Bedri ALIMEHMETI/ Bahri ISHKA, futbollisti djalë i kombinatit

1592
Sigal

Dossier / Prof. Dr. i bardhebluve, që la gjurmë të pashlyeshme në skuadrën kryeqytetase

“Kombinati” si lagje iu shtua kryeqytetit në vitet 50-të të shekullit të kaluar, saktësisht të qenit e saj si zonë urbane daton të jetë viti 1951. Pra, pak kohë përpara se të niste nga puna fabrika e parë e këtij kompleksi industrial, kur familjet e punëtorëve ishin sistemuar nëpër godinat e ndërtuara enkas. Rreth kësaj periudhe ka shumë gjasa të jetë vendosur me banim aty edhe familja Ishka. Dhe në atë ambient të ri shokësh duke bredhur pas topit, sa në sheshin përpara shtëpisë, sa në oborrin e shkollës dhe në fushën e madhe të sportit, atje prapa kino-klubit, ku stërvitej dhe zhvillonte ndeshjet skuadra e futbollit “Tekstilisti”, që në atë periudhë garonte në kategorinë inferiore, Bahriut të vogël iu forcua gjithnjë e më shumë dëshira e pasioni për futbollin.

        Fillimisht talenti i tij spikati në ekipin e shkollës, ku edhe tërhoqi vëmendjen e mësuesit të edukimit fizik, i cili e rekomandoj të inkuadrohej në radhët e ekipeve të grupmoshave të klubit 17 Nëntori, që në ato vite e kishte në juridiksionin e tij këtë zonë për kultivimin e talenteve të reja. Ndaj jo më kot edhe sot thuhet herë pas here se, “Kombinati” bashkë me basmat, kadifetë e stofrat ndër vite prodhoi edhe sportistë. Madje të cilësisë së lartë, dhe jo si[ jemi mësuar vetëm në futboll, por në disa lloje sporti. Gjithsesi duke mbetur tek futbolli, emrat e futbollistëve “yje”, që kanë luajtur me klube të ndryshme të kryeqytetit, por edhe të ekipit kombëtar janë shumë. Dhe në krye të listës së tyre renditet “Mjeshtri i Madh” Prof. Dr. Bahri Ishka, padyshim futbollisti i parë që shkëlqeu në “Kombinat”, kampion i Shqipërisë me bardheblutë, që veshi edhe fanellën kuqezi të Kombëtares dhe me radhë renditen emra vërtet sugjestionues, që kanë bërë emër e kanë gjurmë në futbollin shqiptar: Shkëlqim Mu[a, Andrea Marko, Alban Bushi, Afrim Tole, Anesti Stoja etj..

        Kështu, si gjithë fëmijët e viteve 50-të rruga sportive e Bahri Ishkës, kaloi nga sheshi para shtëpisë, tek oborri i shkollës, tek rrethi i futbollit në shtëpinë e pionierit, në spartakiadat e përvitshme kombëtare të pionierëve dhe në klubin “17 nëntori”, ku gjeti ngrohtësinë e mbështetjen e specialistëve Xhavit Demneri, Osman Caslli etj., Dhe s’kishte sesi të ndodhte ndryshe talenti i tij në ekipin e të rinjve bardheblu ishte tejet evident. Loja tipike sulmuese, karakterizuar nga shpejtësia dhe teknika e përsosur aplikative bënë të mundur që Bahri Ishka në vitin 1961 të bëhej pjesë e ekipit të parë bardheblu. Madje, duhet thënë se ky fakt për kohën përbënte një ngjarje, jo të zakontë. Aq më tepër me që bëhej  fjalë për një nxënës të vitit të dytë në shkollën e mesme që zbriste në fushë me fanellën e ekipit kryeqytetas. Gjithsesi duhet theksuar, se kjo arritje ishte e gjitha falë talentit të padiskutueshëm të Ishkës dhe përkushtimit të tij në stërvitje e në detyrat e ngarkuara nga trajneri.

        Për ngjyrat e klubit kryeqytetas, në radhët e të cilit kontribuoi padyshim ndjeshëm deri në vitin 1972, Ishka ishte pjesëtar i asaj plejade të shkëlqyer futbollistësh të Tiranës së “Artë” të viteve 60-të (siç jemi mësuar ta quajmë tashmë prej kohësh, atë ekip “ëndërr” të teknikut Myslym Alla), që bënë emër jo vetëm në ekipin e klubit, duke i dhënë atij trofetë e parë të pasçlirimit, por edhe në ekipin Kombëtar. Gjatë karrierës futbollistike me fanellën bardheblu Bahri Ishka në aktivitete të ndryshëm kombëtar e ndërkombëtar, ka zhvilluar mbi 300 takime. Ka fituar katër tituj kampionë dhe një kupë të Shqipërisë. Për ngjyrat e Shqipërisë ka zbritur tri herë në fushën e blertë. Për herë të parë në Roterdam ndaj Holandës, në eliminatore për Kupën e Botës, kur ende nuk kishte mbushur 20 vjeç. Ndaj Algjerisë në një takim miqësor dhe Gjermanisë Perëndimore në Dortmund për kampionatin europian. Madje, në këtë takim në fushën e lojës ka patur përballë emra gjigandë të futbollit botëror si Bekenbauer, Myler, Overat, Shulc, Veber etj..

        Me Tiranën ka zhvilluar gjithashtu një numër të madh takimesh ndërkombëtare, si në kuadër të takimeve miqësorë e turneve miqësorë, vlen të përmendet në këtë rast një turne i vitit 1970 në Rumani, ku Tirana u shpall fituese, pasi fitoi bindshëm 3-1 e 2-1 ndaj ekipeve vendas Minjor e Tërgumuresh. Ndërkohë në pjesëmarrjet e bardhebluve për Kupën Ballkanike, ku Bahri Ishka ka dhënë kontribut të ndjeshëm vlen të përmenden përballjet me skuadrat e njohura si Beshiktash i Stambollit, Cermore e Varnës (Bullgari) etj. Kurse në kupën e kampioneve të Europës në kujtesën e atyre që i përjetuan kanë mbetur nostalgjikë barazimet 0-0 me Kilmarnok të Skocisë (1965), 1-1 me Standard të Liezhit Belgjikë (1969) dhe 2-2 më Ajaks të Amsterdamit Holandë (1970), ku në të tre padyshim ai ishte protagonist.

        Falë formës së mirë sportive, jo një herë në kupën ballkanike, ai ka kontribuar edhe për ekipe të ndryshme të kampionatit tonë.

        Pas mbylljes së karrierës sportive, vlerat e tij spikatën dukshëm në atë të trajningut. Fillimisht Ishka punoi me ekipin e të rinjve të Tiranës, e më pas në klubet e Gjirokastrës, Lushnjës, Fierit, Kor[ës e Dinamos. Gjatë kësaj periudhe ai ka drejtuar nga pankina dy herë më 1974 e 1992 edhe ekipin kombëtar Shpresa U-21. Ndërkohë impenjimi kryesor i Ishkës deri në fund të jetës së tij ka qenë detyra e pedagogut dhe e punonjësit shkencor për futbollin. Në këtë fushë ai është autor i disa referimeve e studimeve shkencore për probleme specifike të   të futbollit dhe bashkautor në disa botime si “Si teoria dhe metodika e përgatitjes së futbollistëve” (1995), “Enciklopedia e Kupës së Botës” (2002) dhe i tekstit mësimor “Futbolli” (2002). Falë këtyre punimeve Bahri Ishka ka gradën shkencore “Doktor” dhe titullin shkencor “Profesor”.

        Për futbollin e tij të bukur e mbresëlënës, që interpretoi në fushën e lojës, për kontributin e dhënë në trajning, në fushën pedagogjike dhe në atë të kërkimeve shkencore, mungesa e Bahri Ishkës në këtë 70-të vjetor të ditëlindjes së tij për të afërmit, shokët, miqtë, bashkëpunëtorët e dashamirësit e skuadrës bardheblu bëhet edhe me e rëndë.

“Dinastia Ishka”

 Janë të paktë në numër, por gjithsesi jemi të mendimit se, Ishkët  formojnë vërtet një “Dinasti” sportive. I pari padyshim është Bahriu, i cili gjatë kohës që luajti në fushat e blerta nuk e ‘tradhtoi” asnjëherë fanellën peshërëndë bardheblu, me përjashtim të ndonjë rasti ku luajti si përforcim në ndeshje ndërkombëtare në radhët e ndonjë ekipi tjetër. Qemali vëllai pas tij në moshë e nisi karrierën  me Partizanin dhe e vijoi më pas me 31 Korrikun e Burrelit.  Vëllai tjetër Dani, ishte i famshëm si futbollist i fushave të zeza, kurse i biri i Danit, Sokoli fillimisht shkëlqeu si futbollist tek Partizani, më pas luajti me Tiranën (kampion 1998-1999), dhe në disa ekipe si Dinamo, Besa, Vllaznia, Kamza etj.

Skeda

Emri: Bahri

Mbiemri: Ishka

Datëlindja: 27 qershor 1944

Roli: Sulmues

Ekipet si futbollist:

Të rinjtë e Tiranës 1958-1962

Ekipi i Tiranës 1962-1972

Me ekipin kombëtar: 3 ndeshje

Holandë-Shqipëri 2-0 (Kupa e Botës 24.05,1964)

Shqipëri-Algjeri 1-1 (Miqësore 11.10.1964)

Gjermani-Shqipëri 6-0 (Kampionati europian 08.04.1967)

Trofe:

Fitues i Kupës së Shqipërisë (1963)

Kampion me Tiranën në sezonet:

1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970

Ekipet që ka drejtuar si trajner:

Të rinjtë e Tiranës, ekipet e të rriturve “Luftëtari” i Gjirokastrës, “Lushnja”, “Apolonia” e Fierit, “Skënderbeu” i Kor]ës dhe “Dinamo”.

Ka drejtuar ekipin kombëtar “Shpresa”: më 1974 dhe 1992

Arsimimi: Universiteti i Sporteve, dega mësuesi

Kurse pasuniversitare: në Austri dy herë, më 1981 dhe 1995

Grada shkencore: Doktor

Titull shkencor: Profesor

Vlerësime: “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Sporti”, “Nderi i Sportit Shqiptar”,

U nda nga jeta: 9 janar 2007

Kundër Bekembauerit të madh

 Për ngjyrat e Shqipërisë, Ishka ka zbritur tri herë në fushën e blertë, kundër Holandës, Algjerisë e Gjermanisë. Madje ndaj Gjermanisë Perëndimore, në atë takim në fushën e lojës ka patur përballë emra gjigandë të futbollit botëror si Bekenmbauer, Myler, Overat, Shulc, Veber etj..

Barazimi 2-2 me Ajaksin e Krujfit

 Kurse në kupën e kampioneve të Europës në kujtesën e atyre që i përjetuan kanë mbetur nostalgjikë barazimet 0-0 me Kilmarnok të Skocisë (1965), 1-1 me Standard të Liezhit Belgjikë (1969) dhe 2-2 më Ajaks të Amsterdamit Holandë (1970), ku në të tre padyshim ai ishte protagonist.