Bashkim Koçi/ Përkushtimi në punë, nga këpucar në një biznesmen të suksesshëm

    623
    Sigal

    Rasti i Skënder Dedjes, shembull i thjeshtësisë, besimit në vetvete dhe këmbënguljes për sukses

     Unë nuk e kisha njohur kurrë këtë njeri. As nuk e kam parë, e as ia kam dëgjuar zërin ndonjëherë. Dy miq të mi më patën thënë, më patën folur me shumë emocion, se Skënder Dedja nga qyteti i Krujës, është njeri i veçantë, nuk ia gjen shokun për punë, nuk ka të dytë si ai në tërë atë qytet, ndër më të preferuarit nga turistë vendas e të huaj. Aty për aty nuk i besova, nuk i mora për të vërteta fjalët e tyre pasionante, duke i paragjykuar “janë fjalë që i nxit pritja, dreka dhe vera që do t’u ketë ofruar Skënder Dedja”. Ca më shumë më zuri vend ky paragjykim kur më erdhi në mendje një strofë humoristike e Nolit, të cilën ai ua ka kushtuar tregtarëve krutanë. “A të duhen gënjeshtarë,/ Matrapazë e kokë tharë,/ Që rërën ta shesin për farë?/Merr krutan e je i larë!” Kështu i ka “groposur” tregtarët krutanë Noli. Mirëpo ky “përcaktim” i Nolit, i cili në vetvete përmban doza të fuqishme humori, nuk mund të hedhin poshtë aftësitë, absolutisht të merituara, të krutanëve për të bërë tregti. Këtë e hodhi poshtë edhe personazhi i këtyre radhëve, Skënder Dedja.

    FILLIMET

    Pas viteve ‘90, pra pas fillimit të proceseve demokratike, ky Skëderi na qenka “ndarë”, kish bërë “divorc” të parevokueshëm me profesionin e tij të vjetër, atë të këpucarit. Kishte punuar për shumë vite këpucar. Madje, ai paskësh qenë këpucar me emër, nga ata që në atë kohë kërkoheshin me qiri. Për më shumë se 20 vjet nuk i ishte hequr emri asnjëherë nga tabela e “emulacionit socialist”. Ishte zanatçiu më i mirë si këpucar në shkallë vendi. Mirëpo, me të lindur “tregu i lirë i punës”, ai ish -futur një profesioni tjetër, një biznesi krejt pa lidhje me atë të zanatit nga i cili kish mbajtur fëmijët me bukë një jetë të tërë. Mesa duket tek krutani kish shpërthyer geni i trashëguar nga gjyshërit e që kish qëndruar “fjetur” brenda shpirtit për shumë vjet.  Ajo që përtyp e ripërtyp në mendjen time është mendimi sesi ky Skënderi ka mundur të ngjitet kaq lart në biznesin e tij, aq sa po çudit edhe ata që e kishin pasur për soj tregtinë.

    BIZNESI

    Nëse do t’ju bjerë rasti të ngjiteni në qytetin e Krujës, do të përballeni me “Panoramën”, kompleksin-kështjellë, i cili, as më shumë e as më pak, i bën karshillëk kështjellës tjetër përballë, Muzeut Historik të Skënderbeut. Ajo është një ndërtesë tërësisht e gurtë, e mbërthyer si një copë shkëmbi në atë faqe mali. E ndërtuar dhe e ngritur gur pas guri, tashmë është si një e tërë. Kur e shikon dhe e sodit nga jashtë këtë ngrehinë, sa të thjeshtë, po aq edhe moderne, të krijon ndjesinë sikur ke përballë një aliazh gjigant, të ngjizur me gurë e hekur. Brenda, të gjithë mjediset, restoranti, dhomat e gjumit, salla e konferencave, mjediset çlodhëse, të gjitha, janë komplet të shtruara e “të mbuluara”  me dru. Drurët e pyjeve të Krujës kanë zbritur aty, në atë hotel-restorant, i cili, sipas mendimit tonë, i jep shkëlqim vullnetit dhe punës që është investuar nga një njeri që e filloi nga hiçi. T’i imponohesh vetes është forca më e madhe. Skënder Dedja e ka pasur, e disponon këtë forcë. Ajo buron nga brenda, ajo është pjesë e një shpirti rebel, i cili gjithmonë ka për synim lartësitë. Dhe ai është i tillë, Ai di të ecë me vrap. Nuk ka asnjëherë “stacion për të pushur”, nuk i shkon as në mendje ndalesa, qoftë dhe “për të marrë frymë”. Aty në një sfond të dukshëm, si për nostalgji, ka vendosur një pikturë murale ku duket qartazi vet ai me një këpucë në dorë dhe takëmet e këpucarit, si t’u thotë atyre që i shikojnë “unë pronari i këtij hoteli luksoz, dikur kam qenë këpucar”. Edhe si atëherë, edhe tani nuk e ka njohur kurrë varfërinë. Sidomos atë të shpirtit. Në Krujë, por edhe më tej, e dinë të gjithë që Skënder Dedja e ka mirësinë me pash, hyn tek njerëzit me zemër të butë, zemërartë. Në një investim, paksa jashtë sferës prodhues, jo për përfitime materiale, thuhet se është një copëz nga mundi i tij. Eshtë fjala për Siri Salltikun, misionarin islam, “selia” e të cilit është në Malin e Krujës. Aty është realizuar diçka e shenjtë, ashtu si e meritonte të ishte ky vend mistik, e ku bektashiu Skënder hodhi themelet e asaj që sot mrekullon turistë e besimtarë. E bëri të jetë pika më e vizituar nga besimtarë bektashinj nga i gjithë vendi e më gjerë, ky Skënderi-këpucar, tashmë pronar i hotelit luksoz “Panorama” në qytetin e Krujës. Mesa duket, ai i qëndron besnik një porosie të Profetit Muhamed: “Nëse dëshiron zbutjen e zemrës tënde, atëherë ushqe të varfrin dhe ledhato kokën e jetimit”.

    SUKSESET

    Skënderi është edhe besimtar shembullor. Në botëkuptimin e tij jeton e mira dhe vet ai është si një strehëz, ku gjenden, përveç të tjerave, edhe ndjenjat njerëzore, humanizmi. Thuhet se i varfëri qesh më shpesh dhe më çiltërsisht. Nuk ka brenda tij shqetësim vërtet të thellë. Ose, edhe nëse ka , ai kalon si një re e lehtë. I tillë, ky përshkrim mund t’i bëhet edhe “këpucarit” Skënder, por që ai, për fatin e tij të mirë, është dy herë i pasur, materialisht dhe shpirtërisht. Sepse, siç na ka rënë në sy të gjithëve, njerëzit e kamur gëzimin e kanë si një ngërdheshje, më shumë të shfaqen të trishtuar sesa të lumtur. Personazhi ynë nuk u ngjan aspak biznesmenëve që e kanë të ndaluar të shfaqin hapur fatkeqësinë e që u duhet të luajnë rolin e njerëzve “me plot humor”. Jo! Fytyra e tij është plot ëmbëlsi, e mbushur me shpresë për të realizuar atë që të duket e pa kapshme vetëm nëpërmjet punës. Dhe ajo çka them “pikturohet” në grup-fjalëshin e sinqertë të nxjerrë nga goja e tij kur shprehet “nuk ka grua të më qajë dot për punën që kam bërë gjatë gjithë jetës time”. Hotel-restoranti “Panorama” është investim i madh nëse e marrim atë çka është “hedhur” aty si një gjë që ka lindur nga hiçi. Jo pa qëllim edhe Skënder Dedja ka vendosur si reklamë portretin e tij faqe-muri me një këpucën në dorë. Jo pa qëllim, gjithashtu, ai ka ruajtur aty pranë, ngjitur me hotelin-kështjellë, ish ngrehinën, tashmë demode, nga e cila mori hov për të realizuar hap pas hapi atë që sot i ka dhënë famë si “këpucari që po çudit Krujën”. Shpesh gjatë këtyre viteve ka ndodhur që tregtarë të veçantë, nisur edhe nga mania për të fituar shumë, që të mund të bëhen milionerë brenda ditës, kanë dështuar keqazi, janë groposur për të mos e ngritur kokën kurrë. Sigurisht, shembuj ka sa të duash, por unë po skicoj portretin e biznesmenit Skënder Dedja, i cili, si rrallëkush e ka luajtur dhe po e luan mjeshtërisht rolin në “mbretërinë” kapitaliste, ku ai zë një vend të nderuar.

     Punët e mëdha në fushën e biznesit, si kudo, duan vullnet, por edhe një “plan veprimi” të mençur. Nuk mund të dalësh për të peshkuar me anije të prishur. Por nuk mund të vesh edhe për të bërë pazar me xhepat bosh. Pra qorrazi, pse ti mund të kesh parë një ëndërr për t’u pasuruar, nuk mund të hedhësh asnjë hap. Shumë shpejt do gremisesh, madje mund të përjetosh zhgënjim fatal. Krutani Skënder në tërë historinë e tij të punës është shfaqur njeri i matur, i ka hedhur hapat për të mos shkelur në dërrasë të kalbur. Kompleksi “Panorama” është model unikal, i papërsëritshëm, nëse në tërë këtë histori biznesi “lexojmë” sinqerisht mundin, të vërtetat e ngjitjes deri këtu, të cilat janë krejt të pastra, krejt “sterile”, të pa njollosura nga punëra të pista. Vetëm aty nuk shkon pyetja: “Ku i ka gjetur lekët ky zotëri, i cili na paska ngritur gjithë këtë bina”. Dy djemtë e tij, Ardiani dhe Rolandi, punën disavjeçare si emigrant në Gjermani, i kanë “murosur” aty, i kanë bërë gurë, dru e hekur, për t’i dhënë atë panoramë që ka marrë kompleksi “Panorama”, ndër më të veçantët për nga bukuria në qytetin e Krujës. Dhe, më që jemi tek djemtë, duhet të themi se Skënder Dedja ka ditur të edukojë fëmijë që t’i ngjajnë, të jenë si vet ai, në përballimin e jetës, në rendjen dhe qëndresës besnikërisht fjalëzës aq të madhe, kur është puna për shtimin e pasurisë, “ndershmëri”. Tregojnë se, dikur dy djem të një pronari tokash u ulën në gjunjë dhe belbëzonit me shikim nga qelli: “Zot, na ndihmo të bëhemi si babai ynë!” Atë natë, vonë, ata dëgjonin babanë e tyre tek lutej: “I dashur Zot, më ndihmo që të jem, ashtu siç djemtë e mi dëshirojnë të bëhen!” …