BE: Shqipëria ka probleme serioze edhe pa ligjin e mbetjeve

405
Sigal

Progres-Raporti
2016 i BE, kritika të ashpra për ligjin e plehrave

 

 

Progres-Raporti
i Bashkimit Evropian për Shqipërinë i vitit 2016, nuk ka qenë pozitiv për sa i
përket menaxhimit të mbetjeve. Edhe pse me një ton më të zbutur, Bashkimi
Evropian ne Progres-Raportin 2016 për Shqipërinë ka ngritur pothuajse të
njëjtin shqetësim që ka filluar që nga progres-raporti i vitit 2013, e në
vazhdim. Sipas progres-raportit më të fundit thuhet se “ruajtja, hedhja dhe
asgjësimi i mbetjeve vazhdon të jetë kryesisht në mospërputhje me standardet e
mbrojtjes së mjedisit”. Kjo lë të kuptohet se Shqipëria nuk ka kapacitetin e
duhur për të menaxhuar mbetjet e veta si edhe mekanizmat për të mundësuar zbatimin
e ligjit. Kështu mund të thuhet se keqmenaxhimi i mbetjeve përbën një rrezik të
madh për shëndetin e qytetarëve. Po ndërkaq, së fundmi, qeveria shqiptare po
lobon për miratimin e ligjit të importit të mbetjeve, në mënyrë që të sjellë
mbetje nga jashtë, gjë kjo që ka hasur në kundërshtinë e qindra mijëra
shqiptarëve, të cilët janë të indinjuar dhe e kanë cilësuar “tradhti kombëtare”
nismën e qeverisë. Nga ana tjetër konstatimi i keqmenaxhimit të mbetjeve në
Shqipëri është ngritur, duke përdorur pothuajse të njëjtat fjalë, në të gjitha
progres-raportet e mëparshme të BE-së për Shqipërinë. Duke iu përmbajtur
konstatimeve të progres-raporteve të BE-së, ato tregojnë një vazhdueshmëri të
mungesë së punës dhe dëshirës nga ana e autoriteteve shqiptare përgjegjëse për
zgjidhjen e çështjeve të mbetjeve.

Progres-Raporti
2016

“Ndarja e
mbetjeve është pothuajse jo-ekzistente dhe mbledhja e mbetjeve për qëllime
riciklimi. Kapaciteti institucional për të menaxhuar mbetjet vazhdon të jetë i
dobët në të gjitha nivelet. Ruajtja, hedhja dhe asgjësimi i mbetjeve vazhdon të
jetë kryesisht në mospërputhje me standardet e mbrojtjes së mjedisit. Menaxhimi
i mbetjeve industriale është i dobët për shkak të mungesës së investimeve dhe
për shkak të zbatim të dobët të ligjit. Strategjia kombëtare e menaxhimit të
mbetjeve dhe plani i veprimit, të miratuar në vitin 2011 dhe që aktualisht janë
duke u shqyrtuar, si edhe planet rajonale nuk janë zbatuar ende”,  thuhet në Progres-Raportin e Bashkimit
Evropian për Shqipërinë e vitit 2016.

Progres-Raportet nga viti 2013
deri në vitin 2015

“Bashkitë kanë kapacitete të
dobëta për menaxhimin e mbetjeve, duke përfshirë edhe destinacionin final të
tyre. Pjesa më e madhe e mbetjeve hidhen, ruhen, asgjësohen ose digjen në
mënyrë jo të sigurt në vendgrumbullime (landfile) të ligjshme ose jo, të
paligjshme”, thuhet në Progres-Raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë e
vitit 2013.

“Ndarja e mbetjeve është
pothuajse jo-ekzistuese dhe nivelet e riciklimit janë shumë të ulëta. Pjesa më
e madhe e mbetjeve hidhen, ruhen, asgjësohen ose digjen në mënyrë jo të sigurt
në vendgrumbullime (landfile) të ligjshme ose jo, të paligjshme. Menaxhimi i
mbetjeve vazhdon të jetë një çështje serioze shqetësuese”, thuhet në
Progres-Raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë e vitit 2014.

“Ndarja e mbetjeve është shumë e
kufizuar dhe riciklimi mbetet i rrallë. Pjesa më e madhe e mbetjeve vazhdon të
hidhet, ruhen, asgjësohen ose digjen në mënyrë jo të sigurt në vendgrumbullime
(landfile) të ligjshme ose jo, të paligjshme. Mbetjet mjekësore të rrezikshme
janë që shqetësim shumë i madh”, thuhet në Progres-Raportin e Bashkimit
Evropian për Shqipërinë e vitit 2015.