Behar Dervishaj:Ushtarakët nuk do përdoren më si mish për top nga partitë politike

    381
    Sigal

    Intervista/Flet Behar Dervishaj, anëtar i Asamblesë së Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë

    Ushtarakët nuk pranojnë që të bashkëpunojnë me asnjë forcë tjetër politike përveç Partisë Socialiste. Një gjë të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf” Behar Dervishaj, anëtar i Asamblesë së Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve ne Rezervë të Shqipërisë. Po ashtu zoti Dervishi, ka bërë të ditur se është kundër mendimit që ka shprehur në një intervistë të para pak ditëve Zyhdi Kroi, që pritet të nënshkruhet një marrëveshje me LSI nga ana e ushtarakëve.

     -Zoti Behar ju jeni shprehur kundër zotit Zyhdi Kroi, i cili ka dhënë një intervistë për “Telegraf” dhe ka deklaruar që ushtarakët po presin të bëjnë marrëveshje me LSI-në. Ju përse jeni kundër?

    -Unë dua të them që President është zoti Mehdi Pogaçi dhe ai e ka të drejtën e deklarimit. Unë jam anëtar i Asamblesë dhe ky problem nuk është shtruar asnjëherë që ne do të mbështesim këtë forcë politike, domethënë LSI-në. Çdo gjë ne e kemi diskutuar dhe kemi thënë që do të mbështesim Partinë Socialiste, sepse aty gjejmë mbështetjen dhe aktivitetin e të gjitha veprimet e tjera. Por këtu në Korçë ka edhe diçka tjetër që kryetari i shoqatës kandidon për Partinë e Punës së Rindërtuar. Por ajo nuk ka problem, problemi është tek ajo që ka thënë zoti Kroi, unë dua të di ku e ka mbledhur Asamblenë ai, ku e ka mbledhur kryesinë e shoqatës. Presidenti i shoqatës nuk ka qenë as në Tirane.

     -Ju përse jeni kundër bashkëpunimit me LSI-në?

    -Është e padrejtë të bashkëpunojmë me LSI-në dhe për më tepër Zyhdi Kroi nuk është as i zgjedhur. Ai nuk mund të flasë në emër të shoqatës së Ushtarakëve, pasi ne kemi Presidentin e Shoqatës i cili është Zoti Mehdi Pogaçi. Po ashtu unë i kam telefonuar dhe kam diskutuar edhe me zotin Mehdi Pogaçi, te cilit i thashë se: “ti je njeri i nderuar, sepse ti ushtarakët i ke futur në CIOR” (Konfederatën Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë të NATO-s). Gjithashtu, pas Presidentit vjen sekretari i përgjithshëm, zoti Zoi Kote, i cili ka tagrin për të folur pas Presidentit dhe jo Zyhdi Kroi.

     -Zoti Behar, ju jeni i bindur që do të mbështesni Partinë Socialiste, si e shihni programin që ajo ka për ushtarakët dhe si e shihni faktin që nuk pranoi të ketë kandidatë nga ushtarakët?

    -Ne nuk duhet të harrojmë që kemi ish-ushtarakë deputet në Partinë Socialiste edhe pse jo fort aktive në mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve. Përsa i përket programit të Partisë Socialiste për ish-ushtarakët unë mund të them që ai program na mbështet ne. Dhe Edi Rama ka dalë edhe në takime me ish-ushtarakët dhe ka deklaruar mbështetjen. Por unë dua të them që si është e mundur që të mbështesim LSI-në, kur ai ishte zëvendëskryeministër votoi amendamentin që na e çoi pensionin në fund me 133 mijë lekë. Edhe pse ai ka kaluar në krahun e majtë, unë nuk jam për të mbështetur Ilir Metën. Sidoqoftë PS-ja duhet të kishte marrë kandidatë nga drejtuesit e Shoqatës sonë, në qendër dhe në rrethe, pasi ata do të mbronin dhe mbrojnë më mirë interesat e ushtarakëve.

     -Si e shikoni kandidimin e kryetarit të ushtarakëve të Korçës Kiço Tele për Partinë e Punës së Rindërtuar?

    -Unë nuk mund ta zë në gojë kandidimin e Kiço Teles, pasi ai është vendim i tij personal dhe unë nuk kam të drejtë që ta komentoj. Unë mund të them që ajo është në të drejtën e tij. Po ashtu mund të them që ai ka bërë shumë për ushtarakët e Korçës dhe është i nderuar. Unë jam i shqetësuar se ku e gjen të drejtën Zyhdi Kroi për të përfaqësuar ushtarakët e tërë Shqipërisë, po ashtu qeveria Berisha me zëvendëskryeministër me 133 mijë lekë në muaj. Madje dua të them që qeveria ka anuluar edhe gjyqet dhe ne nuk kemi të drejtë më për gjyqe, pasi i ka pezulluar Qeveria dhe Kryeministri. Po ashtu edhe pensioni suplementar ka tetë muaj pa u marrë.

     -Është folur se Presidentit të Shoqatës zotit Pogaçi, do i ofrohet post në qeveri nga aleatët e opozitës, pa përjashtuar këtu edhe LSI-në, a do të pranonit?

    -Jo, nuk do të pranonim oferta të tilla. Ne duam të bashkëpunojmë me Partinë Socialiste dhe ajo duhet t’ia ofroje patjetër postin Presidentit të Shoqatës sonë dhe Shoqatës ne tërësi. Partitë  e tjera, edhe pse mund të jenë aleatë të PS-së, mendoj se, përsëri, nuk duhet ta pranojmë diçka të tillë. Partia Socialiste duhet të bëjë më shumë, duke marrë angazhime konkrete me drejtuesit e Shoqatës dhe kjo duhej të ishte bërë më parë, me qëllim që ushtarakët të mos hallakaten nëpër partitë e tjera. Shpërndarja e ushtarakëve dëmton votat e Partisë Socialiste, e cila nuk duhet ta lejoje një gjë të tillë, por të bashkëpunojë ngushtësisht me drejtuesit e Shoqatës sonë në qendër.

     –Duke marrë edhe një herë shkas nga kandidimi i kreut të shoqatës së Ushtarakëve të Korçës për Partinë e Punës të Rindërtuar, a duhet që këto kandidime të bëheshin me aprovimin e Presidentit të shoqatës?

    -Po, mendoj që duhet të ishte bërë një gjë e tillë. Dhe të ishte marrë një vendim i përbashkët, ndryshe përligjet çdo lloj bashkëpunimi. Por në lidhje me kandidimin e kryetarit të shoqatës së Korçës nuk dua të bëj komente, pasi është vendim i tij. Normalisht që edhe Presidenti i Shoqatës e ka në dorë atë çështje.

     -A do të pranonit që të bashkëpunonit me Partinë Demokratike, nëse do ju premtonte që do ju jepte zgjidhje problemeve të ushtarakëve, përfshi edhe rritjen e pensionit në 400-500 mijë lekë të vjetra?

    -Personalisht mendoj se nuk duhet të pranojmë të bashkëpunojmë, sepse ka 16 vjet kjo qeveri dhe nuk ka bërë asgjë. Prandaj nuk pranojmë në asnjë mënyrë të bashkëpunojmë, pasi nuk kam besim se PD e realizon një gjë të tillë. Ish-ushtaraku është katandisur në fund fare sot. Sidoqoftë vendimet i marrin organet e zgjedhura të Shoqatës nga Presidenti, Bordi Ekzekutiv, Këshilli i Përgjithshëm e deri te Asambleja Kombëtare, anëtar i së cilës jam edhe unë dhe do të mbaj qëndrimin tim. Ne do besojmë vetëm tek ajo forcë politike që bën realitet zbatimin e statusit të ushtarakëve  dhe jo ata që na kanë mashtruar këto 20 vite kushdo qofshin,të majtë ,të djathtë apo të qendrës.