Beqaj: Mjekëve me zero kredite deri në 2015 do t’u hiqet licenca

    416
    Sigal

    TIRANE– Të gjithë ata mjekë që nuk do të kenë asnjë kredit deri në fund të vitit do të përballen me masat penalizuese. Gjatë takimit me drejtues të institucioneve shëndetësore për programin e ricertifikimit 2010-2014, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, tha se do të zbatohen me rigorozitet kriteret, standardet dhe masat në rast të moszbatimit të tyre. Duke u shprehur se ka boshllëqe në trupën mjekësore, ministri Beqaj theksoi se me rëndësi është gjithashtu që profesionistët e mjekësisë të rifreskojnë njohuritë e tyre në mënyrë të vazhduar, duke plotësuar edhe numrin e nevojshëm të kreditove. “Bordi i ricertifikimit dhe akreditimit, rimori në konsideratë kriteret e parashikuara dhe sanksionet dhe ka dalë në disa përfundime. Bordi u shpreh qartë se ka angazhim dhe vullnet të drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe aktorëve të tjerë, që kriteret dhe standardet të zbatohen në mënyrë rigoroze. Nuk do të lejohen të vazhdojnë të punojnë si mjekë ata që nuk arrijnë të provojnë se bëjnë përpjekje për rifreskimin e dijeve të tyre, atje ku ata punojnë. Për këdo mjek që shpërfill këtë rol kërkesë, masat do të jenë të menjëhershme. Vendet e tyre të punës do të shpallen vakante, qoftë të spitaleve, qoftë të qendrave shëndetësore”, tha ministri Beqaj. Për t’u rikthyer në profesion, këta profesionistë të shëndetësisë do të duhet t’i nënshtrohen provimit të shtetit. “Urdhrat profesionalë do t’ia pezullojnë licencën. Do të mund të rikthehen në profesion pasi t’i jenë nënshtruar provimit të shtetit. Nëse nuk e marrin këtë provim duhet të rihyjnë në provim pas 6 muajsh. Nëse nuk e marrin as herën tjetër, vendi i tyre i punës shpallet vakant dhe iu hiqet licenca. Secili nga aktorët kryesorë në këtë proces duhet të marrë rolin e vet”, u shpreh ministri Beqaj. Në takim janë diskutuar tema dhe çështje që lidhen me kriteret dhe sanksionet që zbatohen në programet e ricertifikimit, rolin e institucioneve në planifikimin, organizimin dhe mbështetjen e edukimit në vazhdim për profesionistët e kujdesit shëndetësor, si dhe janë prezantuar udhëzime të tjera praktike për plotësimin e kërkesave të programit të ricertifikimit.