Bashkim KOÇI/ “Tring zilja”- dhe u mblodhën pas një gjysmë dhekulli

    484
    Sigal

    *ish -nxënës

    Është e vështirë, shumë emocionuese, të pasqyrosh takimin e një brezi, mësuesish dhe nxënësish, pas 50 vjetësh, pas një gjysmë shekulli. Janë çaste që të hutojnë, të krijojnë situata krejt të tjera, moment i cili të kthen prapa disa dhjetëra vjeçarë, të bën të përjetosh si në një ëndërr vitet e fëmijërisë. Ja, këtë “ëndërr” e bënë realitet ish-nxënësit e gjimnazit 3-vjeçar të qytetit të Fierit, të cilët u mblodhën ashtu si në atë mot të largët të vitit 1963. Këtë të diel, më një shtator. U mblodhën atje përpara, tek sheshi i shkollës së tyre të dashur. Dhe kjo fraza e bukur “shkollës së tyre të dashur” çka po them, është shumë e vockël, është fare-fare pa rëndësi përpara atij emocioni, përpara asaj ndjesie të rrallë që pushtoi shpirtin dhe zemrat e mbi njëqind ish-gjimnazistëve, të cilët tashmë punojnë në detyrën fisnike të mësuesit anë e mbanë vendit. I pashë të vinin një e nga një, por kryesisht grupe-grupe, të nisur ndoshta të organizuar nga rrethet që vinin. Ishin disi të hutuar, disi të kapur nga një stres, i cili ta jepte “si të shkruar në letër të bardhë” se ata, gati të gjithë, diçka i mundonte, diçka “i çarmatoste” përballë miqve e shokëve “të panjohur”.

    -Hajrie Çepele është ajo gruaja atje? Apo e ngatërroj me Asime Çelën?!

    Këtë pyetje ia bën Lefteria bashkëshortit, Bashkimi Çelës, të cilët ia kishin “vënë syrin” njëri tjetrit që kur ishin nxënës në gjimnaz.

    -Jam Vasili nga Lushnja. Po ti?

    -Vasili Sema?! Uaaa, nuk të njoha fare! Unë jam Jorgo Konstandini nga Saranda. Kemi ndryshuar shumë, more Vasil, mos jemi plakur?

    -Mos e thojë atë fjalë! Nuk është “plakur” profesor Gjergji, e jo më ne, nxënësit e tij. Shiko mësuese Liri Sotën, si një vajzë e re- i përgjigjet Vasili, duke sjellë “argumente” se nxënësit e dikurshëm ishin po ata, të zgjuar dhe simpatikë.

    Minoritari Jorgo kish ardhur nga Grazhdani, nga fshati më jugor i vendit. Në sytë e tij shikoje mall, diçka që e kish detyruar atë njeri të bënte qindra kilometra rrugë. Kishin ardhur bashkë, gati të gjithë ish-nxënësit e Sarandës. Erdhën një ditë më përpara, qysh më 31 gusht. E pritën mëngjesin e një Shtatorit aty, në konviktin, ku kishin fjetur një gjysmë shekulli më parë. Sotir Papa kishte kryer rolin e “Drejtorit të Drejtorisë Arsimore të rrethit” dhe, si me komandë, i solli të gjithë në këtë takim përkujtimor të pashembullt. Shumica minoritarë. Ndjehem i lumturuar kur përmend emrat e Spiro Naçit, Vasil Gjatës, Parashqevi Miços, Foto Nikës, Stavri Janit, Jorgo Papës, Petro Rakës, Mitro Dhimës e të ndonjë tjetri që mund të mos e kem “regjistruar” nga hutimi. Theodhori Janit, një nxënës ky shumë i mirë, kish ardhur posaçërisht nga Greqia, ku punon e jeton. E kish bërë këtë rrugë të gjatë bashkë me gruan.

     -Edhe ata që nuk mundën të vinin, “janë këtu”, bashkë me ne- më thotë plot emocion Spirua, i cili më “bezdis” deri sa të mund të telefonoj Vasillaq Vjerron, “i pafat” të përjetonte këtë ngjarje për shkak të një arsye madhore.

    Vasillaqi flet nga ana tjetër e telefonit me zë të mekur, si i zënë në faj, sikur dikush e “ka lidhur” dhe nuk e lejoi të gëzohej bashkë me të tjerët, me shokët dhe shoqet e moshës së fëminisë. Këtë gjë e ka vuajtur edhe Anastasi Kola, Sanije Myrtaj, Irini Angjeli, Dhimitrulla Gramozi, Thanas Kapurani, etj., shumica e të cilëve jetojnë në emigracion. Disa të tjerëve, fjala vjen mikut tim Muharrem Sanxhaku, ia “lidhi këmbët” një fatkeqësi familjare, por që ai, për këtë eveniment, i cili nuk do të përsëritet më, bëri të pamundurën për të mësuar për çka ngjau në atë ditë-festë, por që do t’i mbetet peng për të gjithë jetën. Në kulmin e “njohjes”, të ambientimit dhe të “gjetjes së fjalës” me njëri-tjetrin dëgjohet një tring-tring, tingëllimi i  ziles së dikurshme, pas të cilës ish-nxënësja Shqiponja Mehmeti dha “komandën” për t’u rreshtuar sipas klasave, si atëherë, pa as më të voglin gabim. Moment shumë mbresëlënës, shumë emocionues. “Nxënësit”, ashtu  në rresht mbajnë sy e vesh andej nga vjen drejtimi për të ndjekur radhën e veprimeve, duke u mbetur si një sinjal pambarim tingëllima e ziles, simboli i nisjes të ngjarjeve të mëdha.

    Aty, si në një ceremoni të sajuar me “skenar” të para 50 viteve, kishin ardhur edhe mësuesit. Kishin mbetur pak. Shumë pak nëse kemi parasysh “armatën”, atë këshill pedagogjik që punuan me këta nxënës disa dhjetëra vjeçarë të shekullit që shkoi. Sidoqoftë, mësuesit Jorgji Shundi, Liri Sota, Gjergji Toska, Liri Saraçi dhe Mira Beqiri na “i sollën” të gjithë, edhe ata që tashmë janë larguar nga kjo Botë. Por, “të ikurit” nga jeta, mësuesit dhe edukatorët tanë të paharruar, na i sollën si të ishin aty, si të na përshëndesnin e të na qafosnin me mall, trashëgimtarët e tyre, djem e vajza të mrekullueshëm, të rritur e edukuar me dashurinë për punën dhe për njerëzit. Gjylfizare Jusufati, vajza e drejtorit të shkollës, të të ndjerit Teki Sadiku, “Mësues i Popullit”, u gjend ashtu si të gjithë ne, e pushtuar nga ndjenja e mirënjohjes, e emocioneve që të lëndojnë. Si një porosi të babait që nuk jeton, si të një amaneti të lënë nga një shpirt që ikën e nuk vjen më, mundi të përcjellë tek ne edhe vajza me plot hir e mençuri, Mirela, e bija e mësuesit mallakastriot Hamza Myrtaj. Në atë “podium” të sajuar qëndronte dhe një grua e veshur me të zeza. Ishte bashkëshortja e të ndjerit Abdyl Asllani, e cila bashkë me të birin kish ardhur për të mos e lënë bosh vendin e të shoqit, që të çmallej me miqtë e shokët, sikur të kish qenë vetë ai. Sigurisht, në këtë takim festiv na u lëndua zemra kur morëm vesh për largimin nga jeta të Andon Bakos nga fshati Muzinë i Sarandës dhe Bahri Nëlës e Ramiz Xhanit nga Tirana.

    Jorgji Shundi, “i rrepti” i fizikës, ndjehet “i konsumuar”, i pafuqi për të përballuar nxënësit e dikurshëm të tij, të cilët në këta dhjetëravjeçarë punuam në detyrën e mësuesit, ashtu si ai.

    – Kur mora urdhrin për të punuar këtu, mos kujtoni se e pranova me qejf të madh. Ashtu si dhe shumë kolegë të mi që vinim nga Tirana, nga Kryeqyteti. Mendoni të punonte një djalë i ri, siç isha unë atëherë, vetëm 25 vjeç, me djem e vajza 15-16 vjeçarë, pra me ju “pleqtë” e sotëm, të ardhur të gjithë nga fshati, të gjithë “të mangët” për shumë gjëra, të cilat sot nuk mund të mendohen.

    Mësues Gjergji solli kujtime të tjera, po kaq mbresëlënëse, po kaq mallëngjyese, të cilat na bënë të përjetonim e kujtonim vitet e rinisë tonë së hershme. Ai iu drejtua ish nxënësve të tij “Të dashur bashkëpleq!”, shaka e bukur kjo, por që ishte shumë pranë të vërtetës, të asaj që ky takim “i menduar mirë” u realizua si për të mbyllur “epokë e punës” dhe për të filluar atë tjetrën, “të pleqërisë së bardhë”. Fjalosjet me njëri tjetrin gjejnë vend edhe për të njohur e diskutuar rreth stendave të mbushura me fotografi. Ato janë të vendosura me shumë finesë në një ekspozitë interesante, të përgatitur nga dy bashkënxënës, Vullnet Skëndaj dhe Violeta Ameti, ata që u bënë edhe nismëtarë të realizimit të këtij takimi që na la të gjithë “pa gojë”.

    Pastaj ikëm. Ikëm si të mos kishim qenë aty, si të paskësh qenë vetëm një ëndërr. Do mblidhemi herë tjetër u dëgjua një zë, i cili u duk sikur doli nga zemra e të gjithëve?

    -Do ta mendojmë, pastaj do vendosim. Mundet pas tre vjetësh. Dhe do ta bëjmë, sepse do të na marrë malli, do të na “i kujtojë” takimi i sotëm, të cilin na i regjistroi nxënësi-kameraman Baki Dervishi. Ky do të jetë për të gjithë ne “shpirti i humbur”, por që e gjetëm sot, më një shtator 2013.

    Një kujtim i bukur nga mësues Jorgji

    Dhe mësues Jorgji, për të bërë sa më të prekshme atë kohë të largët, të “sunduar” nga varfëria e mjerimi, solli një fakt, i pabesueshëm për formimin e informacionin që kanë fëmijët e sotëm, të cilët, siç e dimë të gjithë, “lozin” me kompjuterin, e jo me atë çka na solli në kujtesë mësues Jorgji.

     -Ishte duke mbaruar ora e mësimit dhe për të qenë i saktë sesa minuta kishin mbetur, dërgova një nxënës për të parë orën e murit në sallën e mësuesve. Nxënësi i ngratë, i ardhur kushedi nga ç’fshat i humbur i Shqipërisë, nuk dinte, nuk e njihte orën. Vajti, “e pa” dhe për të mos e “zbuluar” veten si “injorant” tha: “ka edhe 10 minuta mësues”. Ndërkohë, pra në çast, ra zilja për mbarimin e orës së mësimit.

    -Ai kam qenë unë- u dëgjua një zë kumbues “nxënësi”, duke ia prerë fjalën në mes mësues Jorgjit. Dhe të gjithë të pranishmit kthyen kokën nga ai, i cili po shfaqej botërisht për atë “padituri” të ndodhur përpara gjysmë shekulli. Dhe ai “i padituri” isha unë, autori i këtyre radhëve.