Bedri Blloshmi: Dëmshpërblimet e të përndjekurve, ende në udhëkryq

    430
    Sigal

    Flet Bedri Blloshmi: Instituti i të Përndjekurve kalon në varësinë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

    Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë do jetë në varësinë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf”, Drejtori i Institutit, z. Bedri Blloshmi. Ai tregon se ishte vetë zv/ministrja e Mirëqenies Sociale, znj. Gentiana Sula, e cila kishte komunikuar se, “ne do të jemi në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe se kalimi do bëhet gradualisht nga Ministria e Drejtësisë në këtë ministri”. Ai tregon për takimet e tij të para, me Ministrin Erion Veliaj, zv/ministren e Mirëqenies Sociale, me Drejtoreshën e Thesarit, për pikëpamjet dhe vizionin e tij si drejtues institucional i të përndjekurve politikë. Ndërsa, përsa i përket dëmshpërblimit, z. Blloshmi shprehet se, ende nuk ka ndonjë të dhënë se kur do të rifillojë, por, sipas tij, “derisa ne shkuam te Drejtoresha e Thesarit në Ministrinë e Financave, duket që gjërat do të lëvizin shumë shpejt”.

     Z. Blloshmi, cilat janë hapat e parë që morët në momentin, kur u ulët në pozicionin e Drejtorit të Institutit të të Përndjekurve?

    Sapo mora këtë pozicion vura re që ka probleme të mëdha dhe doja që t’i shprehja këto në Ministrinë e Drejtësisë. Këtu është shkurtuar shumë organika, na janë hequr mjetet, me të cilat mund të lëvizim, se ne duhet edhe të lëvizim që të kërkojmë vendet se ku janë groposur të pushkatuarit politik dhe t’u japim atyre një varr. Zyrat janë në gjendje të mjerueshme. Nuk funksionon asgjë, rrjeti elektrik është shumë i amortizuar. Nëse do të vesh një ngrohëse, sepse këtu nuk rrihet, pasi është më keq se në burg, bie automati dhe gjithë administrata rri pa punë. Shumë shpejt zv/ministrja e Mirëqenies Sociale, znj. Gentiana Sula, kontaktoi në telefon dhe kërkoi takim. Në takim na komunikoi, se ne do të ishim në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe se kalimi do bëhet gradualisht nga Ministria e Drejtësisë në këtë ministri. Duke qenë se Instituti ynë do të jetë në varësi të kësaj ministrie, atëherë unë njoftova zv/ministren për gjendjen e zyrave dhe më pas i kërkova se ç’do bëhej me dëmshpërblimet, sepse, sipas meje, procedura e ndjekur deri tani nuk është e drejtë dhe Ligji për Dëmshpërblimet e të përndjekurve politikë është një ligj sakat, sepse ende nuk është shfuqizuar Neni i Terrorizmit, që shumë të dënuar që janë ridënuar dhe pushkatuar në burg, janë akuzuar me këtë nen. Ajo më kërkoi që të gjitha kërkesat duhet t’ia drejtoja në mënyrë zyrtare me shkrim. Gjithashtu, të gjitha dosjet që janë të bllokuara për shkak të një afati për plotësimin me dokumente, që sipas punonjësve janë rreth 2000 të tilla, do të kalojnë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale. U hodh dhe mendimi që dosjet të merreshin në Institut, por mungesa e ambienteve dhe kushtet janë të disfavorshme për këtë lëvizje. Kam takuar edhe Drejtoreshën e Thesarit në Ministrinë e Financave në shoqërinë e zv/ministres Gentiana Sula. Në këtë takim ngrita problemin se dhënia e dëmshpërblimeve është bërë në mënyrë gjysmake. Ende pa mbaruar kësti i parë i dëmshpërblimeve, ka filluar shpërndarja e kësti të dytë. Unë kërkova që të mos bëhen më këto kalime dhe favorizime dhe se pa mbaruar kësti i parë, nuk do të bëhet asgjë tjetër. Nuk dua më të marr vesh që bëhen hatërllëqe duke bërë favorizime personave të caktuar, në të kundërt do e bëj problem te Kryeministri, i thashë. Ajo u hoq e paditur në këtë aspekt dhe më tha që bashkëpunimi që këtej e tutje do të jetë midis nesh. Gjithashtu, kam bërë takim dhe me ministrin Veliaj, i cili u tregua i gatshëm në mënyrën sesi do të bëhen gjërat këtej e tutje. Më premtoi se nuk do të kemi probleme dhe do të mundohemi t’i zgjidhim sa më mirë e sa më shpejt.

    Po përsa i përket dëmshpërblimit të të përndjekurve kur do të rifillojë dhe me cilët? Cilët, sipas jush, duhet të kenë përparësi përsa i përket dëmshpërblimit?

    Unë kam këmbëngulur, si edhe të tjerët, që t’u jepet përparësi të moshuarve. Ata duhet t’i marrin, edhe sepse nuk kanë shumë kohë për të gëzuar dëmshpërblimin e tyre, për shkak të moshës, të sëmundjes. Gjithashtu, kam ngritur problemin edhe për të sëmurët të cilëve prapë duhet t’u jepet përparësi, sepse ata ngelën nëpër spitale dhe se nuk dihet sesi do u vazhdojë kjo punë. Kishim një rast këtu të një zonje nga Erseka, i kishte vdekur burri në spital, i cili kishte bërë gati 30 vjet burg. Spitali e kishte çuar në morg dhe nuk ia jepte, sepse nuk kishte lekë. U mblodhëm të gjithë këtu dhe me kontribute vullnetare arritëm të grumbullonim 600-700 mijë lekë, por kjo nuk është zgjidhje. Unë kam kërkuar që shokët tanë që kanë vuajtur burgjeve, të paktën të shkojmë dhe t’i mbulojmë neve shpenzimet e funeralit. Ata janë njerëz në një gjendje, ku thërret kiameti. Dhe këtë gjë ma mbështeti dhe ministri Veliaj.

     Po kur do fillojnë dëmshpërblimet, ndërkohë që sipas buxhetit 2014, fondi për ish të përndjekurit është më i vogël se ai i një viti më parë?

    Kjo është e vërtetë, kur kam ardhur unë këtu kishte kaluar projektbuxheti madje dhe këtë problem e kam ngritur dhe më kanë thënë që me ardhjen e qershorit do të kemi shtesa të tjera për t’i plotësuar mangësitë.

     Por, ndërkohë asgjë për fillimin e dëmshpërblimit…

    Jo, nuk kanë thënë gjë, sepse jemi në procesin e kalimit të varësisë nga Ministria e Drejtësisë të ajo e Mirëqenies Sociale. Por, derisa ne shkuam te Drejtoresha e Thesarit në Ministrinë e Financave duket që gjërat do të lëvizin shumë shpejt.

     Ndërkohë një grup ish të përndjekurish të kryesuar nga Skënder Tufa kanë dorëzuar në Parlament një projektligj. A ju përfaqëson  juve ky projektligj, a është në interes të ish të përndjekurve?

    Unë i hodha një sy gazetës “Telegraf” dhe pak a shumë janë ato gjëra të cilat unë kam trajtuar me zv/ministren Gentiana Sula. Por, projektligji për të shfuqizuar Nenin e Terrorizmit, se unë gjithmonë këtu kam ngulmuar, unë di se ka shkuar në Komisionin e Ligjeve dhe atje është anashkaluar nga qeveria që shkoi, pra nuk ka shkuar në Parlament. Unë s’di se kush janë këto, çfarë është ky projektligj se kush e ka hartuar atë, por bërja e një projektligji ka një procedurë e cila duhet të kalojë disa hallka deri në implementimin e tij kur bëhet ligj.

     Cilat janë prioritetet tuaja, çfarë kërkoni të arrini ju në këtë pozicion që paraardhësit tuaj nuk e kanë bërë?

    Unë kam kërkuar që të na jepet mundësi dhe hapësirë, për të punësuar njerëzit tanë, ata që janë të shkolluar, me mastera dhe znj. Sula është treguar e gatshme. Kam kërkuar që ata pak njerëz që janë në punë, të mos i lëvizin, se po i heqin çdo ditë e më shumë. Dhe më kanë premtuar se do i rregullojmë.

     Ndërkohë ju keni pasur marrëdhënie si Institut dhe me Ministrinë e Arsimit. Si po shkon ky proces?

    Kur shkova në Ministrinë e Arsimit, ministrja Nikolla nuk ndodhej aty dhe lashë një shënim ku u prezantova se kush isha. Dhe, që prej asaj dite mua s’më ka marrë kush në telefon dhe s’kam marrë asnjë përgjigje. E vetmja gjë që në fakt kërkoj në këtë drejtim është që të gjitha ato të drejta që shtresa jonë tashmë i ka fituar në këtë drejtim, të shkojnë në vendin e duhur, pasi për mua ka shumë shkelje. Do i kërkoj që gjithashtu librat e të burgosurve politik, siç është dhe rasti i vëllait tim të futen në tekste shkollore që fëmijët tanë të mësojnë më shumë rreth tmerreve të komunizmit.

    Te Avokati Popullit, militojnë hetues që kanë dënuar ish të përndjekurit

     Unë kam 20 vjet që shkruaj për këtë gjë. Ligji i Lustracionit duhet bërë. Qeveria e mëparshme nuk bëri gjë, sepse shumë nga ata oficerë sigurimi, hetues janë të grumbulluar te Partia Demokratike, bile më keq akoma, një nga hetuesit e vëllait tim, P. Azemaj është te Avokati i Popullit dhe mbron të drejtat e njeriut. Pra të gjithë këta janë të përkrahur nga PD. Jam për t’i zbuluar të gjithë këta, jo për t’i vrarë siç bënë ata me ne, po për të mos punuar më në administratën shtetërore.