Bachelor ashtu dhe për Master në part-time, se, realisht, kjo është ajo që ne kemi marrë për çdo vit. Siç dihet, sistemi part-time është mbyllur dhe ne nuk kemi marrë dhe nuk na është dhënë asnjë e drejtë studimi, si për Masterin ashtu dhe për nivelin Bachelor. Ajo që të përndjekurit kanë përfituar në bazë të një VKM-je është zbritja e tarifës për studentët e Bachelor-it në 100 % dhe ajo e Master-it në 50 %. Këtë kemi përfituar.

     Këto përfitime i merrnin dhe më parë ish të përndjekurit. Por, unë kam dëgjuar për një urdhër nga MAS që kuota nga shtresa e ish të përndjekurve politikë mund të përfitojnë vetëm ata që kanë qenë të dënuar. Por, kjo është “non sens” mendoj, se në moshën e tyre, ata nuk mund t’i rikthehen bankave të shkollës, apo jo?

     Neve këtu kemi marrë 0 kuotë të drejtë studimi, qoftë për sistemin Bachelor, qoftë për sistemin Master.

     Thuhet se Drejtoria e Dëmshpërblimeve do kalojë nga Ministria e Financave në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR). Krijimi i kësaj drejtorie në MMSR, a nuk dublon në një farë mënyre Institutin e të Përndjekurve. Ndoshta, përqendrimi i pushteteve në ministri, mos e le në hije Institutin, shqetësim ky i perceptuar nga vetë ish të përndjekurit politikë?

     Në fakt është shqetësimi i të përndjekurve kjo gjë. Sigurisht, ka një projekt për Drejtorinë e Dëmshpërblimit te Financat, e cila, në fakt, ka qenë një kërkesë e jona që kjo drejtori të kalonte pranë MMSR, pasi fondet i alokohen nga Buxheti i Shtetit, pikërisht MMSR. Përsa i takon shqetësimit të burgosurve politikë, them që kemi mirëkuptimin e ministrit Veliaj për të gjetur një mënyrë bashkëpunimi, sesi Instituti do integrohet më mirë në çështjet e dëmshpërblimit dhe në ato kompetenca që i jep ligji. Po të shohësh ligjin për Institutin, në qëllimin e tij thuhet se Instituti ka për detyrë të marrë të gjitha iniciativat që kanë të bëjnë me integrimin e të përndjekurve, në rehabilitimin e tyre që përfshin edhe procesin e dëmshpërblimit, kështu që, në këtë kontekst, unë them që jemi në rrugë të mbarë dhe ju shumë shpejt do të shikoni një mekanizëm më funksional, ku të përndjekurit marrin shërbime më cilësore, pasi gjykoj dhe jam i bindur se shërbimi i marrë nga kjo drejtori në varësi të Ministrisë së Financave nuk ka qenë cilësor, me gjithë angazhimin e titullarëve të kësaj ministrie, por stafi nuk ka qenë nuk ka qenë në lartësinë e duhur dhe prandaj po ndodh kjo që po ndodh, që këtë drejtori ta marrin ata që duhet, se me buxhet e kanë, pse mos ta kenë ata edhe me strukturë e staf. Kështu që, ne jemi në tratativa me MMSR për të gjetur një modus të mirë sesi ta bëjmë këtë sa më të prekshme dhe sa më afër të përndjekurve.

     Ledjana Saliu