Besim Ndregjoni:S’do ketë asnjë votë në zgjedhje, nëse nuk pranohen kandidatura nga të përndjekurit

    443
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Besim Ndregjoni, sekretar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve Politikë

    Shtresa e të përndjekurve politikë ndihen të fyer nga partitë politike, pasi edhe pas 23 vitesh demokraci nuk janë dënuar krimet e komunizmit. Një fakt të tillë e bën të ditur për “Telegraf”, Ndregjoni, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve Politikë. Sipas tij, nëse nuk do të ketë kandidatura nga kjo shtresë në zgjedhje, nuk do ketë vota për partitë politike.

     -Zoti Ndregjoni, ju zhvilluat në takim ditën e djeshme, cili ishte qëllimi i këtij takimi?

    -Po, ne zhvilluan një konventë për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare. Po ashtu në këtë konventë të organizuar u ngrit zëri, për shumë ish të burgosur politik, po ashtu u kërkua dhe arsyeja e mosdënimit të këtij krimi për 23 vjet. Këtu flitet çdo ditë, por diktatorë dhe ish- pjesëtarë të diktaturës, të cilët drejtojnë sot institucionet shtetërore, kushtetuese. Sot Parlamenti shqiptar nuk ka asnjë deputet nga shtresa antikomuniste, apo siç quhet nga politika shqiptare, ish të përndjekurit politikë. Ne së bashku vendosëm njëherë e mirë që të bëjmë këtë ballafaqim dhe ti themi shoqërisë shqiptare se kjo histori ka ndodhur dhe ky krim nuk është dënuar. Ndaj unë kërkoj nga shoqëria që të njihet me këtë krim dhe dënohet ai. Sot numërohen nëpër lajmet e mediave, shumë vrasje e hakmarrje e krime nga më të ndryshmet, deri tek përdhunimet. Kjo gjë ndodh pasi në vendin tonë nuk u dënua krimi komunist dhe nuk janë gjetur ende eksekutorët e 4500 të pushkatuarve.

     -A është ndërgjegjësuar ndopak klasa politike sot sipas jush për krimet e komunizmit?

    -Politika ka ngelur me mentalitetin komunist dhe nuk e vret ndërgjegjja për dënimin e krimeve të komunizmit. Shoqëria shqiptare u përball me kaos në vitin 1997, në vitin 1998 dhe ajo vazhdon të jetë në kaos, pasi ekziston ende politika me mentalitet komunist. Prandaj, Unioni Mbarëkombëtar i integrimit të Burgosurve Politikë të Shqipërisë ka si mision të tijin ballafaqimin me të kaluarën e saj këtë shoqëri, që ajo të jetë e ndërgjegjshme dhe t’i largohet konfliktit dhe të bëjë paqe.

     -Zgjedhjet parlamentare po afrojnë. A ka pasur interes nga ndonjë parti politike që dhe kategoria e ish-të përndjekurve politikë të jetë pjesë e programit të tyre?

    -Një ndër pikat e Rezolutës që ne miratuam është që partitë politike të pranojnë kandidaturat nga antikomunistët dhe të përndjekurit politikë. Këtë gjë e deklaroj hapur faktin se, asnjë parti politike nuk do marrë asnjë votë nga të përndjekurit politikë nëse nuk kandidojnë deputet nga kategoria që ne përfaqësojmë. Sot ne kemi kapacitete të arsimuara, dhe nuk jemi në vitet ‘90, personalitet, të cilat do t’i japin Parlamentit një dimension të ri.

     -Ju e shprehni publikisht se do të bojkotoni zgjedhjet nëse nuk keni kandidat përfaqësues nga ish të përndjekurit në Parlament. Realisht a do të keni ndonjë kandidat?

    -Absolutisht, që po. Votën e ish të përndjekurve politikë nuk do ta marrë asnjë forcë politike nëse nuk kandidon një deputet që përfaqëson ish të përndjekurit politikë dhe nga kategoria e pronarëve në Shqipëri. Ne jemi rreth 35-40 për qind të popullsisë, ku janë ish të përndjekur dhe pronarë. Kjo pasi janë rreth 100 mijë familje ish të përndjekura politike. E gjithë kjo përqindje, konvertohet në rreth 300-400 mijë votues në rang vendi. Ne votat do t’i japim për atë forcë politike që na krijon kushtet dhe që do i shërbejë kauzës tonë të paqes. Vota e ish të përndjekurve politikë është vota e moralit, e qëndresës dhe vota e antikomunistit. Deri më tani, asnjë nga partitë politike në Shqipëri nuk ka në programin e saj dokumentimin e krimit komuniste 45- vjeçar. Prandaj, Shqipëria  sot jeton në mes të së vjetrës që refuzon të vdesë dhe së resë që nuk lejohet të lindë. Ne nuk jemi vonë të hapim dosjet, të shkruajmë të vërtetën. Jo të hapim thjesht dosjet për komunistët, por për komunizmin. Siç thoshte edhe Milan Kundera: “Sistemi bëri që gjyqtari të mos ishte gjyqtar, prifti të mos ishte prift, hoxha të mos ishte hoxhë, tregtari të mos ishte tregtare, por të gjithë shërbyes të fjalës së partisë”. Ju lutem mos harroni: Regjimi komunist në Shqipëri nuk mund të shihet ose gjykohet thjesht si një aksident historik.