Bashkim ALIRAJ*/Agron Ismailati, trajneri i shquar i notit shqiptar

    557
    Sigal

    Legjenda durrsake ka mbi 45 vjet që përgatit kampionë dhe rekordmenë, por Federata e Notit e ka braktisur

    Agron Ismailati mbetet padyshim një nga figurat më të spikatura të notit shqiptar, si notar, kur konkurronte me dinjitet me Lokomotivën e Durrësit, sot Teuta, por dhe si trajner, detyrë që e ushtron për më shumë se 45 vjet me skuadrën durrsake. Agroni është një nga “emrat” e rëndë të pishinës shqiptare, dhe do ta konsideroja një prej figurave më të ndritura. Kam kënaqësinë të  shkruaj për Agronin, pasi ai bart mbi supe një peshë të rëndë, për vetë jetën e tij kushtuar tërësisht notit dhe gjeneratave të dala nga ky sport i dashur në vendin tonë. Agronin e njoh qysh prej viteve 1962-1963, kur ai si notar përfaqësonte Lokomotivën e Durrësit dhe konkurronte në garën 100m-200m stil bretkosë për titullin kampion me notarin e Vllaznisë së Shkodrës, të mirënjohurin Enver Muriqi. Ekipi i Lokomotivës (sot Teuta) në ato vite ishte absolute, si me të rinjtë ashtu dhe me të rriturit, ekipe që stërviteshin nga trajnerët e mëdhenj Koço Afezolli dhe Sul Tufa. Ne gjirin e ekipit kishte mjaft notarë të talentuar, kampionë dhe rekordmenë të vendit si: Kastriot Karamuço, Niko Kurani, Meriban Kadiu, Hysen Axhia, Shyqyri Gjepali, Niko Pema, Rifat Murati, Moikom Zeqo, Arben Rrogozhina etj.

      * * *

     Në vitet 1964, 1965 dhe 1966, Agroni do të shquhej jo vetëm si notar i mirë, por edhe si një nga portierët më të mirë të vendit në vaterpol. Për mua, do të mbetet e paharruar ndeshja finale e zhvilluar në Vlorë midis ekipit të Partizanit dhe Lokomotivës, një ndeshje që përfundoi me rezultatin 4 me 3 për Partizanin në vitin 1966. Ishte viti 1968 dhe ne stërviteshim në palestrën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, së bashku me notarin e paharruar Jani Hondro. Na thanë se, do te vinte si trajner Agroni dhe nuk kaluan as dy-tre jave, ai erdhi dhe ankthi tek ne për trajnerin u shua. Agroni, në ato vite studionte në Universitetin e Tiranës në degën e ekonomikut. Atij iu besua detyra e trajnerit në ekipin e Studentit. Agronin qysh në rini e pushtoi plotësisht ideja që, të bëhej një trajner shume i mirë.

     * * *

     Ne ishim disa notarë studentë nga Vlora, Durrësi, Saranda, Shkodra, Tirana që formuam ekipin e Studentit. U grumbulluam në muajt e verës në Curila, në Durrës. Natyrisht, që, për Agronin nuk ishte e lehte sepse ai ishte i ri dhe në ekip kishte mjaft notarë të mirë kampion apo rekordmen si: Jani Hondro, Shkëlqim Begaj, Moikom Zeqo, Arqile Dhima, Odise Papa etj. Por Agroni këtë sfidë e përballoi me sukses. Ai karakterizohej në stërvitje nga ngrohtësia dhe korrektësia. Shpesh na pyeste: “He çuna si e ndieni veten, mos u mërzitët ndopak”, etj., sepse ne ishim larg shtëpisë. Stërviteshim dy herë në dite pa u lodhur.

     * * *

     Natyrisht, një rol shumë të madh luante dhe nëna e Agronit. Ajo na gatuante dhe na përgatiste çdo gjë. Ajo ishte një nënë e mrekullueshme që, nuk u mërzit asnjëherë me ne, na donte si djemtë e saj. Kishim vështirësi, pasi stërviteshim në det të hapur, por ato ne i përballonim me sakrifica. Për herë të parë, në vitin 1969, ekipi i Studentit në not la gjurmë dhe kolorit të veçantë. Më kujtohet që, në stafetën 4x100m të përzier zumë vendin e parë me notarët: A.Dhima, Sh.Begaj, J.Hondro dhe B.Aliraj. Në vitet 1970-71, kur mbaroi studimet, Agroni do të tërhiqte vëmendjen e pushtetarëve për aftësitë dhe prirjet e tij duke e caktuar si trajner me Lokomotivën (Teuta). Ka përgatitur breza të tërë notarësh. Vite të gjata plot punë, gëzime, trofe, pagjumësi dhe shqetësime. Agroni, që nga ato vite dhe deri tani, nuk i është ndarë asnjëherë notit. Pra, ka mbi 45 vjet që punon dhe stërvit notarët e Durrësit. Një jetë të tërë dhe një rast shumë i veçantë. E pyes Agronin: “Nuk je mërzitur akoma?”, ai më përgjigjet thjesht: “Nuk e kam braktisur dhe nuk do ta braktis kurrë notin, ai për mua është gjithçka, është jeta ime”.

    Ai herë pas here shikon kupat ose diplomat që, ka mare dhe paradoksi është që ato e frymëzojnë më tepër për te vazhduar punën. Agroni ka pasur vite që ka ardhur në aktivitetet kombëtare dhe me katër ekipe (djem dhe vajza), fëmijë, të rinj dhe të rritur, por ai nuk mërzitet dhe as lodhet. E gjen kohën që të mbajë shënime dhe të regjistrojë rezultatet për çdo notar.

             * * *

    Por, cili është bilanci i punës shumëvjeçare të Agronit si trajner? Ai ka nxjerrë mjaft notarë kampionë dhe rekordmenë të vendit si: P.Guma, F.Kërçiku, Sh.Bejko, S.Hoti, F.Deliallisi, A.Afezolli, Sh. Damini, M.Kikri, M.Sylkja, G.Kacani, S.Kosova, Sh.Myrtaj, M.Biani, K.Vrohoriti, T.Jakova, D.Keçi, J.Dhimogjini e shumë të tjerë. Si ekip ai e ka nxjerrë Lokomotivën (Teutën), 28 herë kampion për meshkuj dhe disa vite për femra, pa llogaritur kupa e kampionate për fëmijë dhe të rinj. Pra, me punën e tij ai ka bërë që noti në qytetin bregdetar asnjëherë të mos venitet, por të triumfojë në shkallë rrethi e vendi. Agroni është caktuar disa here si trajner i ekipit Kombëtar të notit duke e drejtuar atë në shumë veprimtari ndërkombëtare, kampionate botërore, Europiane e Ballkaniada të ndryshme si në Greqi, Itali, Marok, Turqi, Kroaci, Maqedoni, etj.. Federata e Notit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ka dhënë atij titullin “Mjeshtër Sporti” dhe “Nder i Sportit Shqiptar”. Disa herë Agroni është zgjedhur edhe kryetar i Këshillit të Trajnerëve pranë Federatës, por këtë vit, pra në 2013 ai nuk u zgjodh as anëtar, siç duket Agroni jua ka prishur “qejfin” pak zotërinjve të Federatës.

     Agroni karakterizohet nga toleranca dhe sjellja e mirë dhe  miqësore. Ai ka një vullnet të paepur duke sfiduar dhe moshën. Nga ai, shumë trajnerë të rinj kanë se çfarë të mësojnë dhe duhet të marrin shembull. Por, cili është mesazhi i tij: “Sot,- thotë Agroni, – ka kushte shumë të mira për t’u stërvitur notarët, por që të eci noti kërkohet shumë punë e përkushtim. Sporti do pasion. Pa sakrifica noti nuk mund të eci përpara”. Por, për fat të keq ne shikojmë që disa trajnerë edhe pse janë më të rinj nuk e kanë pasionin dhe nuk punojnë si duhet. Kjo ndoshta vjen edhe për faktin se, tani jemi në ekonominë e tregut dhe paga e trajnerëve të Kategorisë së Parë është 12 mijë lekë në muaj. Një pagë kjo qesharake. Me keqardhje shikojmë që këto figura si Agron Ismailati nuk vlerësohen si dhe sa duhet. Ata duhet të shpërblehen me një pension të veçantë nga shteti për kontributin qe i kanë dhënë sportit. Për punën dhe kontributin e madh të Agronit në sportin e notit, titulli “Mjeshtër i Madh i Punës” do të ishte një vlerësim dhe nder plotësisht i merituar, jo vetëm për të, për qytetin e Durrësit, por për gjithë trajnerët dhe dashamirësit e këtij sporti të bukur. I këtij mendimi ka qenë edhe Këshilli i Veteranëve të Notit, i cili vitin e kaluar propozoi për të, por siç duket këto propozime e vlerësime flenë nëpër sirtarët e Federatës.

                                                                  Nëse për mungesën e fondeve mundohemi t’ mirëkuptojmë, por për këto çfarë të themi?

     *Trajner noti

    Shoqata “JON”, Vlorë