Berat, e rrezikshme të jetosh në Uznovë

1155
Sigal

Lagja periferike është kthyer në një kantier të grumbullimit të plehrave. Projektet e bashkisë nuk miratohen nga Qeveria

“Po na rrezikohet jeta”, është kjo fjala që dëgjon midis banorëve të Uznovës, lagje periferike në qytetin e Beratit. Sipas tyre, bëhet e ditur për “Telegraf”, se lagja përshkruhet nga përroi i Zagores, i cili prej vitesh është tejet i mbushur me plehra nga më të ndryshmet, kafshë të ngordhura, si dhe ka mbetje të ish-Uzinës së Baterive dhe industrisë kimike që kryejnë funksion në këtë zonë. Gjendja duket e rënduar edhe pse janë vetë banorët, ata, që i hedhin këto plehra në këtë përrua. Madje, nuk mungojnë rastet, kur për t’i rënë shkurt në këtë përrua hidhen edhe kafshë të ngordhura, të cilat janë të infektuara me sëmundje që mund të jenë të rrezikshme për banorët. Nga e gjithë kjo, duket qartë se, ky përrua është kthyer në një kantier të grumbullimit të plehrave.

Kërkesa

Kafshë të ngordhura, të cilat qelben erë dhe shkarkimet e lëndëve kimike të industrisë kimike që ndodhet në këtë zonë, po shkatërrojnë këtë përrua dhe jetën e banorëve përreth. Sipas dëshmive të banorëve të zonës bëhet e ditur se, ata disa herë kanë kërkuar pastrimin e këtij përroi dhe mbulimin e tij, në mënyrë që të shmanget rreziku, por sipas tyre nuk është marrë asnjë masë. Burimet nga Bashkia e Beratit thonë se, ky institucion është njohur me këtë gjendje dhe se ka bërë projektin për rehabilitimin e këtij përroi. Projekti është dërguar në ministrinë përkatëse, por kanë kaluar dy vjet nga dërgimi i tij dhe asnjë përgjigje nuk ka dalë, mesa duket projektet që dërgon Bashkia e Beratit mbeten nëpër sirtarët e drejtuesve të qeverisë. Po të njëjtat burime thonë se, kanë ndërhyrë në ministri duke dërguar specialistët e bashkisë, ku kanë kërkuar përshpejtimin e veprimeve.

Dëmtimet

Ky përrua është dhe shumë i rrezikshëm në muajt e dimrit nga prurjet e shumta të ujërave të malit. Nga dëmtimi mureve në vitin 1997, ku një pjesë e mureve janë shkatërruar dhe më pas janë marrë hekurat nga persona të ndryshëm, ku janë përdorur për ndërtime të ndryshme. Ujërat shpërthejnë dhe më pas përmbytin lagjet e qytetit, ku më e rrezikuara është lagja “30 -Vjetorit”.

 Prej 20 vjetësh, asnjë zjarr në pyjet e Skraparit

Mund të jetë një koiçidencë apo kujdesi i banorëve të Skraparit që ka shmangur zjarret në këtë rreth malore më pyje gjigande. Malet janë të tej mbushur me lisa, pisha, shkoza dhe pemë të tjera. Banorët e kësaj zone krenohen me bukuritë, që pjesërisht është nga dora e tyre. Sipas të dhënave statistikore mësohet se, në këto male ka 20 vjet që nuk ka rënë zjarr. Specialistët e Pyjores shprehen për gazetën se, zona e Skraparit duke përfshirë Parkun e Tomorrit, Kapinovën e egër, Mollasin, Malindin, Dobrenjën, Bogovën etj., mbrohen nga banorët, të cilët i konsiderojnë këto pyje si “mushkëritë e tyre”. Specialistët thonë se, pyjet e Skraparit kanë në përbërje të tyre pemë qindra vjeçare siç janë, rrepet, frashri dhe lisat. Mosrënia e zjarrit është kujdesi që tregojnë banorët e pakët që kanë mbetur në këto zona të thella. Të pyetur për këtë rast ata shprehen se edhe në rrethet e tjera të vendit është dora e njeriut që po djeg pyjet, që duan 50 vjet që të rriten ato pemë dhe ky rast, sipas banorëve të Bogovës është një krim që duhet ndëshkuar pa mëshirë, ata duhet të marrin shembull nga ne, -thonë ata.