Berat, Bejko: “Berisha duhet ta dijë mirë se beratasit nuk mashtrohen më”

561
Sigal

Kandidati për deputet në Qarkun e Beratit, mjeku Eduart Bejko në takimet që ka patur me banorët e lagjeve “30 vjetori”, “Uznovë”, “28 Nëntori” si dhe në zonat e Komunës Vërtop e Velabisht është shprehur me tone të ashpra ndaj ofezave dhe ironive të Sali Berishës. Bejko në këto takime me elektoratin e tij iu ka bërë thirrje se ata do të zhvillojnë një luftë të ashpër ndaj Sali Berishës, i cili ka zhgënjyer këtë qark. Bejko është shprehur para elektoratit: “Lipset çdo votë për Partinë Socialiste e Edi Ramën. Kërkohet kjo pasi është treguar që e majta është një parti dinjitoze, e cila është vrarë në 21 Janar dhe është persekutuar në këto 8 vjet. Berisha para se të vijë të kërkojë votën në Berat më parë duhet të kërkojë falje për atë që i ka bërë për 8 vjet rresht, që e ka lënë në pikë të hallit në të gjitha sferat, me infrastrukturë të shkatërruar, në varfëri, pa turizëm e pa punë. Tashmë Berisha na hiqet si një nënë e përvëluar që e do Beratin, por si mund ta dojë këtë qytet kur ka lënë fëmijët e saj si mos më keq. Berisha duhet ta dijë mirë se nuk mashtrohen më beratasit. Ata i kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë pasojat e Berishës në jetën e përditshme. Por ju jeni të zgjuar dhe dini ta bëni diferencën midis Berishës dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. PS do t’i bëjë realitet të gjitha premtimet e dhëna në fushat. Partia Socialiste shprehet sot para jush si një parti që di t’i bëjë realitet premtimet e dhëna dhe do ta nxjerrë Beratin nga kjo gjendje”, tha Bejko.