Bashkim KOÇI/Skënder Myftari, njeriu që “la shpirtin” për të mbjellë mësim dhe dituri

1005
Sigal

Ndjehem paksa i pazoti të shkruaj këto radhë për të sjellë në kujtesë të lexuesve skraparllinj e më gjerë portretin e Skënder Myftarit, djalit vërzhezhalli, i cili u nda nga jeta këtu tre dekada më parë, më 6 nëntor të vitit 1983. Dhe këtë ndjesi “pazotësie” ma sjell, jo Skënder Myftari si njeri, si intelektual, si mësues apo personalitet shoqëror i krahinës tonë, por shpirti i tij fisnik, shpirti i tij njerëzor që, sa qe gjallë, nuk u lodh kurrë për të bërë më të mirën e mundshme kudo ku punoi e drejtoi.

 Ai i ngjiti “të përpjetat” e jetës si rrallëkush, si një fëmijë “i burrëruar” qysh në fëmijëri, në ndjekje si të një “urdhri ushtarak” të këshillave të babait, Turhanit dhe nënës Asije. Është e vështirë, shumë e vështirë, të mbetesh “i shkëlqyer” vit pas viti, plot 47 vjet jetë, aq sa jetoi Skënder Myftari. Nëse i marrim të copëzuara “kërcimet” që ai bëri për të mundësuar realizimin e formimit, shkollimit dhe të përgatitjes për t’u bërë njeri i dobishëm për vete e për shoqërinë, bie në sy intelekti, “kokëfortësia” për të mbajtur të freskët zellin për të mësuar, për të mbetur  ai “i diellit të mëngjesit” kur mbaroi shkëlqyeshëm arsimin 7-vjeçar në Vërzhëzhën e tij të dashur.

 Asgjë nuk mund të jetë e bardhë po nuk u përshkua nga drita dhe asgjë nuk mund të jetë e ngrohtë po nuk merr ndihmën e afshit të zjarrit. Skënderi i pati me bollëk dhe diti t’i shfrytëzojë mjeshtërisht të dyja këto burime që zbukurojnë jetën e njeriut. “Dritën” ia dhanë të parët e gjakut dhe të trashëguar brez pas brezi në fisin e Myftarajve, gjyshit Brahim e babait Turhan, ndërsa “zjarrin” e kishte në shpirtin e tij, tek ai shpirt që nuk u “ftoh” për asnjë çast në kërkim të të mbeturit njeri me virtyte të larta, të njeriut që sakrifikohet për të mbetur dikushi për aq sa punon e jeton. Sepse ka një moment të rëndësishëm të jetës së tij, të shkollimit, të formimit dhe të ndjekjes hap pas hapi të ndryshimeve të shpejta,  marramendëse, të atyre viteve.

  Pas mbarimit të arsimit 7-vjeçar, atij iu desh të kryente një kurs një vjeçar në qytetin verior të Shkodrës për t’u përgatitur si mësues. Dhe “aritmetika”, për nxjerrë se në ç’moshë ka marrë detyrën si mësues, bëhet fare kollaj. Del që Skënderi ka qenë vetëm 18 vjeç. I binte që “nxënësi” të mësonte nxënësit. Po të gjenden regjistrat e shkollës të atyre viteve me domosdo do të jetë edhe firma e hedhur nga ky 18 vjeçar, firma e këtij “fëmije” që kish mbi shpinë barrën e madhe të shkollonte fëmijët të etur për shkrim e këndim. Por edhe burrat. Madje, ai gjatë gati një dekade ishte dhe mbeti një ndër mësuesit e palodhur, me plot pasion djaloshar. Si dhe shumë të tjerë Skënder Myftari u përpoq për “të hequr” nga kokat e fshatarëve “tumanet e turkoshanit”, analfabetizmin. Në  Potom, Nikollarë, Vëndreshë e Vërzhëzhë ka ende edhe sot e kësaj dite pleq e plaka të moshuar, shekullorë, të cilët mbajnë mend dhe të tregojnë se abc-në ua  mësoi një mësues “çilimi”  nga fshati Vërzhezhë.

Kërkesat për kualifikim në fushën e arsimit ecnin me shpejtësi, vit pas viti. Por, po me këtë “shpejtësi marramendëse”, po me këtë “marsh” “fluturonte” edhe djaloshi Skënder, i cili e kish marrë në sy për të mbetur mësues i brezave që e ndiqnin pas. Në vitin 1963, në moshën kur ai dhe vërsnikët e tij kishin fituar “statusin” e burrit, të familjarit, guxoi të bëhej përsëri student në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në degën Gjuhë-Letërsi, të cilin, ashtu si dhe shkallët e tjera të formimit të tij arsimor, e mbaroi me nota të shkëlqyera. Ishte ky kualifikim, ky formim në përmasat e intelektualit të atyre viteve, që Skënder Myftari  të emërohej në detyrën e redaktorit në shtëpinë botuese “Naim Frashri” në Tiranë. Por  vetëm për dy vjet e gjysmë. Thirrja “do të shkosh aty ku ka nevojë Partia” e “fluturoi” në Skrapar, aty ku edhe do të mundte t’i futej “zanatit të vjetër”, mësuesisë. Veçse në një detyre kontrolluese, si “mësues i mësuesve”, inspektor i arsimit të rrethit, detyrë e cila i solli diçka tjetër më të vyer.

  Ai ishte djalë me ndjenja eksploruese, ndaj kjo detyrë i solli  “zogun në dorë” nga do të mundte të shëtiste pëllëmbë për pëllëmbë të tëra fshatrat e Skraparit. Nuk e di se kush do të mund të radhitej “i dyti” si njohës i shkollave dhe personelit arsimor të asaj kohe në Skrapar, por i pari ishte dhe mbeti mësuesi Skënder, i apasionuari për t’u dhënë njerëzve dituri.

 Në themel të një jete të lumtur ka vetëm një mirësi: besimi në vetvete. Skënderi, për t’ja bërë portretin ashtu si e kish në të vërtetë, ashtu si e kanë njohur shumë shokë, miq e bashkëpunëtorë në ato vite, ai e dispononte këtë mirësi, e kishte si një pasuri të patundshme. Ishte i palëkundur. Kishte një besim “të çmendur” tek vetvetja, tregojnë bashkëkohësit. Nëse e niste punën, do ta çonte deri në fund, ashtu si e kishte menduar. Tregojnë se Skënderi, ashtu si të gjithë fëmijët e tjerë të asaj familjeje, kishin mësuar nga filozofia e jetës të babait, Turahanit. Ai ishte i njohur në Vërzhezhë dhe në fshatrat përreth si ndërtues, si mjeshtër i shkëlqyer i punës me gurin. Por ka qenë dhe shumë arsimdashës. Nuk u dorëzua asnjëherë përpara fukarallëkut për t’i bërë fëmijët me shkollë. Unë, u thoshte fëmijëve, kur binte fjala për shkollën, po u rris me iziet, duke “ngrënë” cifla guri, kurse ju, nëse do të ndiqni shkollat, do t’i ushqeni fëmijët tuaj me kokrra gruri. Dhe kjo porosi e tij nuk i gënjeu asnjëhërë, nuk i la për asnjë çast në mëdyshje apo për të ndryshuar mendje në “vrapin” që kishin marrë për tu bërë njerëz të ditur. Skënder Myftari nuk dha asnjë shans për të filluar e rifilluar punëra “të tjera” pasi të ishte bërë pishman. Nuk u pa ndonjëherë të vraponte pas hiçit, pas gjërave që nuk kishte asnjë kuptim t’i ndiqje pas. Në këtë kuptim ai eci e eci pa pushim për të mos e copëzuar “karrierën”, për të mos e shkatërruar atë që e kish ngritur falë mundit, forcës dhe “pushtetit” të tij mbi mirësinë njerëzore.

 Jeta nuk vlerësohet për nga gjatësia, por për nga përdorimi i saj, ka thënë një filozof i lashtësisë, Seneka. Nëse i referohemi kësaj thënieje për të vënë në peshë jetën e Skënder Myftarit, besoj se ne, miqtë, shokët, të gjithë ata që e kanë njohur, jemi të gjithë në një mendje: ai jetoi pak, por la prapa “thesarë njerëzorë” sikur të kish kapur shekullin. Dhe, e dini çdo të thotë kjo? Që ai i konceptonte çdo ditë të jetës së tij si një jetë të tërë.

 Ashtu si shumë hyjni përmbushin misionet e tyre të veçanta, edhe njeriu gjatë viteve të jetës së tij përpiqet të kryejë më të mirën, atë që i përket tokësores. Kam përshtypjen se Skënder Myftari, miku dhe shoku ynë i larguar nga kjo Botë përpara 30 vjetësh, nuk la  ndonjë “borxh”, e ca më tepër, të mos ketë kryer detyrimet e tij si njeri, si prind, si “i rrituri” mes sakrificave të mëdha. Përkundrazi, sipas mendimit tim, ai, përveç “të shkruarave” në kujtimet tona, la edhe një familje të mrekullueshme, bashkëshorten, Bitijen dhe dy “yje të rënë nga qelli”, djalin Dritan dhe vajzën Diana. Dhe a e dini përse ndjehem i lehtësuar nga “gjëma” që nuk e kemi patur për kaq vite midis nesh Skënder Myftarin? Sepse ai është trashëguar me një tjetër Skënder. Shkoni në Çorovodë dhe pyesni për këtë emër, pra për Skënder Myftarin. Dhe do ta gjeni aty, nxënës në vitin e katërt të gjimnazit “Ramiz Aranitasi”. Po, po, aty. Dhe mos e besoni po deshët, që Skënder Myftari, ashtu si “nuk u lodh” së mësuari sa ishte gjallë, nuk po ”lodhet” edhe tani që nuk e kemi midis nesh. Një Skënder tjetër, nipi i tij, na çmall me hijen e gjyshit, me karakterin, burrërinë dhe pasionin për të mësuar si ai.