Bashkudhëtar me Ali Podrimjen (1942-2012)

    420
    Sigal

    In memoriam

    Ishim së bashku dekada të tëra nëpër manifestime kulturore, akademi, seminare, simpoziume, përvjetore… Sidomos ishim së bashku nëpër sprova, vuajtje, pësime, batica-zbatica të kohës dhe hapësirave tona, shpesh të sharë dhe të nëpërkëmbur, të kërcënuar dhe të rrezikuar, së bashku me Popullin tonë… Ishim dhe njiheshim si dy “bashkudhëtarë” të cilët ecin secili rrugës së vet, por jeta, rruga, njerëzit, ngjarjet shpesh i “kryqëzojnë” … Gjatë vitit 1981, pra, gjatë demonstratave studentore, punëtore, gjithëpopullore në Prishtinë, më vonë edhe në mbarë Kosovën, Ali Podrimja, së bashku me Rifat Kukën, Fahredin Gungën, Azem Shkrelin, Anton Pashkun e shumë të tjerë…, shqyrtonim vëllazërisht gjendjen e posakrijuar. Mendonim shumë e flisnim pak, sepse gjendja e tillë ishte tejet e rrezikshme dhe pa ndonjë perspektivë të qartë…Dikush prej të pranishmëve ndërhyri dhe profetikisht tha: “Burra, jemi të dënuar në Liri!”. Dhe prapë heshtje, shikime, pëshpëritje, ofshamë. Pyetja më e shpeshtë, gati refren,  për të gjithë ishte kjo: Deri kur kështu?

    Ali Podrimja ndër të tjera tha: “Kjo është vetëm nisja, hyrja, në “dasmë”. E ju e dini se dasmë pa mish nuk ka… Kam frikë se kjo dasmë po i ha bijtë dhe bijat tona më të mira… Çmimi i lirisë është tejet i lartë dhe paguhet shumë shtrenjtë…”. Ishte një vizion i qartë dhe një përcaktim jetësor. Ai, gjatë gjithë këtyre dekadave ishte me ne, me Popullin tonë, si shkrimtar i angazhuar, gati-gati si “kronist” i ngjarjeve, kuptohet, në mënyrën më të lartë poetike dhe estetike, me porosi të qarta dhe të thella, me figura metaforike dhe stilistike të qëlluara, me guxim heroik dhe profetik. Një ngjarje që e kishte karakterizuar jetën dhe krijimtarinë e tij, ishte pa dyshim edhe sëmundja dhe vdekja e djalit, vogëlushit, apo siç thoshte ai “Engjëllit tim – Lumit”, nëpërmjet, të cilit Aliu kishte zbuluar një botë të re, atë të vuajtjes së motivuar dhe të ofruar, në stilin e Nënës Tereze. Shpesh më thoshte: “Unë jetoj me Lumin, krijoj me Lumin dhe për Lumin, për të gjithë ata që vuajnë, pësojnë, tashmë jetojnë në amshim… Lumi më ka bindur dhe më ka dhënë shumë, përvojën e Zotit, të fesë, atë të amshimit…”

    Ja shkrimi i Ali Podrimjes kushtuar Lumit:

    FLETЁ E BARDHЁ:

    Mbi tavolinë

    Fletë e bardhë

    Aty do shkruar:

    Lum Podrimja vdiq më 29 Shtator 1982.

     

    Po unë nuk mund ta nënshkruaj vdekjen

    Të ndjej në qënie si lëviz si merr frymë

    Të shoh në jetë gjithkund të prek 

    Vdekjen tënde nuk mund ta nënshkruaj  voglush

     

    Varrmihësit  le ta qesin emrin

    Ose bardhësia të  më  mbulojë

    Edhe mua të tërin.

    Ulpianë, tetor, 1982.

    Gjatë vitit 1985, punoja monografinë “Lule për Nënën” kushtuar 75 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze, një libër me poezi, prozë, pikturë, skulpturë, muzikë. Pas marrjes së shumë punimeve nga të gjitha viset shqiptare, përjashtuar Shqipërinë, e cila ishte ende hermetikisht e mbyllur, duhej ndonjë dorë mjeshtërore për përzgjedhje dhe renditje. Dhe prapë ishim së bashku, Fahredin Gunga, Rifat Kuka, Ali Podrimja, tre “redaktorët”, pa emër të kësaj Monografie, sepse ishte ende koha e monizmit dhe komunizmit. Punuam së bashku dhe me zemër e frytin e kësaj pune le ta vlerësojë Zoti dhe Populli.

    Pas disa orëve pune në redaktimin përfundimtar të librit, në banesën e Fahredin Gungës, Rifat Kuka më tha: “Don Lush e ke bërë një mrekulli… Ali Podrimja disa orë është i ulur së bashku me ne… Kjo ndodhë rrallë, mos të them kurrë (duke menduar në temperamentin e Aliut, vr. ime)…”. “Mrekullia, nëse është e tillë, është e Nënës Terezë, jo e imja” u përgjigja unë. Ali Podrimja më shikoi ëmbël dhe  tha: “Nuk mund të ndahem më prej Nënës Terezë… I lumi ti që e ke takuar dhe njohur personalisht… Unë tashmë jetoj dhe krijoj së bashku me atë… Ajo përpara Çmimit “Nobel” për Paqe ka merituar Çmimin Nobel për Letërsi… Çdo resht, fjalë, uratë e saj është e mrekullueshme, frymëzuese për mua…”. Ishte viti i sprovave të jashtëzakonshme (1989), heqja e të “ashtuquajturës” Autonomi, rrënimi sistematik i çdo gjëje shqiptare, arsimit, kulturës, shëndetësisë, mos të flasim për politikë, ekonomi e shumçka tjetër.

    Ishim rishtas së bashku në “Pallatin e Shtypit” në Prishtinë. Brengosja, shqetësimi, rrezikimi merrte hov dhe s’kishte më të ndalur. Njerëzit “strukeshin” dhe e ruanin kokën dhe shpinën. Në tavolinën e bisedës ishim diku afro njëzet krijues dhe gazetarë. Unë i thashë mendimet dhe qëndrimet e Kishës në Kosovë, të Imzot Nikë Prelës, duke nënvizuar se takimi, afrimi dhe bashkimi ynë është parakusht i çdo suksesi, i shpëtimit tonë kombëtar. Ali Podrimja më shikonte me një vëmendje të posaçme dhe nuk fliste asgjë. I thashë: “Fol, Ali i dashur! Çka mendon ti?”. Ai më tha kështu: “Unë mendoj krejt si ti… Ti po mi merrë mendimet dhe fjalët, po i thur aq mirë, sa që unë s’kam çka të them!”. U përgjigja: “Është gjendja që na detyron të mendojmë dhe të veprojmë së bashku, një… Ti e ke mjeshtërinë e fjalës së shkruar, veçmas të poezisë, e unë, aty-këtu të fjalës…”. U përqafuam vëllazërisht dhe u kuptuam me pak fjalë, mos të them pa fjalë. Ishim në Romë për Lumturimin e Nënës Terezë. Ali Podrimja ishte shumë aktiv në përgatitjen e vëllimit të poezive dhe uratëve të Nënës Tereze “Mësomë të dua” në gjuhën anglishte, shqipe dhe gjermanishte. Ndër të tjera më tha: “Populli shqiptar është si një Foshnje në duart dhe zemrën e Nënës Terezë dhe ka vetëm një kërkesë: Mësomë të dua! Nëse e mësojmë dhe e praktikojmë këtë, shpëtuam, jemi të lumtur…”. Pas Meshës së Lumturimit ai ishte shumë i lumtur, si rrallë herë. Më përqafoi  dhe më tha: “Sot, Ti don Lush, duhet të jesh i lumtur… Ta them të drejtën sot për herë të parë e pashë, e përjetova dhe e kuptova këtë: Jam i lumtur që jam Shqiptar, bir shpirtëror i Nënës Terezë… A e ke parë gjithë këtë mori njerëzish, kombesh, feve të ndryshme… Të gjithë na kanë lakmi se jemi Shqiptarë… Kujtdo ia kam dhuruar librin “Mësomë të dua” e ka pranuar me shumë nderim dhe falënderim…”. Ja përshkrimi i tij për këtë ngjarje: “Shkelnim në javën e fundit. Njëmijë ekzemplarët ishin paketuar për destinacion në Itali. Lumnimi i Nënës Terezë mbahej nga data 18 deri 21 tetor 2003. Më 18 tetor aeroplani me pelegrinët nga Kosova ishte ngritur nga Sllatina në drejtim të Romës. Mendoja për librat dhe ç’do të bënte qeveria e zotit Trajkovski, sapo të ketë një ekzemplar të librit tonë, a do të skuqej nga fjalët e Papa Gjon Palit II, që fliste me admirim për “bijën e popullit shqiptar që i ka dhënë nder dhe shkëlqim kombit të saj…”. Maqedonia ishte shtet e unë isha vetëm individ, që plasoja të vërtetën për Nënën Terezë…

    Unë kisha kryer një punë të ndershme për të mposhtur një falsifikim tipik sllav dhe për t’u treguar të tjerëve nga ishte Nënëmadhja. Kryeja, pra një punë atdhetare. Bindesha se njerëzit tanë kur ia mësyjnë botës, më tepër u intereson leverdia e xhepit se çështja nacionale. Mendoj kështu dhe tani. Mjafton të përqendrohesh në bisedat e paraqitjet e tyre në masmedia e të bindesh se kush na mbron nga e liga. Atdheun e konsiderojnë para dhe asgjë tjetër. Nuk më habit, pra nëpërkëmbja jonë edhe nga ata që nuk kanë identitet ende. Është tmerruese kjo.

    Më 19 tetor pelegrinët nga Kosova gjendeshin në rendin e pare, meqë vinin nga vendlindja e Nënës Terezë. Papa Gjon Pali II, i cili do e mbante meshën për Lumnimin e të Shenjtës sonë, nuk ishte as dhjetë metra larg nesh. Masmediat gumëzhinin në sheshin e madh të Vatikanit, ku ishin tubuar afër një milion njerëz. Atje në fund ishte shpalosur skaj më skaj një flamur shqiptar. Nga stacionet e huaja televizive e sidomos nga CNN nuk hiqej kopertina e librit “Teach me to love” e Nënës Terezë, të cilin tanimë e kishin të gjithë burrështetasit e masmediat. Një i kishës sonë po ashtu kishte arritur t’ia dorëzojë dy ekzemplarë dhe Papës Gjon Palit II. Personi që më kishte informuar nga Roma për dredhinë maqedone, më kishte gjetur në mesin e pelegrinëve dhe më kishte thënë: falsifikatorët e tërhoqën librin, e kishin lexuar se ç’thoshte Papa për bamirësen tonë. Ky ishte fundi i një ëndrre sllave. Nuk besoj se kishte njeri më të lumtur se unë atë moment. Kisha kryer një punë të vogël për një çështje të madhe. Nga muri i lartë i Katedrales së Shën Pjetrit vazhdonte të buzëqeshte Nëna Terezë. Ishte zbrazur dikur sheshi i pafund i Vatikanit, ku fitues ishte populli im që kurrë nuk u nda sipas besimeve. Dikur vonë isha larguar nga aty. Në ekranet televizive vazhdonte filmi për jetën e Nënës Terezë” (Ali Podrimja, Historia e një libri, 1 maj 2008). Dhe prapë ishim së bashku në Këshillin Organizativ për 100 – vjetorin e lindjes së Nënës Terezë në vitin 2010, Ali Podrimja si përfaqësues i Akademisë së Shkencës dhe Arteve e Kosovës, unë si përfaqësues i Ipeshkvisë së Kosovës dhe si biograf i saj. Punuam me shpirt dhe zemër dhe mendoj se doli mirë, kuptohet, në kushtet tona.  Në takimin e parë zyrtar në Ministrinë e Kulturës së Kosovës, Ali Podrimja ndër të tjera tha: “Shpirti i saj  arriti edhe në poezi. Ai tha se duhet të dimë se madhështia e Nënës Terezë është vërtet e madhe. Kjo më së miri shihet nga fqinjët tanë, të cilët bëjnë përpjekje për të grabitur një nënë që nuk iu ka takuar atyre…”. Do ta përfundoj këtë shkrim me disa kujtime lidhur me Ali Podrimjën, Nënën Terezë dhe ndërtimin e Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë. Pasiqë kishte dëgjuar zërin e Nënës Terezë në recitimin e uratës tradicionale “Puna e pendimit” në gjuhën shqipe, që e kishte incizuar Gjekë Gjonlekaj, gazetar i “Zërit të Amerikës”, ai kishte shkruar kështu: “Ngritjen e Katedrales në Prishtinë e kisha bërë çështje. Ajo duhet ta mbajë dhe emrin e Nënës Terezë. Kisha hedhur idenë se zëri i kësaj të Shenjtëruare të dëgjohet në çdo meshë edhe në Kishën shqiptare, pra menjëherë pas Ungjillit, Fjalës së Zotit. Pas leximit të teksteve që disponoja isha përcaktuar për uratën “Puna e pendimit”, që Nëna Terezë e kishte thënë vazhdimisht dhe në vetminë e madhe e skutat varfanjake të Kalkutës. Bile dhe në momentin e fundit, kur po kalonte në botën e tejme. Arsyet se kjo uratë dhe zëri i saj duhet të dëgjohen në Kishën shqiptare janë: së pari, urata ngërthen në vete një sinqeritet dhe respekt ndaj Zotit. Së dyti, në religjion zëri është i veçantë, pra mund të jetë dhe zëri i vendit. Ç’është e vërteta, lutjet as uratat në gjuhën shqipe Ajo nuk i kishte harruar për të gjallë, as nuk mund t’i thoshte në një gjuhë tjetër. Nuk e kishin atë bukurinë që e kishte ndierë që në fëmijëri, as nuk mund t’ia përkujtonin vendlindjen, prejardhjen. Kemi të bëjmë me kujtesën dhe respektin ndaj të kaluarës, pra nuk kishte pranuar të shkëputet nga diçka e shenjtë që e lartësoi dhe në rrafshin kombëtar” (Ali Podrimja, Nënë Tereza dhe Kisha shqiptare, 19. 11. 2007). Pak kohë para ndërrimit të jetës, apo si do të thoshte e Lumja Nëna Terezë, “kthimit në Shtëpinë e Atit”, shprehje kjo që i pëlqente shumë Ali Podrimjes, u takuam në Sheshin “Nëna Terezë” dhe ecëm së bashku deri te Katedralja. Në përshëndetje më tha: “A po rritet Katedralja?”. Unë u përgjigja: “Ajo tashmë ka lëshuar shtat, mungon edhe një këmbanare… Më tepër se po rritet, ajo po zbukurohet, Ali i dashur…”. Para se t’ma shtrëngonte dorën në mënyrën e tij karakteristike më tha: “Me këtë Katedrale do të rritën fëmijët tanë, nipat dhe mbesat e Nënës Terezë!”. Për këto dhe shumëçka tjetër, Ali i dashur, nga zemra të falënderoj dhe uroj që të jesh tashmë në “shoqëri me Engjëllin tënd – Lumin”, me miqtë tanë të përbashkët që kaluan në amshim, me Nënën Terezë, në lumturinë e amshuar! Pusho në paqe!

    Prishtinë, 25 korrik 2012