Bashkim Koçi: “Borxh i vonuar” për Mustafa Dervishin

    505
    Njeriu dallohet nga të gjitha krijesat e tjera me aftësinë që ka për të qeshur. Por që të qeshësh, të të shkëlqejë fytyra nga ajo çka nxjerr shpirti, duhet me patjetër të jesh njeri me zemër të madhe, duhet me patjetër të kesh lindur si i tillë me gene të trashëguara brez pas brezi. E unë e kam patur fatin të njoh, ta kem patur shok e mik, të kem ndarë me të çaste pune që lënë gjurmë, gjurmë që rrojnë gjatë, sa jeta. Ky ishte Mustafa Dervishi nga fshati Therepel i Skraparit. Emri Mustafa vjen nga gjuha arabe dhe do të thotë “i zgjedhur”. Emër shumë i bukur, shumë i domethënës nëse e shikojmë nga përmbajtja, nga çka do të thotë. Por me këtë, nuk mund të marr përgjegjësinë e të them se Mustafa Dervishi ishte ai që ishte, njeri me tregues shumë të virtytshëm, ngaqë mbante për emër, atë që kishin dëshiruar t’i vinin dy prindërit e tij bektashinj, “i zgjedhuri”. Kjo është rastësi, është një përputhje gati-gati mistike të emrit dhe cilsitë njerëzore që bartëte. Ajo që mund të them me zë të lartë është vlerësimi, është jeta plot dallgë, është qëndresa e tij për të mbetur “i zgjedhuri” mes shokësh të brezit e vërsnik së tij. 

    Duhet të përjetosh shumë gjëra në jetë që të mund të bëhesh njeri. Kjo çka them është me domethënie të madhe, ka filozofinë apsolutisht të besueshme se jeta nuk është një rrugë e shtruar me lule e as lyer me “sheqer e mjaltë”. Jo. Madje skraparasi Mustafa Dervishi nëse shdriti si figurë e pastër atje ku jetoi e punoi, kjo erdhi edhe për faktin se ai mësoi shumë nga rrethi familjar, mga ata që dikur kishin rënë “nga fiku” për gabime të rënda për sistemin, por që nuk kishte pse të bëheshin, apo thënë troç, t’i nxinin jetën, ta bënin fajtor pa faj. “Tersi” për jetën e Mustafa Dervishit kishte lindur bashkë me të, në dhjetor të vitit 1047. Për dreq, një xhaxhai i tij, Muharremi, qenkësh ngatërruar me Partinë qysh herët, atëherë kur posa kish mbaruar Normalen e Elbasanit. Mësues Muharremin e kam njohur edhe unë, shkruesi i këtyre rradhve mbasi në vitet ’60 të shekullit që shkoi e kisha drejtor të shkollës në fshatin Çepan të Skraparit. Mësues Muharremi mbaj mend se ishte i egër, pak nopran, por shumë kërkues e i drejtë ndaj kolegëve e ne nxënësve. Ne, edhe pse ishim të vegjël, axhaminj, kishim dëgjuar se drejtor Muharremi “nuk ishte me Partinë, kishte njollë në biografi”. Kjo më kishte mbetur në mendje ndaj vite më vonë, kur kisha mbaruar universitetin, sa herë që përballesha me Mustafanë më kujtohej xhaxhai i tij, Muharremi. Vonë-vonë më vajti mendja se të gjitha peripecitë që kishin ndjekur mikun tim Mustafa i paskësh patur peshqesh nga xhaxhai me qëndrim jo të mirë politik.

     Me rezultatet aq të mira në përfundim të shkollës 7-vjeçare nuk mund të gjendej sebep aq i fortë sa të mos i jepej e drejta për të bërë një shkollë të mesme dosido. Shkollë që të mbetej në fshat, të mos i hapej anjë dritëz për më tej, përveç fushës së bujqësisë. Sepse, siç e njihte edhe fshati, prindërit e tij, sidomos babai, kish qenë dhe ishte i tëri i Partisë, nuk kish lënë asnjë dyshim për qejfmbetje për shkak të të vëllait, Muharremit. Por kur vinte problemi në trajtimin politikisht të familjes, Mustafait i vinin përballë bëmat e xhaxhait, i thoshnin se ishte nipi i atij që ishte me njollë në biografi. Ja kështu. Dhe djalit të vogël, me rezultate të shkëlqyera, iu dha e drejta të vijonte shkollën e mesme për agronom në Golem të Kavajës. Njeriu duhet vlerësuar jo vetëm nga veprat, por edhe nga synimet e tij, nga aftësia sesi e shikon të ardhmen, sesa largpamës është për të kapur majat. Në këtë kuptim Mustafa Dervishi vlerësohet me notën “shkëlqyeshëm” sepse, edhe pse arriti të bëhëj specialit i mesëm bujqësie, nuk ndali së kërkuari, nuk rreshti pa trokitur dyerve “të kompetentëve” për të vazhduar studimet në Institutin e Lartë Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Një vit punë si agronom i mesëm në fshatin Malind do të mjaftonte për të “|ndrequr” biografinë, por edhe për më shumë, për të gjetur njeriun e duhur në kërkim të së drejtës se “e meritonte për të vazhduar shkollën e lartë”. Nuk mjafton të jesh ai që je: duhet të jesh ai që duhet të jesh. Kjo thënie është e gjetur për të gjithë ata që kanë ambicje për të bërë më të mirën e mundëshme aty ku punojnë e drejtojnë, është e gjetur për të gjithë ata individë që “i ngjajnë” personazhit të këtij shkrimi. 

    Kur ndjekim rrjedhën e jetës së Mustafa Dervishit vihet re si ai në të gjitha kthesat, të përpieta apo të tatëpieta, ka qenë konseguent, ka shpalosur karakterin e njeriut të palëkundur për të bërë e realizuar punë të nderëshme. Sado që të mundohesh për të krijuar situate të disfavorëshme, të vështirë dhe parrugëdalje, njerëzit që dinë çbëjnë dhe përse e bëjnë janë të pathyeshëm. Më vijnë ndërmend vitet kur ky specialist i ditur dhe me vizion punonte në një nga kooperativat malore më të suksesëshme në shkallë vendi, në atë të Vëndreshës të rrethit të Skraparit. Më kujtohen ata vite edhe për faktin se mua në vitin 1976 më dërguan aty me detyrën e K/agronomit, detyrë që, sipas drejtuesëve në rreth, “duhej të mbulohej nga qëndra sepse në Vëndreshë nuk ka specialist të atij niveli për ta emëruar në këtë detyrë”! Më duhet të lë pak mënjanë modestinë time si specialist bujqësie, por meqë me jepet rasti të shkruaj këto rradhë për ish shokun dhe mikun Mustafa Dervishi, detyrohem të them se ai, mendja dhe kapaciteti i tij intelektual e organizativ ishte ku e ku me mua, me të përzgjedhurin e rrethit që e kishin dërguar për të drejtuar kooperativën e Vëndreshës. I them këto fjalë pendese sepse ai burrë, ai njeri që dinte çbënte dhe si e bëntë nuk hapi gojën kurrë, në asnjë rast, që të demostronte, të ngrinte zërin e të thoshte, qoftë dhe me zë të ulët, “jam edhe unë këtu!”. Ai jo vetëm që nuk e bëri këtë, por ashtu thjeshtë e me modestinë e intelektualit që e ka kokën plot, mbajti pozicionin që i kishin dhënë, të specialistit që e kërkonte karierën si i tillë tek puna e nderëshme, pa hile e cmirë. Kanë kaluar rreth 40 vjet për çka po tregoj për këtë specialist të zotë e me virtyte të larta, por për gjurmët që kanë lënë, për vlerat që përciellin, janë gjithmonë të freskëta, me afat të pafundmë skadence. 

    Nuk mund ta poshtërosh dikë pa u poshtëruar edhe ti bashkë me të. Është paksa e rëndë, por Mustafa Dervishin, njeriun e mirë që e përshkruam edhe në këta rradhë, në një moment të jetës së tij, në moshën më delikate, por edhe më të bukur, e poshtëruan, e ulën ligësisht. Sigurisht lexuesit po i shkon mendja menjëherë se arma që ka çkrepur poshtërimin ndaj tij duhet të jetë “armiku i klasës”, njeriu me shënjë, xhaxhai, mësues Muharremi. Dhe ja si ngjau, ja rrufeja në qiell të kthjellët që goditi njeriun e pafajshëm Mustafa. Aty në Vëndreshë erdhi nga Çorovoda një mësuese me emrin Donikë. Donika atëhere ishte vajzë e re, si një flutur. E kishin sjellë në fshat që të kryente stazhin e Partisë, periudhë prove për kandidatin për t’u bërë më pas anëtar. Bukur fort! Mustafait, si specialit edhe për botën e njerëzve, i vajtën sy e zemër tek “vajza nga qyteti”, tek Donika, me mendimin për të lidhur jetën me të. Bukur fort! Por kjo ngjau edhe me Donikën, e cila sikur nuk paskësh ardhur deri aty për të kryer stazhin e Partisë, por edhe për të krijuar familje me djalin “puro” nga fshati. Por fshati si fshati, u mor vesh e fjala mori dhenë se agronomi Mustafa na qënkësh fejuar me atë mësuesen e porsaardhur nga Çorovoda, Donikën, kandidaten për anare partie. Që në këtë moment filloi të vihej në lëvizje vigjilenca, syri dhe veshi i Partisë për të goditur armikun e klasës. Kam qenë vëzhgues okular i asaj çka ndodhi me mësuese Donikën dhe me agronomin Mustafa. Mbledhje të gjata, me orë të tëra, pa fund. Donika na paskësh humbur “vigjilencën”, na qënkësh lidhur me një person me biografi të dyshimtë, xhaxhai i të cilit ishte me njollë e i cilsuar si armik. Kaq u desh dhe të shkretën vajzë, atë që ishte ngjitur deri në Vëndreshë nga dashuria për Partinë, e përjashtuan nga Partia. 

    Përjashtimi nga Partia, siç dihej, ishte pushkatim politik, por mësuese Donikën e “pushkatuan”, në një farë mënyre, edhe në shumë drejtime të tjera, për të mos u gëzuar me jetën e re të porsafilluar. Plaga që morën ishte më e fortë, më e dhimbëshme se aja e plumbit. Por plaga që u hap ishte edhe më e madhe për Mustafanë, atë djalë që me punën dhe ndershmërinë e tij i kish dhënë emër kooperativës së Vëndreshës në të gjithë vendin. Sepse plaga e vjetër, e cila në pamje të parë dukej se ishte mbylluar, u hap përsëri. Ishte po ajo luftë që nuk i jepej e drejta për të shkuar në shkollën e lartë, po ajo luftë që nuk e gradonte të bëhej k/agronom, po ajo luftë që nuk e lejonte të mërrte për grua vajzën që deshte. Njeriu që nuk mund të drejtojë veten, nuk vlen për të drejtuar të tjerët. Mustafa Dervishi ishte “kapedan” për të drejtuar veten dhe të tjerët. Për çka ndodhi rreth e rrotull tij për shumë vite rradhasi nuk e ligështuan, nuk mori inat të prishej me ndërgjegjen e tij, nuk vuri “unin” për t’u hakmarrë, për t’u larguar nga shokët e miqtë që ua dinte dhe ia dinin vlerat. Ashtu si kalliri i grurit me plot kokrra, uli kokën, pa hallin e tij, duke u marrë me punë të mirëfilltë shkencore në fushën e bujqësisë. 

    Falë këmbënguljes për të mbetur njeri fisnik dhe me bindje për të mos e shndërruar të drejtën e tij të madhe në një ligësi të vogël, ai diti të zërë pozicion të merituar në shoqëri dhe në punë. Ka qenë meritë e tij që për punonjës shkencor, në ato vite, për rrethin e Skraparit, Instituti i Kërkimeve Shkencore në Lushnje përzgjodhi, ashtu si farën e grurit, Mustafa Dervishin. Në fillimet e proceseve demokratike, në zgjedhjet e para lokale të pushtetit vendor në vitin 1992, ai u zgjodh Kryetar i Komunës Qëndër në Skrapar. Nuk foli asnjë skraparas për “çudinë” që ndodhi në ato zgjedhje. Mustafai na e paskësh merituar emrin nga arabishtja “i zgjedhuri” sepse ai mori vota shumë, maksimalen e mundëshme, mga e majta dhe nga e djathta. Edhe kur erdhi familjerisht në Kryeqytet, Mustafai si specialist mundi të përballonte punë që kërkonin zotësi, mënçuri e kulturë siç ishte në një kompani sigurimesh apo pozicioni i inspektorit të mjedisit në Bashkinë e Tiranës. Majën më të lartë, ka thënë Stefan Cfajg, njeriu e arrin atëherë kur jep shembullin më të mirë. Unë them se Mustafa Dervishi qëndroi gjatë “në majën më të lartë”, deri kur u nda nga jeta në tetor të vitit 2010. Ai në të gjitha rastet, kur rrëzohej apo kur ngrihej, dha vetëm shembull të mirë.
    Sigal