Begeja: Qeveria dështon në përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj pronarëve

    420
    Projektligji për pronat i paraqitur nga qeveria, propozohet në një kohë, kur procesi i njohjes, kthimit e kompensimit të tyre, është pezulluar prej më shumë se dy viteve. 
    Ky p/ligj dëshmon qartësisht dështimin e Qeverisë në përmbushjen e detyrimeve të saj në zgjidhjen e çeshtjes së pronës.
    Ajo ka bërë një hap thelbësor mbrapa duke cënuar të drejtën e njohjes dhe kthimit të pronës sipas kritereve të vendosura në nenin 41 të Kushtetutës. 
    Ky p/ligj nuk zgjidh problemin e problemin e pronarëve legjitimë por kërkon të zgjidhë hallin e qeverisë nëpërmjet një shpronësimi dhe mashtrimi të ri.
    Ai fundos përfundimisht edhe ato pak të drejta të fituara deri më sot nga 
    pronarët . P/ligji hedh poshtë konceptet mbi të cilat janë miratuar të gjithë ligjet gjatë këtyre 25 vjetëve nga Kuvendi i Shqipërisë . 
    P/ligji që në emërtim dhe përmbajtje trajton vetëm kompensimin e pronës, duke shfuqizuar ligjin ekzistues që bazohej në kthimin e pronës pronarëve legjitimë.
    E thënë thjeshtë, nga çasti i miratimit të këtij p/ligji, asnjë pronari nuk do ti kthehet fizikisht prona e tij edhe kur ajo është e lirë.
    P/ligji nuk shoqërohet nga asnjë një faturë financiare, por vendos aforfe vetëm një fond kompensimi prej 500 miljon USD për 10 vjet. 
    Ky fond nuk përfaqëson vlerën reale të pronës së pa kthyer apo kompensuar 
    deri më sot. Kjo vlerë realisht është mbi 30 miljard euro. 
    P/ligji shtrin efektet e zbatimit të tij mbi ekzekutimin e gjithë vendimeve të marra për pronat të dhëna nga organet administrative e gjyqësore dhe në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut. Pra ai do të ketë fuqi prapavepruese, mbasi këto vendime do ti nënshtrohen vlerësimit nga Agjensia e Trajtimit të Pronave. Kjo përbën shkelje të Kushtetutës.
    Vlera e pronës sipas këtij p/ligji, do të përcaktohet sipas “hartës së vlerës” që miratohet me Vendim Qeverie, pa u bazuar në çmimin e tregut dhe transaksionet mbi tokën, por i hamendësuar vetëm duke u bazuar në interesat e qeverisë për të reduktuar në maksimum faturën financiare për kompensimin e pronarëve. 
    Ky qëndrim është hedhur poshtë nga Gjykata e Strasburgut me vendimet e saj. 
    Toka për kompensim do të trajtohet me status ligjor që ka patur në kohën e sekuestrimit, pra atë të vitit 1945. 
    Kështu tokat për rreth qyteteve të cilat janë shfrytëzuar prej dekadash si tokë truall, do të vlerësohen me çmimet e tokës bujqësore, me një çmim rreth 140 herë më të vogël se çmimi truallit. 
    Në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës, Agjensia e Trajtimit të Pronave i kompenson fizikisht pronarit të ligjshëm vetëm sipërfaqen që i korrespondon vlerës që ka patur prona në momentin e shpronësimit. Ndërkohë që pjesën e mbetur merret nga shteti dhe kalon në fondin e ATP-së që ta përdorë për të kompensuar subjektet e tjera, apo për tu shitur në ankand .
    Ky akt, përbën shpronësim apo konfiskim të pasurisë nga një autoritet administrativ pa një vendim gjyqësor. 
    P/ligji i jep ATP kompetenca që të bëjë tregëti me pronat duke organizuar 
    ankande dhe duke shitur prona , duke e detyruar pronarin të marrë pjesë në ankandin e pronës së vet. Pra pronari duhet të blejë pronën e tij të trashëguar, me çmimin e kërkesë ofertës në ankand. 
    Sipas p/ligjit pronarët nuk mund ti drejtohen gjykatave për të kërkuar rivendosjen në afat të njohjes së pronësisë. 
    Kjo do të thotë se pas dy muajsh nga miratimi i ligjit pronarët humbin përgjithmonë të drejtën e përfitimit të pronës së tyre. 
    Ky p/ligj nuk është konsultuar me grupet e interesit, pronarët e ligjshëm. Në veçanti ai nuk është konsultuar me asnjë strukturë apo ekspertizë të BE-së.
    Çeshtja e pronës është një kusht për zgjidhje i vendosur nga BE bazuar mbi rekomandimet e Gjykatës të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. 
    Për këtë Partia Republikane do të luftojë deri në fund për ruajtjen e të drejtave kushtetuese të pronarëve. 
    Ajo kërkon që p/ligji ekzistues ti kthehet qeverisë, e cila të reflektojë për vrejtjet e grupeve te interesit. 
    Gjithashtu PR nëpërmjet deputetëve të saj në Parlament do të paraqesë në Kuvend amendamente për këtë p/ligj, me qëllim që ti japë zgjidhje problemit të pronave, duke zbatuar kështu rekomandimet e dhëna nga Gjykata Europiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut , Kushtetutën e Shqipërisë dhe për të mbrojtur interesat e pronarëve.
    Sigal