Bëri fytyrën operacion, ja si i shpëtoi 9 vite shqiptari policisë

495
Arrestohet në Rrogozhinë një 31­ vjeçar që prej 9 vitesh kërkohej nga Italia thuajse në të gjithë Europën, e madje deri në Kanada. Bëhet fjalë për shtetasin F. Shamo, i cili akuzohet për vrasjen e një tjetër shtetasi shqiptar, në Firence të Italisë, ngjarje e ndodhur më 6 gusht të vitit 2007. Shamo kishte përdorur çdo metodë për t’i shpëtuar arrestimit dhe ekstradimit. Që nga operacioni plastik për të ndryshuar fytyrën e deri te kërkesa për azil politik në Kanada.
Megjithëse kishte provuar prezencën e tij në të paktën 4 shtete të Bashkimit Europian dhe në Kanada, Policia italiane nuk kishte arritur dot të bënte arrestimin e tij. Më në fund, i shumëkërkuari F. Shamo u arrit të arrestohej nga Policia e Rrogozhinës mëngjesin e djeshëm. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se arrestimi i 31­-vjeçarit u krye për qëllim ekstradimi drejt Italisë. “Interforc/Italia ka dërguar shkresën e datës 03.06.2016, ku është lëshuar urdhri i ekzekutimit nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Firences, i dënuar me 14 vjet burg, për veprën penale ‘Vrasje në bashkëpunim’, për shtetasin F. Shamo, 31 vjeç. Pritet ekstradimi i këtij shtetasi në drejtim të shtetit italian”, thuhet zyrtarisht në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Sigal