Batërdia e krerëve të BSPSH e KSSH me pronat e sindikatave në qarqet Elbasan – Berat

607
Sigal

Shteti të sekuestrojë dhe të rikthejë në fondin e pasurive kombëtare pronat
e shkatërruara, të shitura, të falura e të tjetërsuara

 

Përparim HALILI

 

Shumë letra denoncuese kanë ardhur në “Telegraf” nga punonjës, ish-punonjës,
mjekë, mësues, pensionistë, veteranë lufte e pune, intelektualë, të papunë dhe
drejtues institucionesh e sektorësh të shërbimeve publike, të cilët bëjnë kërkesën
ndaj shtetit, qeverisë dhe drejtësisë për t’u ndalur me veprim konkret në ndëshkimin
e autorëve që kanë kryer krimin e rëndë me pronat e sindikatave. Ata kërkojnë që
këto prona të shkatërruara, të shitura, të falura e të tjetërsuara të rikthehen
në fondin e pasurive kombëtare në gjendjen fizike që janë aktualisht, duke
nisur këtë akt drejtësie me sekuestrimin deri tek “luga”, të krerëve dhe
ish-krerëve të sindikatave që kanë bërë këtë krim gjigant me vlerë 2.2 milionë
euro. Nisur prej reagimeve dhe kërkesës së lexuesve për zbardhjen e krimit me
pronat e sindikatave, gazeta “Telegraf” po vazhdon të publikojë masakrën shkatërruese
e hajdutërore që kanë bërë në këto 24 vite krerët e BSPSH, KSSH, SPMSH, OSPN
dhe sindikatave të tjera “lolo”, të cilave shteti u dha në administrim objektet
shtëpi pushimi punëtorësh e fëmijësh, shtypshkronja, pallate e shtëpi kulture,
biblioteka, bar-kafe, salla lojërash e gjithçka, deri tek pajisjet që ishin
brenda tyre, si pasuri e ish-Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Këto pasuri,
në vitin 1992 ishin dhe u dorëzuan me inventar të imët deri tek “gozhda” dhe në
funksion të plotë. Por kjo ish-“makineri propagandistike-demagogjike” me emrin
“Bashkime Profesionale” e cila sipas skenarit “Katovica” të viteve 1990-1991 u
nda në dy “çeta” BSPSH e KSSH, të lyera me ngjyra politike gjoja kundërshtare
dhe në disa “sindikata askaridë” që u ngjitën e vegjetuan prapa tyre… Sot, po
vazhdojmë publikimin e batërdisë që “kaçakët” e BSPSH dhe KSSH, kanë bërë dhe
po vazhdojnë të bëjnë prej 24 vitesh me pronat e sindikatave në Qarkun e
Elbasanit dhe të Beratit…

 

Pallati i Kulturës “ Metalurgu”-Elbasan

 

Sipas Hipotekës Elbasan, kjo pasuri gjendet në qendër të qytetit Elbasan,
ka 2 kate, nga të cilët 100 % e katit të parë është pronësi hipotekore e
privatit Reshit Skilja, shitur në mënyrë të kundërligjshme prej KSSH-së.
Objekti është i bllokuar nga zyra përmbarimore Tiranë, me shkresën nr. 4308,
datë 02. 05. 2007, për debi financiare të KSSH-së. Kati i dytë është dhënë me
qira nga KSSH, me përfaqësues e me firmë prej kreut të KSSH, Kolë Nikolla,
dhënë me qira shtetasit Astrit Elezi me kontratë qiraje deri në vitin 2020,
kthyer në bar-kafe. Pasuritë e luajtshme nuk figurojnë në asnjë dokument të
KSSH.

 

Sallë e Kulturës në ish-Ndërmarrjen Bujqësore-Elbasan

 

Sipas Hipotekës Elbasan, kjo pronë është ndarë 50 % me 50 % mes BSPSH dhe
KSSH, ndërtesa është me 2 kate, gjendet në adresën 200 m largësi nga Ura e
Zaranikës. Kati i parë disponohet nga firma private e përpunimit të duraluminit
“PESPA”. Kati i dytë është kthyer në shtëpi banimi, ku janë vendosur 5 familje.
Nuk ka dokument për pasuritë e paluajtshme.

 

Salla e Kulture në ish-Ndërmarrjen Bujqësore-Peqin

 

Nuk figuron në Hipotekën Peqin, nuk ekziston as si ndërtesë. Truallin e
kanë zaptuar pronarët, edhe me miratimin e sindikatës.

 

Sallë Kulture në ish-Ndërmarrjen Bujqësore-Cërrik

 

Sipas Hipotekës Elbasan, objekti është me 1 kat, i është shitur nga KSSH
shtetasit Edmond Beshiri dhe ky ia ka shitur shtetasit Izet Bullari, i cili e
ka kthyer në shtëpi banimi.

 

Pallati i Kulturës-Cërrik

 

Sipas Hipotekës Elbasan, ky objekt figuron në pronësi të BSPSH, rrethi
Elbasan. Ndërtesa është me 2 kate dhe ndodhet në qendrën e qytetit Cërrik dhe i
ka kaluar në pronësi të Bashkisë Cërrik, transferuar në bazë të Ligjit 8744,
datë 22.2.2001. Si pasuri të luajtshme janë inventarizuar vetëm 36 karrige, që
i ka në posedim BSPSH.

 

Shtëpia e Kulturës Përrenjas

 

Sipas Hipotekës Librazhd, ky objekt është në pronësi të Bashkisë Përrenjas,
transferuar në bazë të Ligjit 8744, datë 22.2.2001, nuk ka asnjë informacion
për pasuritë e luajtshme. Ndërtesa është me 2 kate, përdoret privatisht si klub
për të moshuarit. Si pasuri të luajtshme janë 100 karrige në sallën e kinemasë.

 

Salla e Kulturës në ish-Ndërmarrjen Bujqësore-Belsh

 

Sipas Hipotekës Elbasan, objekti është me 1 kat, trualli i objektit i është
kthyer pronarit, ndërsa ndërtesa i është dhënë Bashkisë Belsh.

 

Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve në Gjinar-Elbasan

 

Sipas Hipotekës Elbasan, kjo shtëpi pushimi me 50 dhoma është në pronësi të
KSSH, është dhënë disa herë me qira prej KSSH, nuk ka asnjë informacion mbi
fatin e pagesave të qirave të dhëna, nuk ka asnjë informacion mbi pasuritë e
luajtshme.

Fati i pronave të sindikatave në Qarkun e Beratit

 

Pallati i Kulturës “Tekstilisti”-Berat

 

Nuk figuron në Hipotekën e Beratit. Ndërtesa është me 2 kate dhe ndodhet në
qendër të qytetit të Beratit, administrohet 50 % nga BSPSH dhe 50 % nga KSSH,
të dyja i kanë dhënë sipërfaqet me qira shtetasve Flamur Mjeshova, Përparim
Tabaku, Mevlud Mieshova, Maksim Çuedari, Ferdinand Dardha e Arjan Arifi, të
cilët i kanë kthyer në bilardo, bar-kafe, furrë-buke, kinkaleri, lojëra-fati,
dyqane etj. Nuk eksitojnë pasuri të luajtshme ish-pronë e pallatit të kulturës,
KSSH e BSPSH nuk kanë asnjë dokument për fatin e tyre.

 

Shtëpia e Kulturës Kuçovë

 

Nuk figuron në Hipotekën Kuçovë, në kundërshtim me ligjin është regjistruar
si pronë në Hipotekën Berat. Ndërtesa gjendet në qendër të qytetit është në
pronësi të Këshillit Sindikal të Konfederatës Shqiptare. Ajo është copëzuar e
dhënë me qira shtetasve Shkëlqim Pallaveshi (kthyer në Bar-Kafe, loto-sport),
Vladimir Vrusho (magazinë), pjesa tjetër është bibliotekë dhe administrohet nga
Bashkia. Pasuritë e paluajtshme janë zhdukur pa asnjë dokument.

 

Shtëpia e Re e Kulturës Kuçovë

 

Sipas Hipotekës Kuçovë, ky objekt figuron në pronësi private të shtetasit
Petrit Jaçe, blerë prej sindikatës, por nuk është regjistruar në sistemin
hipotekor, mbasi është i papërfunduar (kolona) si ndërtesë dhe në hipotekë
figuron akoma si “pasuri livadh”. Objekti (kolonat) është me 2 kate dhe ndodhet
në qendër të Kuçovës. Është konstruksion objekt-kolona (dy kate) dhe ambienti
përreth.

Kinemaja Kuçovë

 

Sipas Hipotekës Kuçovë objekti është i regjistruar në pronësi të shtetasit
Skënder Jaçe, shitur prej BSPSH, por në hipotekë është në pronësi të shtetit.
Ndërtesa ekzistuese ndodhet në qendër të qytetit Kuçovës.

 

Pallati i Kulturës-Poliçan

 

Sipas Hipotekës Skrapar, objekti është në pronësi të BSPSH, me kontratë
qiraje midis BSPSH dhe Bashkisë Poliçan, me afat 15-vjeçar. Ndërtesa është me 2
kate, ndodhet në qendër të qytetit, dhënë 100% me qira, me përfaqësues
kryetarin e BSPSH Gëzim Kalaja, nga 01. 05. 2005 deri 01. 12. 2020. Pasuritë e
paluajtshme, janë zhdukur pa asnjë dokument.