Besnik Mustafaj/ Dashuria është e bukur vetëm, kur nuk dashuron

    410
    Sigal

    Betohem në emër të gjakut e të shpirtit tim të shenjtë,

    Vetëm të vërteta të them, të vërtetat e mia të trishta:
    Dashuria është e bukur vetëm kur nuk dashuron.
    Shumë vite më parë, kur isha ende i parritur,
    më desh një vajzë, si unë, me fytyrë të njomë.
    E putha një mbrëmje nën hijen e qelqtë të pishës,
    e putha siç di të puthë një djalë ende i parritur,
    një djalë që ende s’e di ç’është pengu në shpirt.
    S’e putha më, kuptohet, aq ish dashuria për mua,
    E kisha thirrur sa për t’i marrë lotin – hënë e zbehtë
    që do të ndriçonte nga larg në mbretërinë time absurde.

    Dhe një vajzë më pas, një tjetër, një tjetër,
    Shumë herë s’kam përtuar të puthem me vajza netëve,
    Dhe kam ikur prej tyre pa dhimbje, si një kalë i egër,
    Ç’kisha bërë fajësisht të mbrëmshmen,
    lehtësisht e kam harruar të nesërmen.

    E them, në emër të gjakut tim prej burri
    e të shpirtit tim prej fëmije,
    Besomëni, për gjithçka jam penduar.
    Ti, Zot që je në qiell, në ke ndër mend të zbresësh një ditë
    në tokën tënde të ndaluar, eja tani,
    për mëkatet e mia mund të më ndëshkosh më lirisht se kurrë,
    jam krejt i pambrojtur, sepse jam i dashuruar…