BERAT/ Pacientët blejnë ilaçet, mjekët kërkojnë “gjoba”, mbetjet spitalore hidhen “në rrugë”

    421
    Një letër e ardhur nga Berati, sjell fakte për disa probleme shqetësuese e skandaloze,që ekzistojnë në shërbimin e spitalit të Beratit, të cilën pas investigimit të plotë do ta publikojmë me fakte e emra konkret. Problemi i parë, ka lidhje me faktet e shumta të prepotencës së mjekëve, të mungesës së gatishmërisë së tyre për shërbime urgjente e rutinë, për paaftësi e marrje ryshfetesh nga pacientët, aq sa “nuk të hedhin as sytë, po nuk hape portofolin”. Problemi i dytë, ka lidhje me korrupsionin dhe pazaret e pista, që bëhen me ilaçet e spitalit, të qëndrave shëndetësore dhe urgjencave, duke kaluar nga farmacitë e spitaleve e urgjencave, në raftet e farmacive private të mjekëve dhe klientëve të tyre. Në “dosjen” e ardhur nga Berati, denoncohet fakti që në këtë spital mungojnë ilaçet dhe pacientët detyrohen t’i blejnë ato, kur në fakt spitali dhe urgjenca janë furnizuar rregullisht me ilaçe të blera edhe nëpërmjet tenderësh të bërë me klientelizëm e me “fitues” të paracaktuar, të urdhëruar nga ministri korrupsion e pazarxhi Ilir Beqja, por që këto ilaçe sipas modelit korruptiv “Beqja”, përfundojnë direkt nga firma fituese e tenderit, në “tregun e zi” të farmacive private të mjekëve të spitalit rajonal, duke bërë letra hyrje-dalje fiktive. Problemi i tretë, ka lidhje me mbetjet spitalore që “prodhohen” nga spitali rajonal i Beratit. Sipas letrës dhe burimeve tona të informacionit, mbetjet spitalore që “prodhohen” e dalin nga ky spital, nuk trajtohen sipas ligjit, por hidhen “në rrugë”. Ato hidhen në dhomat e vizitave të shtrimit e nëpër korridoret e spitalit, në kosha të zakonshëm të hapur! Pas kësaj, ato hidhen në koshat publik të mbetjeve të zakonshme, të caktuar për qytetarët që të hedhin mbetjet familjare apo të biznesit. Në spitalin rajonal të Beratit nuk ka veçim, grumbullim, trajtim ligjor e mjedisor të këtyre mbetjeve, të cilat sipas një matjeje të bërë nga institucionet mjedisore, rezulton se vetëm nga një qendër shëndetësore në Berat, dalin mbetje spitalore mbi 12000 ALL/vit, ndërkohë që vetëm nga spitali rajonal i Beratit dalin mbetje spitalore, në masën 5.000.000 ALL/vit. Po sa mbetje dalin nga gjithë shërbimi mjekësor shtetëror e privat në këtë qark? Është një volum tepër i madh, mbasi në koshat publik dhe mjediset e Qarkut të Beratit, hedhin mbetjet mjekësore e spitalore 39 farmaci, 33 klinika dentare, 11 klinika mjekësore, 18 laboratorë, 9 qendra shëndetësore, 5 shërbime urgjence dhe 1 spital qendror rajonal, që trajton pacientë nga gjithë qytetet dhe zonat e qarkut Berat! Është fakt, që gjithë mbetjet spitalore që “prodhohen” nga shërbimi mjekësor në Berat, hidhen përditë në koshat publik edhe pse kjo ndalohet kategorikisht, sipas pikave 3 e 4, të nenit 42, të Ligjit Nr.10.138, datë 11.5.2009 “Për shëndetin publik”, sipas nenit 3 të Ligjit Nr. 9010, datë 13.2.2003 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta” dhe sipas neneve 26 e 27, të Ligjit Nr.9537, datë 18.5.2006 “Për administrimin e mbetjeve të rrezikshme”, të cilat përcaktojnë prerazi, se mbetjet spitalore, duhen trajtuar me izolim të plotë e asgjësim special nga firmat përkatëse të liçensuara. Por kjo prej spitalit të Beratit nuk ndodh, mbasi vet ky spital nuk është e pajisur me liçencë mjedisore për trajtimin e mbetjeve, ndaj dhe i hedhin në koshat publik, ku natyrisht “bëjnë gërmime” shumë hallexhinj, të cilët ushqehen me… biznesin e mbetjeve.
    Sigal