Bello: Liderët, përgjegjës për depërtimin e elementëve me të kaluar kriminale në parlament

520
Ish deputeti Marko Bello, anëtar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar diskutimit të raportit për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, pohon se klasa jonë politike konfortohet dhe shtontensionin politik në kundërshtim me interesat e vendit, për t’u shërbyer interesave partiake. Ndaj kjo klasë politike, sipas zotit Bello, nuk mund të reformojë sistemin e drejtësisë. Dhe pohimi tjetër i zotit Bello, është se liderët e partive politike janë përgjegjësit për depërtimin e elementëve me të kaluar kriminale në parlament. Duke iu referuar zgjedhjeve të 21 qershorit, zoti Bello, parashikon që do ketë një pjesëmarrje të dobët, për shkak të zhgënjimit.
– Zoti Bello, PE-ja në diskutimin për raportin e Shqipërisë konstatoi edhe një herë tensionimin e klimës politike në Shqipëri. Pyetja është: A është substanciale ky tensionim politik dhe a ndihmon në progresin e proceseve të integrimit? 
– Nuk është hera e parë që klasa jonë politike konfortohet në kundërshtim me interesat e vendit. Kancelaritë perëndimore dhe strukturat e Bashkimit Europian janë lodhur me këtë lojë të shëmtuar të politikanëve tanë, të cilët haptas vënë interesat e ngushta mbi ato të vendit dhe qytetarëve që kërkojnë që edhe Shqipëria të integrohet dhe arrijë standartet europiane. 
– Atëherë kujt qëllimi i shërben kjo sjellje politike dmth konfliktualiteti politik?
– Sa kohë janë në opozitë, politikanët ngjiren për liritë dhe të drejtat e njëriut, zgjedhjet e lira e të ndershme, luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por kur vijnë në pushtet preokupohen vetëm për t’u pasuruar dhe kënaqur ambicjet e veta, larg halleve dhe interesave të qytetarëve që i kanë votuar. Është kjo arsyeja që sot ne konstatojmë zhgënjimin e zgjedhësve dhe trishtimin e madh të tyre, teksa shikojnë sesi janë mashtruar nga politikanë të papërgjegjshëm, arrogantë dhe të korruptuar. Ndaj edhe vota kundër preferohet sot në raport me votën pro. Ajo mbart zhgënjimin dhe ndjenjën e ndëshkimit, që qytetari po i përgatit politikës mashtruese. 
– Sërish, sipas raportit të PE-së, Shqipëria nuk ka bërë hapa përmirësuese në drejtësi e gjyqësor. Si shpjegohet, që edhe pse këto janë prioritetet e vazhdueshme që BE kërkon nga Shqipëria, ne nuk bëjmë reformat, por politizojmë vazhdimisht drejtësinë dhe gjyqësorin?
– Reformimi i gjyqësorit është një nevojë urgjente për shoqërinë tonë, sa kohë nuk ka humbur tërësisht besimi i qytetarit tek sistemi. Pushteti gjyqësor është sot gangrena e krejt sistemit: nga njëra anë është ndërhyrja e politikës në sistemin e drejtësisë për ta kontrolluar atë dhe nga ana tjetër, korrupsioni në radhët e një pjese të gjyqtarëve dhe prokurorëve ia kanë ulur ndjeshëm reputacionin, besueshmërinë dhe integritetin sistemit të drejtësisë. Të gjithë flasin për nevojën e reformimit të gjyqësorit, por shumë pak bëhet për ta adresuar konkretisht situatën në këtë drejtim…Personalisht mbetem skeptik dhe nuk mendoj se kjo klasë politikë mund ta reformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri…
– Mendoni se klasa jonë politike ka në axhentën e saj hapjen e negociatave për anëtarësim në BE?
– Krejt spektri politik shqiptar ngjiret dhe përbetohet nga mëngjezi në mbrëmje se po punon për plotësimin e kritereve për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian. Në realitet, bëhet pak ose shumë pak. Nuk kam fakte të them se ka një strategji të qëllimshme për ta sabotuar procesine integrimit, por gjykuar nga ngadalësimi i tij, rezultatet e dobëta, mungesa e impenjmit, papërgjegjshmëria, mbushja e administratës me të paaftë dhe të inkriminuar mund të themi pa frikë se klasa jonë politike duket sikur nuk e ka kaq përzemër agjendën e integrimit. Madje, paaftësinë e saj përpiqet ta mbulojë me gjoja përtacinë dhe lodhjen e vetë BE për zgjerim. Kjo është e turpshme dhe dëshmon se sa fatkeqe janë shqiptarët për politikanët që kanë në krye.
– Përse maxhoranca dhe opozita kanë politikë krejtësisht të kundërt për dekriminalizimin?
– Dekriminalizimi është një objektiv i rëndësishëm që duhet të realizohet sa më shpejt dhe për këtë kërkohet impenjimi i të gjitha palëve. Në fund të fundit, janë partitë politike dhe kryesisht liderët e tyre përgjegjës për depërtimin e elementëve më të kaluar kriminale në parlament dhe administratën qëndrore dhe lokale, prandaj është dashur që procesi i dekriminalizimit të vijojë pa menduar për përfitime të vogla partiake. Situata është tejet serioze dhe vendi rrezikon të kaplohet e kontrollohet nga krimi i organizuar, me pasoja katastrofike për të ardhmen, sigurinë dhe stabilitetin e vendit dhe shoqërisë.
– Derisa partitë nuk dëshironin që në Kodin Zgjedhor të shtonin amendamente për dekriminalizimit si pengesa ligjore për të mos lejuar kandidatë me veprimtari kriminale atëherë sa të besueshme janë tani akuzat për kandidatë të dënuar për vepra kriminale?
– Ky konstatim reflekton minimalisht papërgjegjshmërinë e klasës politike dhe kapjen e segmenteve të saj nga krimi dhe korrupsioni. Duket se nuk ka vullnet për të luftuar konkretisht dhe me vendosmëri kundër sëmundjeve që kanë prekur shoqërinë tonë si pasurimi me çdo mjet e mënyrë, në shkelje të ligjit, korrupsioni, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, polarizimi dhe varfërimi i thellë që po detyron mijëra qytetarë të largohen si në eksodin e viteve ’90-të. 
– Çfarë produkti politik besoni se do të dalë nga këto zgjedhje vendore?
– Është ende shpejt të flitet për një produkt, kur ne nuk kemi programe për zhvillimin e qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë në 4 vitet që do të pasojnë. Është bërë një reformë territoriale dhe administrative dhe do të shikojmë sesa ajo i përgjigjet pritshmërisë së zgjedhësve për modernizimin e qëndrave politike dhe administrative, rritjen e cilësisë së jetës dhe mirëqënies së qytetarëve. Shenjat nuk janë kaq pozitive, ndaj mendoj se pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë e ulët, ndërsa produkti i dobët..Megjithatë, të shpresojmë.
– Faleminderit!
Sigal