Bedri Blloshmi: Poetët e paharruar të marsit!

    463
    Sigal

    Vilson Blloshmi sot do të ishte 65 vjeç, ndërsa kushëriri i tij Genc Leka do të ishte 72 vjeç. Të dy nga fshati Bërzeshtë. Filloren e mbaruan po në Bërzeshtë. Genci duke qenë më i madh disa vite, shkoi dhe ndoqi arsimin në qytetin e Elbasanit, madje dhe e ushtroi profesionin e mësuesit, deri në vitin 1967. Vilsoni e mbaroi Pedagogjiken në Elbasan, më 1966, por me një ndryshim nga kushëriri i tij. Vilsoni nuk dha asnjë orë mësimi. Ishte një periudhë kur lufta e klasave ishte në kulmin e saj, në lulëzim e sipër për sa i përket terrorit që u zhvillua mbi klasën e përmbysur në Shqipëri. Genci do të rropatej në punët më të rënda në fermë, pyjore e gjithkund duke u survejuar, duke u ndjekur këmba-këmbës nga minjtë e gjirizeve, komunistët e gjirizeve dhe sigurimi famëkeq. Genci ndiqej nga ky llum shumëkëmbësh që nga viti 1959, deri më 31 gusht 1976, ditën që i hodhën prangat. Po ashtu edhe Vilsoni. Të njëjtët spiunë filluan ta survejojnë që nga viti 1963, deri më 5 gusht 1976, ditën që e prangosën. Vilsoni do të punonte në kooperativë, në ndërmarrjen “Stavraj” dhe në minierën e Përrenjasit, 1500 metra në thellësitë e nëntokës. Edhe në këto kushte këta iu nënshtruan fatit, duke pasur shokë dhe bisedonim vetëm me librin. Ata studionin përkthime, krijonin sipas mënyrës së tyre, ashtu gjithmonë në heshtje pa kundërshtuar asnjëherë dhe kur i ndëshkonin apo provokonin aty ku punonin. Ata të dy diskutonin me njëri-tjetrin dhe xhaxha Hasanin. Mirëpo terroristët-komunistë, përsëri nuk i lanë atje, ku u rezervuan atë fat për të dy intelektualët dhe poetët. Intriguan, shpifën, sajuan me shkresa që nga kriminelët e Tiranës Hysni Kapo, Ramiz Alia, Nauka Bozo, një farë Miti, e ku di unë, lloj-lloj plehrash, për t’i shpërndarë dhe për t’i bërë të besueshme në komitetet e partive të rrethit dhe në organizatat bazë të kriminelëve të partisë komuniste. Sajuan çfarë iu desh, mbasi na ndërruan dhe akt akuzat, gjetën një formulë tjetër e cila u garantonte vdekje të dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Gjyqin e bënë me dyer të mbyllura. Aty poshtë mësova se Vilsoni dorën e majtë e kishte gati të paralizuar, nga torturat me pranga, në birucat e Tiranës, tek rruga Mine Peza. Më 17 korrik, mbas 35 ditësh të lidhur kokë e këmbë me pranga e me zinxhirë, i marrin në mes të natës, i pushkatojnë dhe i groposin në buzë të një përroi me emër të çuditshëm “Përroi i Firarit”. Genci e Vilsoni, tani ju duhet ta keni marrë vesh se unë i kam zbuluar të gjithë ndyrësirat e komunizmit në bashkëpunim me sigurimsat. Kam zbardhur tërë rrjetin e organizuar që në Bërzeshtë, e deri në Librazhd, Tiranë, Elbasan dhe Lushnje. Të gjithë bashkëpunëtorët e sigurimit, të gjithë informatorët, rezidentët, forcat e lira, deri tek dëshmitarët që ju i patë me sytë tuaj, që flisnin me kokën ulur, duke u ngatërruar me gënjeshtrën. Genci dhe Vilsoni shumë nga këta sigurimsa, hetues, operativë e të tjerë bij të komunizmit, i ka marrë në mbrojtje Partia Demokratike. I ka punësuar, i ka pasuruar, duke i çuar në ato vende pune ku grabitet e vidhet më shumë. Madje o Genci, përkrahje shumë të veçantë i kanë dhënë informatorit, spiunit dhe dëshmitarit Leka. Ai u ngjit në hierarkinë partiake. Për ta ndihmuar e caktuan dhe drejtor të një sektori me faturat e energjisë elektrike. Mirëpo sigurimi e ndiente veten borxhli ndaj kësaj familje dhe e ngritën akoma më lart. Pra, o Genci dhe Vilson: Dijeni mirë, se me ne të tërë, pra me anëtarët e dy familjeve tona, zhvillohet një lloj lufte klasash, por e një lloji tjetër, nga ajo e mëparshmja. Ndërsa personat janë të ndryshëm, me të njëjtën partishmëri, sekretarët e partisë komuniste që zhvillonin luftën e klasës, para ‘90 –s edhe tani po zhvillojnë luftën e klasave,duke i dhënë prioritet neo-komunizmit dhe sigurimit. Pra, shkurt o Genci e Vilson, po nuk pate lidhje me komunizmin, po nuk pate lidhje me sigurimin, po nuk je bashkëpunëtor informator, denoncues, apo të kesh kryer ndonjë krim, PD nuk të përkrah, ky është realiteti i sotëm që po jetojmë. Asgjë nuk u vu në praktikë në ndryshimin e sistemit nga ato që më shpjegonit ju të dy, nga leksionet e demokracisë. Këtu po përpiqen të ndryshojnë kapitalizmin komunistët, e jo ashtu siç e mendonit ju. Cone, më 7 Mars, ne përcollëm Tetën, në banesën e fundit. Tani ata janë bashkuar të gjithë, gjyshi, xhaxhi Hasani, për të cilin  të kam thënë më përpara se ndërroi jetë në kampin shfarosës të Spaçit. Në krah të tyre është gjyshja që ti e varrose vetë, me ato duar, në 27 Korrik 1967, kohë kur babai jonë ishte në burg. Në krah të gjyshes, o Vili është mamaja jonë, e cila për pak muaj mbush 10 vjet, që ka ndërruar jetë. Natën e 29 Marsit, 1991 më lëshuan se s’kishte kush të më mbante më në burg. Kur vajta në shtëpi, rreth orës 00 1 të mesit të natës, mamanë e gjeta zgjuar. E di çfarë tha, kur më pa te dera e konakut:Au erdhi Bedriu, shyqyr o zot, a të ishte gjall dhe ai tjetri.  Pastaj, u ngrit nga vendi ku rrinte pas zjarrit, nxitoi të më përqafonte, por nuk mundi se u shemb në mes të konakut. U ula dhe kur e kapa për ta ngritur pashë se ajo ishte zverdhur, i kishte rënë të fikët. Ti Genci e di se Gjikën, e ke në krah, shumë afër. Ndërsa babanë (Bardho Leka ) shkrihet dalë nga dalë në një vend, disa kilometra larg. Jam interesuar e kam gjetur vend-varrimin, në varrezat e Prizrenit, të kam shkruar më parë. Të kam thënë se miqtë e tij më dhanë orën, e cila vazhdon të punojë, e ju o të shkretë vazhdoni të kalbeni para kohe, sepse dora gjakatare terroriste- komuniste ua këputi jetën në moshën më të mirë dhe ju groposën buzë një përroi të shkretë. Tika dhe Tina janë gjallë dhe me shumë vështirësi jetojnë. Zhulli është shumë e lodhur,  Eni vazhdon e sëmurë dhe lëngon në spitalet jashtë vendit, duke u torturuar nga kimioterapia. Diana e thinjur, dalë nga dalë po jeton. Tani: “Gëzuar ditëlindjen, 18 dhe 23 Marsin”. Mos kini merak, se prapë do ju shkruaj, kurrë nuk do ju harroj .Gëzuar, gëzuar o vëllezër, o drita e jonë, e përjetshme.