Besim Shyti/ Ke folur me gjuhën e gjarprit, o Adriatik Alimadhi!

538
Më ra vonë në dorë shkrimi juaj “Përgjigje komunistëve që sulmojnë Ballin”. E lexova me vëmendje dhe më erdhi keq për gjuhën që përdorni. Me gjuhë gjarpri nuk justifikohet asgjë. Me sa duket edhe ju e keni vështirë justifikimin e paraardhësve tuaj ballistë, prandaj përdorni helmin e gjarprit me të cilin jeni ushqyer dhe ju…Juve ju nervozon mungesa e argumentit dhe hidheni në sulme, duke derdhur tërë helmin e gjarprit që kini në gjak, trashëguar nga të parët tuaj kundër komunistëve, me të cilët identifikoni tërë partizanët, pra veteranët e sotëm që i quani kriminelë. Unë jam një nga ata veteranë të paktë që kanë mbetur gjallë dhe më bëri përshtypje gjuha juaj aq helmuese… Keni bërë një të mirë në shkrimin tuaj, sepse keni sjellë një argument që ju nxjerr zbuluar dhe ju përplaset në fytyrë. Kini sjellë shkrimin e botuar nga vetë Balli Kombëtar në gazetën “Flamuri”. Po a e di ti more Adriatik se ajo gazetë botohej në mes të Tiranës me lejen dhe paratë e gjermanëve. Mungesa e argumentit të ka bërë të vjellësh helm gjarpri. S’ke faj. S’ke gjetur argument tjetër dhe ke sjellë atë me të cilin të parët tuaj akuzonin partizanët për krime që ata s’i kishin bërë për të justifikuar mospjesëmarrjen në luftë. Jo more Adriatik, argument nuk është ajo që thonë palët për njëra-tjetrën, por çfarë thonë vëzhguesit aleatë për këto palë. Ju dhe shumë gazetarë dhe historianë si Uran Butka për të hedhur baltë mbi LNÇ, ju referoheni dy jugosllavëve komunistë dhe nuk thoni asnjë fjalë për tërë ata oficerë zbulues anglezë dhe as për përfaqësuesin amerikan Tomas Stefan, që ishte pranë Enver Hoxhës, as për gjeneralin Dejvis dhe të tjerë. 

Argumenti nga Gjenerali Dejvis 

Lexo tani argumentin që po të sjell unë. Gjenerali Dejvis, komandanti i SOES (misioni ushtarak anglez), pranë Shtabit të LNÇ, por dhe Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe bajraktarëve të veriut,i shkruan qendrës së tij në Kajro, më 17 dhjetor 1943: 

“1. Tani unë rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit sa që duhet urgjentisht të demaskohet Këshilli i Regjencës kolektivisht dhe çdo anëtar i tij me emër. Po kështu Ballkomi (Balli Kombëtarë edhe zogistët).

2. Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët me sasinë e madhe të armëve që u kanë dhënë, po i shfrytëzojnë duke i vënë të ruajnë rrugët kryesore, të kryejnë shërbime policore në qytete dhe të drejtojnë patrullat duke i liruar kështu trupat gjermane.

3. Në të gjitha veprimet e kryera kohët e fundit nga LNÇ, janë ndeshur trupa të përziera gjermane dhe balliste, të armatosura mirë dhe të stërvitura nga gjermanët. Luftimet në zonat e Pezës dhe të Dibrës, sidomos në këtë të fundit, kanë provuar plotësisht bashkëpunimin e tyre më të ngushtë.
4. Ballkomi dhe Abaz Kupi, si njëri e tjetri, më premtuan se do t’i luftonin aktivisht gjermanët, por nuk bënë asnjë aksion muajin e fundit, sado që kanë pasur shumë raste për t’u bërë rezistencë gjermanëve.

5. Si Ballkomi, ashtu dhe zogistët tash botojnë gazeta të kushtueshme dhe pretencioze që duket hapur se janë ndihmuar nga gjermanët. Në tetë numrat që janë botuar nuk gjen asnjë referim antigjerman. Të dy palët lëvdohen se aleatët do të bashkëpunojnë me to pasi të kenë ikur gjermanët duke iu referuar si prove fakti që Britania e Madhe nuk e ka përmendur me emër Këshillin e Regjencës ose ndonjë parti tjetër në Shqipëri…

6. Do të preferoja të jepja vetë shpjegime kur të largohem prej këtej, por edhe mund të vonohem dhe zor se do t’ju takoj para mesit të janarit.
7. Mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të shpallet botërisht menjëherë, duke e bërë të qartë se kuislingët, tradhtarët dhe ata që nuk luftojnë gjermanët, do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët…Prandaj rekomandoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të LNÇ”. (Lexo, Jon Holliday “Shqiptari Dinak” fq.73 dhe Reginald Hibbert “Fitorìja e Hidhur”, fq,124-125). E solla të plotë rekomandimin e gjeneralit Dejvis mbasi ai konfirmon realitetin e asaj kohe. Lexo pikën 5 të rekomandimit dhe është tamam gazeta jote “Flamuri”.

Ju shprehni një urrejtje të madhe karshi komunistëve dhe harroni se Stalinin e thirrën vetë Ruzvelti me Çërçillin në Jaltë, krijuan aleancën e madhe antifashiste bashkë me shtetin e madh komunist, kurse ju s’u pajtuat me komunistët shqiptarë mbasi donit të gëzonit privilegjet që kishit siguruar nga bashkëpunimi me nazifashistët, por duhet të dini se ishte BS dhe komunistët që e mposhtën Gjermaninë.

Argumenti nga Rexhinald Hibbert 

Tani po të sjell një argument tjetër gjithnjë jo nga gazeta e PK, po nga këshilltarë anglezë gjatë luftës: “Ndërsa lufta po shkonte drejt fundit, shkruan Rexhinald Hibbert, Partia Komuniste e Shqipërisë, duke punuar nëpërmjet Lëvizjes Nacionalçlirimtare, qe në gjendje ta bënte e vetme lëvizje efektive të qëndresës në Shqipëri, në një shkallë të madhe për shkak të hezitimit të nacionalistëve. Këta të fundit këmbëngulnin për ta parë komunizmin sllav si rrezikun më të madh dhe e bindën veten se aleatët perëndimorë do të dëshironin ta mbanin më këmbë Shqipërinë e Madhe si një ledh kundër këtij kërcënimi,kurse shqiptarët vetë nuk do të duhej të paguanin një çmim të rëndë gjaku e shkatërrimesh duke i sulmuar gjermanët vetëm në çastin e fundit. Hesapet e tyre të gabuara ishin të pacipa dhe tragjike. Aleatët të dhënë pas luftës për të mposhtur Gjermaninë ndihmuan të vetmen lëvizje aktive të rezistencës, partizanët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të kontrolluar nga Partia Komuniste. Dështimi i nacionalistëve për tu bashkuar aktivisht me palën fituese,u hapi rrugën komunistëve për të ardhur në pushtet dhe ishte Partia Komuniste me Enver Hoxhën që e rithemeloi vendin brenda kufijve të vet të vitit 1921”.(Rexhinald Hibbert “Fitorja e Hidhur” f.23). Nuk e them unë, e thotë oficeri i zbulimit anglez që luftoi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai e thekson rithemelimin e Shqipërisë. Janë diskutuar tri herë kufijtë e vendit tonë, o Adriatik. Vetëm për këtë themelimin e herës së tretë duhet respektuar Partia Komuniste dhe Enver Hoxha. Në do të dish kush ishte partia e Ballit ta thotë prapë Rexhinald Hiberti në librin e tij: “Partia e Ballit Kombëtar, shkruan ai, nuk duhet menduar se është një parti e organizuar në po atë mënyrë si edhe LNÇ. Ai është një grumbullim i padisiplinuar i njerëzve të veçantë, që i bashkon vetëm urrejtja e tyre kundër komunizmit, anarkizmit e terrorizmit dhe frika se çfarë do të ndodhë me Shqipërinë, nëse partizanët do t’ia dalin mbanë të vendosin doktrinën e tyre mbi këtë vend. Udhëheqësit e tij përfshijnë njerëz që pa dyshim kanë patriotizëm dhe parime të larta, njerëz me pikëpamje politike të moderuara. Duke i mbajtur sytë hapur, këta njerëz janë rreshtuar me gjermanët kundër LNÇ. Ndoshta ata kanë menduar se rreziku i komunizmit është më kërcënues sesa pushtimi (janë mjaft dashamirës) nga gjermanët…Pra Ballkomi dështoi në qëllimet e veta dhe tani është më larg se kurdoherë për ta shkëputur veten prej bashkëpunimit me gjermanët”. (Shih Rexhinald Hibbert “Fitorja e Hidhur”, f.212-213). Këto janë argumente, o kryetar i Ballit jo gazeta që ti boton vetë dhe thua çfarë të do qejfi.
Sigal