Bashkia Fier i vjedh buxhetit të shtetit rreth 650 milion lekë të vjetra

    346
    Sigal

    KLSH/Auditohet Bashkia Fier. Kallzim penal për Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Zbatimit të Legjislacionit dhe ish-Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Urbanistikës

    Në auditimin që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar në Bashkinë Fier, ka konstatuar shkelje ligjore në lidhje me prokurimet me fondet publike kryesisht në zbatimin e kontratave, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe llogaritjen e arkëtimin e pagesave për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe taksën 1% të urbanistikës, që duhet të paguajnë subjektet  e ndryshme  të ndërtimit që kanë  ndërtuar objekte në territorin e kësaj bashkie, me një dëm ekonomik në vlerën 63,630,534 lekë. Në njoftimin për shtyp, KLSH tregon se: Ndër shkeljet më kryesore, përmendim:

    1) Bashkia nuk ka parashikuar në vendimin për taksat dhe tarifat vendore për vitin 2011, pagesën e 1% të vlerës së preventivit, por vetëm taksën e përcaktuar sipas ligjit me vendim të këshillit bashkiak. Në total, vlera e taksës së 1% arrin në 61.050.251 lekë, e cila është e pa llogaritur në formularin e përllogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë sipas ligjit.

    2) Në 8 raste, Bashkia ka pajisur me leje ndërtimi, pa shlyer më parë taksën e ndikimit në infrastrukturë, në vlerën 38.146.594 lekë, si rrjedhojë e një kontrate të pa mbështetur në ligj, nënshkruar midis Bashkisë Fier dhe subjekteve private të ndërtimit për pagesën me këste të kësaj takse, me pasojë dëm ekonomik ndaj Shtetit.

    3) Nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë janë marrë  33 vendime pezullimi për ndërtimet pa leje, ndërkohë  ndaj personave kundërvajtës  nuk janë vendosur  masa administrative me gjobë në  shumën 2 000 000 deri 5 000 000 lekë, siç përcaktohet në ligjin “Për Urbanistikën”, i ndryshuar, pra me një efekt negativ financiar me vlerë 66,000,000 lekë, si dhe nuk janë shoqëruar me vendime prishje objekti, në kundërshtim me VKM nr. 862, datë 5.12.2007.

    4) Mos-zbatimin e planit të përgjithshëm rregullues në dhënien e lejeve të ndërtimit, lidhur me numrin e kateve të miratuara në vendimet përkatëse. Është vepruar në kundërshtim me kërkesat e ligjit “Për Urbanistikën”, i ndryshuar, duke i kthyer hapësirat sportive në sheshe ndërtimi.

    5) Pagesa të kundërligjshme  për paga të personelit në vlerën 1,780,000 lekë, duke miratuar në strukturën e këtij institucioni 7 Drejtorë të Përgjithshëm, në vend të “Drejtorë Drejtorie”, nga e cila kanë përfituar padrejtësisht pagesën 9 drejtues.

    6) Gjendja e lartë debitore për 204 subjekte në vlerën 7,801,471 lekë, nga të cilat 129 subjekte të biznesit të vogël në vlerën 1,982,891 lekë dhe 63 subjekte të biznesit të madh në vlerën 5,818,580 lekë.

    7) Nga Drejtoria Juridike e Bashkisë, nuk janë zbatuar e ndjekur hapat ligjorë për kërkimin e arkëtimit të detyrimeve në vlerën 52,793,346 lekë, duke mos zbatuar shumicën e rekomandimeve për shpërblim dëmi, të dërguara nga KLSH.

    Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara, KLSH ka rekomanduar 47 masa organizative, 8 masa shpërblim dëmi në vlerën 63,630,534 leke dhe 29 masa disiplinore për personat shkaktarë-përgjegjës.

    Ndër të tjera, KLSH ka rekomanduar bërjen e ndryshimeve në kontratën e shërbimit të parkimit me pagesë, mes Bashkisë Fier dhe subjektit sipërmarrës, lidhur me afatin e kohëzgjatjes së kontratës nga 20 vjet në 5 vjet,  në përputhje me udhëzimin e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nr.7, datë 10/06/2008. Gjithashtu, KLSH ka rekomanduar që të kryhet testimi i realizimit të të ardhurave të këtij shërbimi për secilën rrugë dhe pas kryerjes së tij, të shqyrtohet mundësia e ndryshimit  të nenit III, pika 3 ”Marrëdhëniet Financiare mes palëve” të kësaj kontrate, si dhe dokumentimi ligjor i këtij aktiviteti.

    Gjithashtu, për të gjitha shkeljet e konstatuara, KLSH ka bërë kallzim penal në prokurorinë e rrethit  Gjyqësor Fier për:

    -M. G., në cilësinë e ish- Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Urbanistikës dhe  të ish-Sekretarit të KRRT-së të Bashkisë Fier, për mos-llogaritjen e për pasojë mos-arkëtimin për vitin 2011 të taksës 1% të vlerës së preventivit, që arrin në shumën prej 61.050.251 lekë dhe që përbën dëm ekonomik dhe për shkelje të tjera.

    -L.Ç, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Zbatimit të Legjislacionit për hartimin e Akt-marrëveshjes me nr. 2178/1 datë 04.01.2012 “Për shtyrjen e afatit të pagesës së ndikimit në infrastrukturë” të pa bazuar në ligjet në fuqi, duke sjellë të ardhura të munguara për bashkinë Fier në një vlerë prej 38.146.594 lekë.