BE, letër 7 institucioneve të shtetit shqiptar: Larg duart nga tregu “Dinamo”!

    455
    Sigal

    Vazhdon skandali për të zhvatur dhunshëm qendrën tregtare, për bizneset e familjarëve të politikës

     Tregu i uzinës “Dinamo” i lirë ligjërisht, i “pushtuar” dhe mbajtur peng me polici

     Tregtarët e Uzinës Dinamo në Tiranë, po vazhdojnë të përballen padrejtësisht me qëndrimin absurd të pushtetit dhe heshtjen e shtetit, të cilët të bërë bashkë në qëndrimin e tyre kundër tregut “Dinamo” në Tiranë, po u cenojnë të drejtën ligjore të administrimit dhe shfrytëzimit të këtij tregu. Janë 400 tregtarë të ligjshëm në licencime dhe dokumentet e të drejtës së përdorimit të tregut, të cilët gjenden të rrethuar nga policia e pushtetit aktual, prej të cilës shpesh bëhen “aksione” dhe ushtrohet presion e dhunë fizike, për t’i larguar nga vendet e punës dhe për t’u rrëmbyer tregun, ku ushqejnë familjet dhe nëpërmjet tij ushqehen mbi 4000 familje në Tiranë e në krejt Shqipërinë. Nuk ka asnjë motiv e bazë ligjore, që të veprohet kështu prej pushtetit, por ja që po ndodh. Sulmi qeveritar, për të larguar tregtarët nga tregu i ish-uzinës “Dinamo”, nuk po bëhet në emër të ndonjë projekti social e kulturor kombëtar, por dukshëm në emër të interesave të bizneseve të pista të familjarëve të njerëzve të fuqishëm të pushtetit politik. Babëzia e shfrenuar 22 -vjeçare e këtyre “çakajve” të pangopur, po tenton me çdo mjet e pazar zyrash të larta, për të shkatërruar dhe futur në “kthetra”, edhe këtë treg të madh e tepër funksional, ndërtuar me parametra të tregjeve të vendeve të BE…

     20 muaj luftë kundër tregtarëve, për të zhvatur tregun

     Prej 1 viti e gjysmë, 400 tregtarët e tregut “Dinamo”, 4000 të punësuarit brenda tij dhe afro 30 mijë tregtarë të vegjël që furnizohen prej tij në Tiranë e rrethe si dhe mijëra familje konsumatorr ditore, janë vënë përballë dhunës policore të pushtetit, për t’i larguar nga tregu, i cili është bërë oreks për bosët e dukshëm e të padukshëm të politikës. Ky treg, nuk u hap dje, as me forcë e as me makinacione, por funksionon prej 14 vitesh, brenda  të cilit, 400 tregtarë kanë investuar djersën dhe gjakun e tyre, për të ushqyer familjet. Sa për dijeni, tregu “Dinamo” është përcaktuar si një ndër 10 tregjet më të kompletuar të 28 vendeve të BE-së, përsa u përket si kushteve e siguri tregtimi, si investim dhe plotësim nevojash të tregtarëve të vegjël. Prej 1 viti e gjysmë, mafia politike me pushtet e me ish-pushtet, por e bërë bashkë në interesa biznesesh të pista deri edhe me rrëmbime pronash me përdorje policie shteti, po bën shantazh dhe ka bllokuar punën në këtë treg. Rezistenca e tregtarëve vazhdon të jetë e fortë. Ata duan të punojnë, sepse kanë investuar në këtë treg modern europian dhe kanë zbatuar me korrektesë gjithë ligjet dhe detyrimet ndaj shtetit. Ata punojnë, mbështetur në gjithë ligjet si shoqëri aksionere e jo si shoqëri pirate, si bandë që uzurpon dhunshëm mjedise e prona. Tregu “Dinamo” është shoqëri aksionere, themeluar në vitin 1999. Kjo pronë, nuk i përket atyre që po luftojnë ta zaptojnë e zhvatin, duke përdorur inkuizicionin e fuqisë së familjarëve të politikës dhe ortakëve të tyre në biznese, por është pronësi ligjore e konfirmuar me dokumente hipotekore e 135 familjeve bashkëpronare ligjore.

    Prefektura ka dhënë lejen e tregut,  tani kërkon largimin!

    Ka një çmenduri zyrtare, e cila bie ndesh me ligjin dhe drejtën mbi pronën dhe aktivitetin e lirë. Leja për tregun në uzinën “Dinamo” është miratuar zyrtarisht prej Prefekturës Tiranë dhe Bashkisë Tiranë, por urdhërohet të mbyllet me urdhër të prefektit e kreut të bashkisë! Ajo që bën sehir dhe mbështet lojën “ujqërve” që kërkojnë të shqyejnë tregun e 400 tregtarëve të ligjshëm  është qeveria, prej të cilës janë braktisur turpshëm interesat e qytetarëve që duan të jetojnë me djersën e ballit. Ata që i janë vërsulur tregut për ta zhvatur për interesa të tjera biznesi truallin e këtij tregu, po krijojnë qëllimisht kaos me aksione policore dhe rrethim policor, për të larguar tregtarët. Tregtarët nuk largohen. Unioni i tregtarëve, po i mbështet dhe ata deklarojnë se nuk do ta lëshojnë tregun. Madje, aq presion po ushtrohet e madje, shpesh edhe “aksione” policore për largimin e tregtarëve, sa prej 2 muajsh ky treg gjendet i rrethuar 24 orë me forca të shumta policore, duke krijuar “komisariat” policie brenda e rrotull tregut. Tregtarët tentojnë dhe duan të punojnë, por policia u shkatërron njësitë e tregtimit dhe mallrat.

    Çfarë pasojash shkakton mbyllja e tregut “Dinamo”

    1. Bllokon futjen në tregun e konsumit masiv, të produkteve ushqimore të freskëta.

    2. Krijon monopolin e produkteve në një dorë tregtarësh të lidhur me politikën, duke diktuar çmimet që afron monopoli që synohet të vendoset mbi produktet e mallrat.

    3. Zhduk tregun e lirë të fermerëve, duke i detyruar ata të mos zbresin në Tiranë në tregun e afërt e të lirë, por të syrgjynosen në Kashar dhe atje të detyrohen të dorëzojnë produktet me çmimet që i diktojnë sekserët e monopolistëve që po investojnë dhe nxitin mbylljen e tregut “Dinamo”.

    4. Eliminon përfundimisht sigurinë e produkteve ushqimore dhe origjinën e tyre të prodhimit, mbasi monopolistët do përziejnë produktet, duke humbur përzgjedhjen e identiteteve prej konsumatorit.

    5. Largon tregun nga konsumatori familjar ditor.

    6. Shkatërron anën financiare me kosto të lartë të tregut të vogël dhe të konsumatorit familjar, i cili për të blerë produkte duhet të udhëtoj drejt tregut mafioz që kanë hapur familjarët e politikës.

      BE  dhe tregu i BE (TPE, letër 7 institucioneve të shtetit shqiptar)

     Vetëm 10 ditë më parë, pas një letre të paraqitur prej Unionit të tregjeve me drejtues Theodhor Kristuli, drejtuesit e BE që monitorojnë zhvillimet e tregut në Shqipëri e sidomos sigurinë ushqimore, kanë kërkuar prej 7 institucioneve kryesore shtetërore shqiptare, të marrin në mbrojtje tregun e ish-Uzinës “Dinamo”. Ata i kërkojnë institucioneve ligj-zbatuese të shtetit shqiptar si p.sh., policisë të mos përdoret prej pushtetit dhe qarqeve mafioze të politikës “biznesmenë”, për t’u shërbyer interesave të tyre në shkatërrimin e tregut “Dinamo”. BE dhe Tregu i Përbashkët Europian (TPE) i kërkojnë bashkisë Tiranë dhe qeverisë shqiptare, të largojnë duart nga sulmi mbi këtë treg. Gjithashtu, i kërkojnë prokurorisë shqiptare, të nis veprimet për abuzimin ligjor që po bëhet me truallin e tregut dhe me cenimin e pronësisë dhe të investimeve të administratorëve e tregtarëve, që punojnë atje. Kjo letër është adresuar edhe në institucione të tjera të larta shtetërore shqiptare, si Presidenca, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Bujqësisë, KLSH,  Dhoma e Tregtisë së Shqipërisë, Prefektura Tiranë… Madje, Ministrisë së Bujqësisë, BE, e cila ka financiar dhe po vazhdon projektin për tregjet dhe sigurinë ushqimore, i ka kërkuar të trajtojë me këmbëngulje e përparësi në Këshillin e Ministrave, ndalimin e mbylljes, dhunimit policor, shkatërrimit dhe zaptimit të tregut “Dinamo”.

    Përparim HALILI