Beteja e Fushëbardhës në Skërficë

    746
    Sigal

    Në Qafë të Skërficës, në këtë istikam natyror çeta bëri një qëndresë heroike nga 20 deri në 26 qershor 1914

      (100 vjet nga beteja popullore e njohur historike)

    Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

    Angjelo KAZO

    Labëria nënshkruan lirinë në beteja

    Beteja e njohur popullore e Fushëbardhës, në Skërficës është e lidhur me rrethanat historike të çështjes së kufirit jugor të vendit, diplomacive të Fuqive të Mëdha, protokolleve dhe ballafaqimit ushtarak të përgjakshëm. Labëria si gjithë shqiptarët janë vënë përballë aksioneve diplomatike të Fuqive të Mëdha të mbushura me padrejtësi, interesa, dhunë, luftëra e gjakderdhje. Lufta e Parë Ballkanike e tetorit 1912 solli ndryshime esenciale politike e gjeostrategjike në Ballkan. Gjithë ndryshimet u bënë me luftë. Edhe kur lufta nuk kishte përfunduar dhe Ismail Qemali kishte shpallur pavarësinë më 28 nëntor 1912, Fuqitë e Mëdha nuk e njohën qeverinë e parë të shqiptarëve. Por shqiptarët në shekuj për të drejtat kishin “nënshkruar” me gjak. Diplomacia e Vjenës dhe Romës, promotore e ngjarjeve të pavarësisë ishte pozicionuar kundër përplasjeve me armë të shqiptarëve. Diplomacia, interesat dhe armët jashtë arsyes e të drejtës ishin bërë pjesë e shqiptarëve në trojet e tyre në fillim të shekullit të kaluar. Kufijtë shqiptarë u bënë “mollë sherri” dhe u spërkatën me “pudër diplomatike”, që u pasua me forcën e armëve. Qeveria kukull e Zografos e postuar në jug të vendit kish për qëllim rrëmbimin e hapësirës shqiptare. Mbrojtja e trojeve e bë me luftë popullore. Pas gjashtë muaj lufte në Shkodër e Janinë dhe gjashtë muaj diplomaci në Londër, kemi një Shqipëri të cunguar, të kthyer arenë e synimeve grabitqare të fqinjëve të saj. Pas marrjes (dorëzimit) të Janinës më 8 mars 1913 nga forcat greke dhe të Shkodrës më 22 prill 1913 nga forcat malazeze, Austro-Hungaria dhe Italia duke e parë se sundimi osman nuk mund të mbahej më në Shqipëri, para konferencës paraqitën një projekt të ri për pavarësinë e Shqipërisë. Mbështetur në këtë projekt, pas një lufte të ashpër diplomatike, konferenca më 29-31 korrik 1913 përfundimisht vendosi: Shqipëria të bëhej: “shtet i pavarur, asnjanës dhe të vihet nën kontrollin e Fuqive të Mëdha”. Faktikisht kjo erdhi pas kryengritjeve mbarëpopullore. Turqia nuk kishte asnjë lloj sovraniteti mbi Shqipërinë. Fuqitë e Mëdha krijuan një Komision Ndërkombëtar i Kontrollit dhe në tetor 1912 e dërguan në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe, për të vënë rendin dhe sigurinë në vend nisi krijimi i një xhandarmërie të huaj. Organizimi i xhandarmërisë fillimisht iu la Suedisë, por pas refuzimit të saj, në Shqipëri erdhën xhandarë holandezë. Më 31 korrikut 1913 u vendos që në krye të shtetit shqiptar një princ i huaj, brenda 6 muajve nga vetë Fuqitë e Mëdha. Në fund të vitit 1913 dhe në fillim të vitit 1914, Shqipëria në pikëpamje politike ishte në një pozitë të dobët: nuk kishte një qeverisje unike; në Shqipëri përveç qeverisë legjitime të Vlorës të Ismail Qemalit vepronin edhe qeveri lokale, si ajo e Durrësit dhe në Gjirokastër helenët “postuan” qeverinë “autonomiste” të fshatarit të Qesaratit, Zografos, që i solli gjek, tmerre e mizori popullatës në jug të vendit. Fuqitë e Mëdha caktuan Vidin si qeveritar të Shqipërisë. Ismail Qemali dhe qeveria e tij dha pëlqimin për ardhjen e tij, dhe për t’i hapur rrugë një zhvillimi të ri politik të Shqipërisë si dhe sigurisë së saj më 22 janar 1914, dha dorëheqjen. Babai i Pavarësisë ja la vendin me shpresë për më mirë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe në fakt do të zhgënjehej.

    Beteja popullore e Fushëbardhës në Qafë të Skërficës

    Skërfica në Fushëbardhë bën pjesë në ato luftëra lokale, ku andartët synonin jugun e Shqipërisë, shfarosjen e një populate autoktone që jetonte në truallin mijëravjeçar. Kjo çoi fqinjët tanë jugorë drejt objektivit strategjik të vjetër. Atë që nuk mund ta bënte ushtria e bënin andartët që shkaktuan shkatërrime masive e barbare në fshatra dhe, si pasojë e mosfunksionimit të rendit dhe ligjit, banda të armatosura grabisnin e terrorizonin popullatën civile. Flakët e luftës në Ballkan përfshinë dhe jugun e Shqipërisë. Beteja e Skërficës nuk është një betejë e shkëputur e vitit 1914, por një vijimësi qëndrese e nisur në frontin e kryeqendrës së vilajetit Janinës si dhe në frontet e tjera të luftës. Trupat greke e ato të veshur si andartë shkruan faqen më të erret të historisë së fqinjësisë, bënë masakrat dhe shkaktuan tmerret e pamëshirshme që njerëzimi kishte njohur. Grekët duke shfrytëzuar mosekzistencën e shtetit kishin depërtuar dhe në fshatrat e Labërisë. Për betejën e Fushëbardhës në Skërficë kishte ardhur ora e së vërtetës. Forcat pjesëmarrëse në betejë nga çeta e Fushëbardhës ishin rreth 120 luftëtarë, me komandant çete Halil Sullo, por dhe pjesëmarrës nga Zhulati, Golemi, Picari, Libohova, Gjirokastra, Delvina, Rrëzoma, etj. Agresorët kishte fillimisht rreth 450 andartë dhe ushtarë, të drejtuara nga shtabi madhor i vendosur në Jorgucat e Delvinë. Batalioni me andartë e ushtarë komandohej nga major Korjaskonis, që e mbylli me turp karrierën atje në Skërficë. Ishte ngritur një shtab madhor akademik ushtarak kundër kryengritësve popullorë të formuar në “akademinë” e betejave popullore. Shtabi Madhor i agresorëve përbëhej nga kolonel Dhuli në Gjirokastër, koloneli Joanidhi në Delvinë; koloneli Mavroidhi në Përmet; kolonel Zira në Tepelenë, koloneli Leonjdokanaki në Leskovik. Gjeneral Papulia në krye të shtabit madhor grek ishte vendosur në Jorgucat. Drejtimet e operacionit ishin: Delvinë–Qafa e Skërficës–Fushëbardhë–Zhulat-Golem dhe Kakavi–Jorgucat–Gjirokastrës–Cepo dhe Ura e Kardhiqit–Hormovë-Tepelenës. Grabitja e e tokës për ta vënë Evropën përballë fakteve përfshiu çdo fshat të Labërisë. Lufta në Skërficë dhe në Cepo, në dy pozicione strategjike të spikatura. Por forcat e saj në total në drejtim të Rrëzomës e Skërficës shkonin deri në 1500 andartë dhe ushtarë të skalionuar. Kundërshtari ishte pajisur me armatime të kohës dhe mbështetej me artileri. Qafa e Skërficës u kthye për një javë istikami i qëndrese të përgjakshme. Garantimi i tërheqjes së banorëve të fshatrave në drejtim të Vlorës si mungesa e mëtejshme e municioneve dhe mbështetjes dhe futja në veprim e “kalit të Trojës”, që depërtuan përmes malit të Pilloit, duke marrë forcërisht udhërrëfyes seniciotë për të krahëmarrë forcat që mbronin “Patkoin strategjik” të Skërficës bëri që luftimet të vijonin në vija të tjera më në thellësi. Shtrirja e frontit të luftës ishte nga Kameniku në Vraholl, mbi gurët e Bashe, Gropa e Dërrasës, Qafa e Skërficës që pika ekstreme e thellësisë së pritës. Forcat greke vinin nga Lavani dhe nga Mali i Gjerë. Çeta e parë e Fushëbardhës por dhe fashtrave të tjerë përbëhej nga Halil Sullo, Çobo Golemi, Dalip Kondi, Halil Nora, Rizal Muho, Sejdi Baho, Surja Tefa, Besim Bello, Ismail Nora, Habil Poçi, Kasëm Golemi, Hadër Uzeiri, Dervishi Uzeiri, Medi Uzeiri, Murat Cama, Llano Gjoça, Haxhi Muxhai, Rasho Gërxholli, Veip Gërxholli, Shamo Pula, Aliko Ago, Veliko Kondi, Hajro Bizhga, Kalo Bizhga, Mane Bizhga, Velishan Peçi, Rexho Bajko, Hasan Bajko, Jonuz Çarçani, Nazif Çarçani, Ismail Golemi, Sejdi Kondi, Pëllumb Kondi, Bajko Hasani, Bako Çarçani, Rasho Myrto, Kalo Stroka, Vejo Stroka, Birçe Basho, Dullah Kondi..etj. Në mbështetje të frontit të luftës së Skërficës ishin edhe Manxhar Muho, Avdi Onjea, Neki Golemi, Belul Golemi si dhe shumë djem të tjerë të Kazajve, Muhajve, Norrajve etj. Burrat e Fushëbardhës dhe të gjithë krahinës së Kardhiqit e Rrëzomës me në krye Halil Sullo, riorganizuan forcat luftarake për mbrojtjen në Qafë të Skërficës. Në kohën kur Skërfica mbrohej, komandanti i luftës dërgoi korierin e luftës Cenko Onjea, me deyrë në interes të frontit, por grekët e pikasën dhe e plagosën rëndë, aq sa dhe kartën e leu me gjakun e tij, duke shkruar faqe heroizmi në një lëndinë të blertë sipër Fushëbardhës në Qafë Dardhë. Çeta që luftonte kundër andartëve dhe ushtrisë greke bëri një qëndresë të pashembullt në histori duke luftuar me të gjitha mënyrat. Andartët “civilë”, të armatosur ushtarakisht, kampin e kishin ngritur në Luvadh dhe që vrojtonin gjithë lëvizjet e fshatarëve nga fusha në drejtim të Qafës së Skërficës. Kërcënimi i Qafës së Skërficës që ishte edhe një ndër pesë portat hyrëse të Labërisë, ishte serioz dhe u mbrojt me gjak. Në Qafë të Skërficës, në këtë istikam natyror çeta bëri një qëndresë heroike nga 20 deri në 26 qershor 1914. Rajoni i Qafës së Skërficës u kthye në një xhephane të vërtetë lufte. Rezistenca ishte mjaft e fortë dhe pati përgjakje nga të dy palët. Lufta filloi në Gurët e Bashe, ku kishin dalë fillimisht në pritë 12 Fushëbardhës dhe më tej vijoi tek Shpella e Dhespinës, Shkëmbi i Kaze, Nomeja e Qershisë, Përroi i Shtrembër, Përroi i Shametit, Qafa e Trullave, Gropa e Dërrasës, Vrahull e deri në Qafë të Skërficës. Lufta e Skërficës i ngjante një patkoi të gozhduar ashpër në dy faqe të maleve Gramati dhe Pillua. Ishte një luftë për jetë a vdekje; e cila vazhdoi me pushkë, thika, kama e bajoneta, por edhe me gurë nga luftëtarët e çetës së Fushëbardhës si dhe me artileri e armatimin e pajisjet më modern të kohës nga ana e andartëve. Fushëbardha dhe fshatrat në Qafën e Skërficës përreth dhanë shumë dëshmorë në emër të një kauze të madhe si Halil Sullo komandanti i çetës dhe organizatori kryesor i cili u vra në hyrje të Shkëmbit të Skamanos; Dalip Kondi u plagos rëndë tek “Përroi i Shametit” dhe vdiq poshtë “Varrit të Plakës” tek piksaret, eshtrat e të cilit janë gjetur pas tre vjetësh në sipërfaqe bashkë me pjesën metalike e pushkës; Mete Jonuzi ra heroikisht tek Kroi i Resule, pranë Gurëve të Bashe; Sejdi Baho u plagos rëndë në “Gropën e Gjeshtrës” dhe ndërroi jetë në spital në Tepelenë; Cenko Onjea u vra dhe masakrua në Qafë Dardhë; Rizal Muho u vra tek Nomeja e Panjës mbi Kamenik; Halil Nora u vra në Qafë të Skërficës; Surja Tefa i plagosur rëndë luftoi trimërisht në Qafën e Trullave me mauxer dhe nagant, pa u dorëzuar dhe kur jeleku ishte mbuluar me gjak lufton deri në vdekje dhe nuk dorëzohej edhe nga torturat çnjerëzore të andartëve. Por nga Rrëzoma në Cepo ishte një xhephane lufte dhe në gjithë këtë hapësirë u vranë dhe dëshmorë të tjerë: Haxhi Zeman Muxhai nga Zhulati; Ismail Haki Hoxha nga Nepravishta; Siri Hasan Peçi nga Picari; Vejo Dervish Stroka nga Golemi. Dëshmorët e trevës labe e më gjerë kanë rënë në çdo fshat në fushë e në mal, ku një vend nderi zënë edhe dëshmorë të tjerë të Rëzomës: Bako Çako e Hysen Roboçi nga Kopaçeza; Bilal Axhem Leka nga Vergoi; Kol Foto Loli nga Senica etj. Dëshmorët e Qafës së Skërficës pranë Fushëbardhës janë në panteonin e përjetshëm të mirënjohjes së kombit. Lufta kishte edhe dhjetëra të plagosur si Murat Cama, Hadër Uzeiri, të cilët pas shërimit të plagëve morën pjesë dhe në Luftën e Vlorës më 1920. Në betejën popullore të Skërficës nuk u bë pakt me dredhinë, edhe kur kërkohej “besë” nga pabesia. Kështu lufta ishte e ashpër dhe më në thellësi të Labërisë, në Zhulat, Golem e deri në Kuç, Kallarat, Bolenë etj. Shqiptarët u trupëzuan me qafën-kala natyrore të Skërficës, dhe ngelën në panteonin e kombit dhe në memorien popullore të Fushëbardhës, Kardhiqit, Rëzomës, Labërisë dhe të mbarë kombit shqiptar. Dëshmorët në Skërficë i dhanë emër të ri kësaj qafe mali, ku pas një shekulli quhet “Qafa e Dëshmorëve” në Fushëbardhë, qafa historike midis Gjirokastrës e Sarandës. Beteja e Skërficës vërtetoi se qëllimi i shtabit madhor fqinj pranë “qeverisë autonome” të Zografos ishte të grabisnin tokën e fqinjëve, që kurrë nuk ka qenë e tyre. Por u përballën nga Cepua, Fushëbardha, Skërfica, Kurveleshi e Labëria me zjarrin e papërmbajtur të luftëtarëve popullorë.

    Fushëbardha, në hartën e betejave shekullore

    Memorial madhështor në zemër të Labërisë

    Mbi Skërficë pranë Fushëbardhës në “Patkoin strategjik” kaluan “mysafirë” të shekujvelegjonet romakë, normandë, venecianë, bizantinë, osmanë e grekë. Në Skërficë kaloi Pirrua i Epirit duke i shtuar krenarinë kaone e madhështinë ilire. Në Skërficë kaluan djemtë e “regjimentit shqiptar” të Napoleonit francez; në marrëveshje me Papazhulin kaloi dhe Boemundi në qershor të vitit 1081, që e kanë sjellë deri në ditët tona Revista “Shojzat” botuar në Romë më 1957 si dhe Ana Komnena, Protopatharius, Pjetër Dhjakono etj. Beteja e Skërficës ishte një kundërpërgjigje popullore ndaj një makine shtetërore luftarake të “legjoneve të shenjta” që synonin tjetërsimin e territoreve shqiptare. Makinacionet e diplomacisë e politikës greke si dhe patericat diplomatike lobuese të disa Fuqive të Mëdha dëmtuan rëndë çështjen shqiptare dhe kostoja e shkatërrimeve ishte në kufijtë ekstremë. Ajo ishte pasoja e pritshme pas asaj që bënë qindra ushtarë grekë, të cilët “dezertuan” nga ushtria dhe u bashkuan me “revoltat” për të shpëtuar “Vorio Epirin”. Skërfica e përcaktuar nga shtabi madhor akademik si drejtim operativ i mundshëm dhe gravitet të madh sulmi ishte planëzuar e studiuar në mënyrë akademike me harta e hollësi operacionale. Skërfica ishte një “kështjellë natyrore”, që kërkohej të zotërohej me strategji akademike e me dredhi. Beteja e Skërficës në pikëpamje ushtarake, pati karakteristikat e veta taktiko-operative, ku shtabet luftarake artin operacional e lidhin me gjeohapësirën e kapacitetet. Çeta labe në Skërficë, që është një ndër pesë portat e Labërisë ndaloi sulmin e një force ushtarake të konsiderueshme, me luftëtarë popullorë, pa shkolla e akademi, pa artileri, pa resurse mbështetëse, me raport forcash 1:5 e më shumë për andartët. Çeta e Fushëbardhës bazohej tek tradita luftarake e brezave dhe “Shtabi i labëve” luftonin në emër të së drejtës, kundër një ushtrie të organizuar e të përgatitur me ushtarakë akademikë, taktika e strategji. Megjithatë çeta luftarake e Fushëbardhës thërrmoi dhe dërmoi një batalion të mirëorganizuar dhe mbështetur. Prandaj Lufta e Fushëbardhës në Skërficë dhe dëshmorët e saj, janë duke u çimentuar e përkujtuar me një memorial madhështor në Fushëbardhë të Gjirokastrës, në vendin e kuvendeve dhe ligjvënësve popullorë Papa Zhulit e Idriz Sullit. Për Betejën e fillimshekullit të kaluar poeti dhe atdhetari Ramiz Harxhi 100 vjet më parë nga SHBA do tw shkruante:“Të pavdekur janë gjith’ ata luanë,/Për nder të kombit u grin’e u vranë”. Dëshmia për Skërficën erdhi nga Bostoni i ShBA-së sepse luftëtarët e Fushëbardhës e kishin pagëzuar “doktori”, për plagët e luftëtarëve që lidhte direkt në fushëbetejë. Betejës së Skërficës është si “lesson learn”, është qafa ndan dy qarqe dhe që bashkon dy krahina Kardhiqin e Rrëzomën përjetësisht të lidhura në besë, zakone, tradita e lidhje të forta e të qëndrueshme historike. Kësaj i shërben edhe memoriali madhështor të qëndresës, rezistencës, burrërisë, eksodit dhe mbijetesës në zemër të Labërisë, në Fushëbardhë sponsorizuar nga bijtë e këtij vendi dhe gdhendur mjeshtërisht nga skulptori i talentuar, artisti Murat Këraj. Kohët kanë ndryshuar, por historia e kujtesa nuk është shuar. Ecja drejt BE me identitetin e vërtetësinë historike, me tolerancë, kulturë, drejtësi, dhe me dëshirën për të jetuar me krenari, dinjitet e vlera në këtë planet shpeshherë të mjegullt e të trazuar bën që brezat të sinergjojnë mendimin dhe veprimin energjik në funksion të perspektivës  euroatlantike.