Besnik Gjongecaj: Privatët rrënojnë universitetin publik

681
Sigal

 


në fund folën të gjithë. Nuk mbeti njeri pa folur për universitetet dhe arsimin
e lartë. Folën vendas, të ardhur, gazetarë, komedianë, të papunë, të punësuar
me nxitim, administratorë, folësit “kallashnikovë” të shoqërisë civile, të kundërtit
e tyre, gazetarë, analistë poliglotë ose analistë pa kufij, parlamentarë të
zgjuar befasisht nga gjumi, ish denoncues, studentë që nuk iu besonin fjalëve që
nxirrnin nga goja, tregtarë, krijues akademish si imitime të së dikurshmes, njerëz
që ndërrojnë profesionet me të njëjtën frekuencë që ndërrojnë të brendshmet,
moralistë dhe imoralë sëbashku. Si të flisnin për një fenomen të hapësirës me të
cilin nuk kanë patur asnjë shans të takohen apo të përfshihen, më në fund, folën
edhe ish ministra të arsimit. Madje, foli edhe kryetari i opozitës, i cili,
megjithëse nuk bëri asnjë përpjekje ta ndalonte ligjin për arsimin e lartë nëpërmjet
ankimimit në Gjykatën Kushtetuese dhe pas kalimit në Parlament, premtoi se do
ta zhbënte atë, si Penelopa zhbënte pëlhurën gjatë natës, sapo qytetarët t’i
besojnë pushtetin. E çuditshme kjo, kur dihet që Gjykata Kushtetuese do të
ishte një rrugë shumë më e shkurtër, madje edhe më e sigurt se zgjedhjet, për
të mos e lejuar zbatimin e një ligji që shpejton degradimin e universiteteve.


Pra, s’mbeti njeri pa folur. Relativisht, gjithsesi.
Sepse, kishte edhe nga ata që nuk e hapën gojën fare. Paradoksialisht, këta
ishin universitarët. Ata të vërtetët. Ata, që kokëulur futen në klasat e ftohta
dhe me duar të cilat, për shumë arsye, i imagjinoj vetëm duke u dridhur,
heshtën. Vazhduan të dridhen nga të ftohtët dhe nga ankthi i plotësimit të
detyrimeve jashtë çdo komforti, madje jashtë çdo kushti njerëzor dhe etik. Krijuesit
e vërtetë të universiteteve publike, të sistemit universitar të këtij vendi,
nuk u pyetën, ose, në rastin më të mirë, gjasme u pyetën. Instinkti, prandaj, u
tha të mos flisnin, të mos komunikonin, të heshtnin. Kështu bënë. Zgjodhën
heshtjen për të transmetuar përçmimin. Nuk folën. Në rrethinat e këtij
diskutimi, për një krejt tjetër arsye nga ajo e universitarëve, hesht MAS. E
cila, tri vite më parë, vendosi të metamorfizojë ekzistencën e saj. Të bashkojë
të pabashkueshmet. Si Sfinksi bashkon kokën e një gruaje me trupin e një luani,
Ministria e Arsimit dhe Sportit, MAS,  këputi
trupin muskuloz të shkencës (Ministria e Arsimit dhe Shkencës së dikurshme)
duke bashkuar kokën e bukur të mësimit me trupin rastësor e pa kuptim të sportit
(Ministria e Arsimit dhe Sportit). Për të krijuar një mostër, ashtu si Sfinksi
është, në fakt. Çdo gjë që vjen më pas kësaj metamorfoze është prej sfinksi. E
thirrur në një mision vrasës, ashtu si Sfinksi u thirr. E gatshme, si Sfinksi,
të bëjë copë e çikë atë që ndodhet brenda rrethinave…sapo të merrte një
sinjal. I cili nuk vonoi gjatë. Erdhi shpejt, ashtu si vetëm sinjalet mund të
vijnë: sa hap e mbyll sytë. Erdhi andej nga nuk e priste njeri. Si nga përtej
jetës. Si nga nëntoka. Sinjali për të rrënuar sistemin publik universitar erdhi
nga universitetet private. Erdhi nga më privati i tyre, UET. Më saktë, nga bosi
i UET, H. Çili. Një njeri i dedikuar ndryshimit, metamorfozës, reformave… Aq
sa, thonë, kohë më parë, në vendlindjen e tij të largët, kur edhe vetë ishte aq
i largët sa nuk kishte mundësi të ndryshonte asgjë apo të detyronte dikë,
diçka, të reformohej, të metamorfizohej, ai, ngaqë nuk rrinte dot pa bërë
ndonjë reformë, ndryshim, bëri ç’bëri dhe reformoi (ndryshoi) emrin e tij. Ashtu
si i ka hije çdo sinjali të krijuar për të zgjuar Sfinksin, një mostër në përgjithësi,
ai, H. Çili, shkruan pa zbukurime, në mënyrë të përbindshme: “
Reforma në
arsimin e lartë krijoi kundërshtim frontal në radhë…nga një armatë pedagogësh
të sistemit shtetëror të arsimit (jo të gjithë por pjesa dërrmuese)…,
të cilët helmojnë përditë opinionin publik duke u përpjekur të ruajnë një
gjendje të mjerë të sistemit punist në arsimin e lartë shqiptar…”. Askush deri në atë
ditë nuk kishte shkruar kaq
në mënyrë të
përbindshme
për
universitetet e një vendi. Sfinksi MAS e përjetoi thellë këtë sinjal, aq sa u
fut në rezonancë me të. Prodhoi menjëherë, nëpërmjet një agjencie të saj, një
udhëzim të çuditshëm,: formatin në të cilin, si në një djep, çdo universitar
duhet të vendosë jetëshkrimin e tij, përputhshëm. Një format që sot e ka në
dorë për ta plotësuar çdo universitar i këtij vendi.
Formati
që MAS i paraqet universitarëve për të njehsuar, në pikëpamjen e paraqitjes, jetëshkrimin
(CV) e secilit prej tyre, reflekton në krejt formulimin e tij një relativizim
të kontributit dhe performancës së universitarëve të universiteteve publike. Substancialisht
të padrejtë. Madje, në pjesë të veçanta, edhe diskriminues.  Në format tregohet se çfarë duhet të shkruash
dhe çfarë nuk ke mundësi të shkruash. Ke mundësi të tregosh nëse gradën
shkencore e ke marrë para viteve 90, d m th atëherë kur ajo quhej “kandidat i
shkencave”, por, nga ana tjetër, atë e ekuivalenton, ashtu si është ndërtuar
formati, me gradën “master”, duke ditur mirë që edhe nga pikëpamja e përmbajtjes,
edhe nga pikëpamja e kontributit, edhe nga pikëpamja e nivelit shkencor, vështirësive
apo përpjekjeve shkencore, të dyja janë të pakrahasueshme. Akoma më shumë: pothuajse
në të gjitha rastet, përmbajtja dhe niveli shkencor i punimeve të dikurshme për
“kandidat i shkencave” është shumë më i lartë se përmbajtja dhe niveli shkencor
i doktoraturave të sotme. Madje, në “format” nuk do të duhej të përmendej fare
“kandidat i shkencave” edhe nga pikëpamja ligjore, sepse, është e njohur që
“kandidat i shkencave” është një gradë shkencore e “fshirë”, ligjërisht jo
ekzistente, e zëvendësuar prej shumë kohësh me gradën shkencore “doktor i
shkencave”. Vendosja e një termi apo grade shkencore jo ligjore në “format”,
prandaj, është një tentativë e vënë qëllimisht për të treguar se ja kush janë
ata që i takojnë të vjetrës (“kandidat i shkencave”), ashtu si dhe për të
injoruar të shkuarën e universiteteve publike. Nga ana tjetër, meqenëse termi
“kandidat i shkencave” nuk është më një term ligjor, pra nuk mund të përdoret si
i tillë në një dokument ligjor të MAS, vendosja e tij në këtë format bëhet edhe
me qëllim qartësisht diskriminues: të vjetrit e “kandidat i shkencave” dhe këta
të rinjtë e “masterave”!  Një universitar
ka mundësi të vendosë titullin e lëndës, por jo fushën e studimit në “format”,
duke injoruar faktin që shpesh fusha e studimit nuk përkon strikt me lëndën e mësimit.
Një tjetër sinjal që injoron faktin se në një universitet publik bëhet kërkim
shkencor, ashtu i mundimshëm, por i pakrahasueshëm me një universitet privat. Në
“format”, ndërsa ke vend për të shkruar edhe se në ç’konferencë ke qenë
moderator, nuk ke hapësirë për të treguar tekstin universitar që ke shkruar. Një
injorim i thellë, i paimagjinueshëm, i kontributit të profesorëve të
universiteteve publike. Injorim i “terrenit” ku përqendrohen energjitë më të
mëdha të një universitari, ku takohen të gjithë ato që përbëjnë ekzistencën
materiale dhe shpirtërore të një profesori të universitetit publik: rezultatet
e kërkimit shkencor të kohës me ato të kërkimit shkencor individual, teoritë e
konsoliduara mirë me përpjekjet personale për t’i adoptuar ato në Shqipëri, eksperienca
personale jetësore e profesorit përkundrejt historisë së zhvillimit të
subjektit shkencor që ai jep mësim. Mbi të gjitha, një tekst universitar
materializon substancën e një universiteti, sepse, jashtë çdo dyshimi, teksti
universitar është terreni më i mirë ku mësimi bashkëjeton me kërkimin, pra,
është terreni më vital për të materializuar shpirtin von Humboldtian të një
universiteti.


Së fundi, ligësia vjen e trashet, dendësohet, te
koha që ky “format” i jep një universitari të tregojë rezultatet e punës së
tij, kryesisht botimet. Edhe po të jesh një profesor që ke shpenzuar dyzet vjet
të jetës tënde në universitet, “formati” të njeh vetëm kontributin e gjashtë
viteve të fundit! Sipas “formatit”, vitet e tjerë nuk janë, nuk quhen, janë
plehra për t’i fshirë nga faqja e universiteteve. Një profesor me kontribut
dyzet vjeçar mund të ketë botuar artikuj të mrekullueshëm shkencor, tekste
universitare thelbësorë, madje mund të ketë arritur suksesin e tij më të madh
shkencor para njëzet vitesh, ndoshta. Por, sipas “formatit”, asgjë prej këtyre
nuk vlen për MAS, aq më shumë, nuk vlen t’u tregohet të tjerëve. Gjithçka
lidhet me politikën “e re” të MAS për trajtimin njësoj të universiteteve
publike me ato private të këtij vendi. Që të bëhen njësoj, sepse ndryshe nuk
justifikohet dhënia e parasë publike universiteteve private, ose duhet t’i bësh
me rrënjë, pra t’i bësh me histori universitetet private, ose do të duhet t’i
shkulësh rrënjët e t’i lësh pa histori universitetet publike. Nëpërmjet këtij
“formati”, në pamundësi të implantojë rrënjë dhe histori për universitetet
private, MAS ka vendosur të aplikojë të dytën: të shkulë rrënjët e
universiteteve publike. Sepse, dhe s’mund të ketë asnjë logjikë tjetër, meqë
universitetet private nuk kanë se çfarë të tregojnë, nuk kanë histori, atëherë,
sipas MAS, kështu do të duhet të jenë edhe ato publike: pa rrënjë, pa histori.
Universitete publike rrënjëshkulur, pa histori; ja çfarë do të dëshironte MAS
të ishin universitetet publike të këtij vendi. Nuk e di pse, por e shkruara e këtij
shkrimi m’u duk një punë e stërmundimshme. Si e tillë, jo rrallë më detyronte të
pushoja, dhe sa herë e bëja një gjë të tillë, mendja, në vend që të “shtriqej”,
fillonte të punonte edhe më intensivisht se më parë. Jo për gjëra tokësore, aq
më shumë, jo për ato që ndodhin sot. I kthehesha dhe rikthehesha instinktivisht
mitologjisë greke, simbolikës së saj, dhe ishte e pamundur të largoja prej
mendjes dy prej tyre: Feniksin dhe Prokrustin. Feniksin, që ishte krijuar nga
pluhuri, nga hiçi pra; dhe Prokrustin, që i detyronte njerëzit, barbarisht, të
përputhnin trupin e tyre me gjatësinë e shtratit të tij: ose duke i zgjatur
(tërhequr), ose duke i shkurtuar (prerë). Jo pak universitete private në këtë
vend, si dhe autoritete të tyre, janë krijuar si Feniksi, nga hiçi. Në
kontekstin  e këtij shkrimi, H. Çili dhe
UET janë më të dallueshmit. H. Çili nuk ka asnjë lidhje me universitetin, me
formimin universitar, me njohjen e universitetit si institucion, aq më shumë me
njohjen e sistemit të arsimit të lartë si të tillë. Kjo evidentohet te prania
publike e shpeshtë e tij. Një profesionist e kupton menjëherë se sa bosh është
ky njeri kur flet për arsimin universitar. UET është një institucion pa
histori. Të thuash dhjetë vjet histori për një universitet, do të thotë që ai universitet
nuk ka filluar akoma të krijojë histori. E vërtetë aksiomatike. Kjo situatë,
megjithatë, nuk është tragjike, sepse gjithmonë ka një fillim. Tragjike është situata
kur dikush edhe vjen nga hiçi, edhe denigron universitetet publike të këtij vendi.
Cilësimi se “në universitetet publike të
këtij vendi kemi një gjeneratë pedagogësh që duan të ruajnë sistemin punist të
arsimit
…H. Cili”, tejkalon çdo përfytyrim mbi barbarizmin verbal. Akoma
më tragjike bëhet situata kur dikush edhe vjen nga hiçi (Feniksi), edhe kërkon
të vendosë rregulla për të tjerët (Prokrusti). Me qëllim që të fitojë atë, të
cilën nuk e ka: historinë. Përmes një rruge të vetme: duke relativizuar të
tjerët. Është jashtë çdo dyshimi se ideja e thyerjes në kohë e CV-së një profesori
(duke e reduktuar karrierën e tij dyzet vjeçare në gjashtë vite të fundit),
prandaj edhe e një universiteti gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vjeçar, (e një
universiteti më shumë se gjysmë shekullor, që është gjithsesi kohë e shkurtër
për një universitet), nuk ka se si të mos jetë produkt i mendjes së njerëzve që
nuk kanë karrierë universitare, siç është H. Cili, dhe i universiteteve pa
histori, siç është UET. Universitetet tradicionalë publike të këtij vendi,
sipas MAS dhe interesave të privatëve, duhet të trajtohen si universitetet
private, pra, si universitete pa histori. Ato, universitetet publike, do të
duhet të shtrihen në shtratin e shkurtër të kujtesës, i projektuar, paradoksialisht,
nga universitetet pa kujtesë, nga universitetet private. Feniksit, ose hiçit, i
jepet fuqia e Prokrustit, ose e rregull bërësit! Asgjësë i jepet fuqia e
imponimit, e vendosjes së rregullave! Që do ta kishte zili e gjithë mitologjia
greke, të gjitha mitologjitë!