Berisha: Ky nuk është Edi Rama, por Edi Drama

504
Sigal

Berisha paralajmëron Ramën: Po provokon qytetarët, do përballesh me zemërimin!

Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje pasardhësit të tij, që do marrë drejtimin e qeverisë së re në shtator, të mos provojë shqiptarët lidhur me trashëgiminë historike dhe figurën e Enver Hoxhës, se do të përballet me zemërimin e tyre. Duke folur në një nga mbledhjet e tij të fundit, si Kryeministër i vendit, Berisha e ka shfrytëzuar pothuajse të gjithë minutazhin mediatik për analizimin e konferencës dy ditore të PS-së. “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, të cilën nuk nguroi ta etiketojë si dramë e cila si mesazh të vetëm la dështimin. “Dy ditët e shkuara në Tiranë ka pasur një ngjarje të veçantë. Një konferencë dyditore në të cilën ishte një dramë me dy akte. Dita e parë e kësaj drame u karakterizua nga fakti se kryeministri i ardhshëm, u dëshmoi shqiptarëve si preokupimin e tij madhor, e para të shtinte në dorë të gjithë territorin e vendit, në një kohë kur administrimi i territorit është atribut me Kushtetutë i qeverive vendore. Ky e din që mjalti i mjaltit është 20%, dhe tani ky 20% duhet të shtrohet në të gjithë vendin. Akt i frymëzuar nga periudha e tij si kryetar Bashkie, që e la Tiranën në situatën më dramatike. Kjo përpjekje ka marrë përgjigje përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese me vendim të saj në vitin 2006, e cila përcakton se territori është çështje e qeverive vendore. Pjesa më tragjike ishte pasioni dhe adhurimi i zotit Rama për Enver Hoxhën. Për shqiptarët ai është një Hitler. Shqiptarët janë të gatshëm të reagojnë në mënyrën më të fuqishme, ndaj çdo provokimi me njeriun më gjakësor. Mos provoko shqiptarët me Enver Hoxhën sepse do të përballesh me zemërimin e tyre më të fuqishëm. Ai ishte një armik i egër i botës së lirë. Unë i kërkoj të jetë shumë i kujdesshëm.”- tha Berisha në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë. Një tjetër element i rëndësishëm në të cilin u ndal Kryeministri Berisha ishte çështja e territorit, ku sipas tij lidershipi i së majtës dëshmoi qartazi se objektivi kryesor i tij është të shtijë në dorë të gjithë territorin e vendit. Ai e konsideroi të paprecedentë vendimin e Ramës për të prishur shtëpitë me leje. Por ajo që është më shqetësuese sipas Berishës në gjithë këtë histori, është akti i dytë i dramës, diskutimi për ekonominë, që sipas Kryeministrit kabineti i ri qeveritar garanton direkt me injorancën dhe padijen e tij se do ta çojë vendin drejt recesionit. “Ky nuk është Edi Rama, por Edi Drama. Ky reagim imi nuk ka të bëjë absolutisht me një qëndrim personal ndaj tij po me një hall të madh që do përballen shqiptarët me të. Ata rrëzuan gjithë programin e tyre për ekonominë. Ekspertët u thanë se detyra numër një është parandalimi i krizës. Ne edhe një javë do jemi, por u garantoj se një nga gjërat që më bën më krenar është se me këtë ekip ne arritëm të parandalojmë krizën, kjo s’do të thotë se, parandaluam vështirësitë tuaja, por kriza, recesioni është i tmerrshëm. Nëse këto 2 muaj kemi bërë përpjekjet më serioze, qëllimi është ai që ka qenë edhe katër vjet më parë, që vendi të mos rrëshqasë në krizë. Piktori u jepte mësim si xhaxhai i tij. Në këto deklarata unë do citoj vetëm disa prej tyre. Shanset e dështimit të këtij ekipi janë të mëdha sepse këta mohojnë gjithçka. Në një kohë kur çdo dokument, ekspert i vërtetë i vendit dhe i huaj thotë se Shqipëria përmes reformave parandaloi krizën. Ku do e nisni, nga do e filloni? Kriza është ndëshkim shumë i madh po të kapë shqiptarët, unë i kuptoj pakënaqësitë e tyre po s’janë asgjë përpara recesionit. Një tjetër ekspert u dha dhe eksperiencën e vendit të tij, Suedisë. U tha rrisni ekonominë, jo taksat. Rritja e taksave i kundërvihet rritjes së ekonomisë. E treta. Nuk do doja kurrë që qeveria e vendit tim të paraqitej në atë formë. Për investimet, u thanë mos i ulni. Ulje investimesh do të thotë shtyrje drejt krizës. Është e vërtetë që krijon borxhe. Por qeveri pa borxhe nuk ka sot në botë. Haptazi u thanë se duhen rritur investimet. Programi pësoi të njëjtin fat si me ekspertin bullgar që e sollën këtu, e sollën për taksën progresive dhe u tha të kundërtën” theksoi Kryeministri.

 

Të hiqen pengesat ligjore dhe të publikohen emrat e abuzuesve dhe vjedhësve

Marrim shkak nga një  kontroll i ushtruar në pikat e shitjes së karburantit, ku u gjetën shumë shkelje, qoftë në përzierjen e karburanteve, qoftë edhe në vjedhjen që bëhet në sasisë e karburantit që tregtojnë këto pikë shitje. Mirëpo, publikisht, nuk mund të përmendet asnjë emër e mbiemër i abuzuesve dhe vjedhësve, por vetëm inicialet e tyre. Në shumë publikime të kontrollove të institucioneve, sikurse KLSH-ja, apo edhe ente të tjera të kontrollit të shtetit, emrat e atyre që janë kapur duke shkelur ligjin, që janë kapur duke abuzuar me pronën e shtetit, nuk shkruhen me emër, nuk publikohen, në emër të ruajtjes të së drejtës së identitetit, por jepet vetëm inicialet e para të emër-mbiemrit. Në këto raste është keqinterpretimi i ligjit, sepse është e pashpjegueshme, përse të mos publikohet një abuzues, një vjedhës ordiner, qoftë ky edhe një zyrtar i administratës së shtetit. Kryeministri në largim, Berisha, duke iu referuar kësaj teme, theksoi se: “Por popullit i thonë se ligji nuk na i lejon që t’i bëjmë publike. Do të sjellësh ( i drejtohet ministrit Mima) me urgjencë, do ta dekretojmë  një akt normativ, për të hequr këtë pengesë. Çdo qytetar le ta marrë vesh se kush i bën hile dhe kush nuk i bën hile. Kjo qenka shumë interesante. Ai merr dhe përzien naftën me naftë pusi dhe ne do t’i themi prit se e ruajmë ne sekretin. Jo, nuk do të ketë asnjë sekret. Megjithatë, mua m’u duk e çuditshme, por, në se ekziston ndonjë pengesë ligjore,do të bëhet një akt normativ sot, për të hequr çdo pengesë ligjore. Le ta rrëzojnë ata, po unë do të shfrytëzoj të drejtën kushtetuese, për të mbrojtur interesin e qytetarëve”,- përfundoi Berisha.

Disa nga vendimet  e djeshme më të rëndësishme të qeverisë “Berisha”

Me vendim qeverie, selia e vjetër e PD kalon pronë e Bashkisë së Tiranës

Me zhvendosjen tek selia e re e SHQUP, selia e vjetër e PD-së do të kalojë në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Vendimi u mor dje në mbledhjen e radhës së qeverisë ‘Berisha’. Kalimi i pronës bëhet mbështetur në ligjin 8 744 për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore.

Qeveria autorizon SHISH, si autoritet kontraktor, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik

Në vijim të vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për disiplinimin e përdorimit të shpenzimeve buxhetore, për vitin 2013”, me propozimin e ministrit të Financave, Qeveria vendosi sot lejimin e Shërbimit Informativ të Shtetit, si autoritet kontraktor, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, me fondet e miratuara në buxhetin e këtij viti, për objektet e mëposhtme: Blerje pajisjesh të teknologjisë së informacionit (kompjuter, skaner, printer, server, laptop i kriptuar; shpim pusi uji teknologjik dhe instalime hidraulike; blerje dhe montim pompe për distributorin e karburantit; blerje pjesësh këmbimi dhe filtrash për automjete, etj. Gjithashtu, qeveria vendosi  lejimin e Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktor, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik me fondet e miratuara në buxhetin e këtij viti, përkatësisht për “Blerje servera, storage për sistemet e Ministrisë së Financave” dhe “Shërbim konsulence për sistemin e Thesarit”. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Agjencia e Prokurimit Publik për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Vendimet e qeverisë, blihen pullat fiskale për barnat, krijohet zona doganore

Zyra e shtypit të kryeministrisë ka zbardhur vendimet e mbledhjes së sotme të qeverisë. Kështu mësohet se Qeveria vendos blerjen e pullave fiskale për barnat, krijimin e një zone doganore në Vorë.  “Qeveria vendos lejimin e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, si autoritet kontraktues, për kryerjen e procedurës së prokurimit publik me objekt “Blerje pullash kontrolli me element sigurie për barnat dhe aksesorë për shtypjen e tyre”, me fond limit 8 400 000 (tetë milionë e katërqind mijë) lekë”, thuhet në vendimin e qeverisë.  Vendimi tjetër i qeverisë ishte krijimi i zonës doganore të përhershme Tiranë (Vorë-Muçaj), në brendësi të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë. “Shtrirja e zonës doganore është në një sipërfaqe prej 71 654 m², sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi”.

Miratohen bonuset për dhënien me koncesion të 2 hidrocentraleve

Këshilli i Ministrave,  në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.125/2013, datë 25.4.2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, vendosi miratimin e bonusit prej 2 (dy) pikësh, për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Katund i Vjetër dhe Reja e Velës”, që i jepet shoqërisë “Demal”, sh.p.k. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave, në këtë mbledhje miratoi bonusin prej 2 (dy) pikësh, për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Dushaj”, që i jepet shoqërisë “Shpresa AL”, sh.p.k.