Bashkia e Tiranës dhe Alpha Bank shpërndajnë 250 pako ushqimore për familjet në nevojë

506
Sigal

 

 

Veliaj: “Mbajtëm
premtimin për hapjen e mensave sociale; më shumë solidaritet për njerëzit në
nevojë”

 

Me rastin e
festave të fundvitit, Bashkia e Tiranës dhe Alpha Bank Albania shpërndanë 250
pako me ndihma ushqimore për familjet në nevojë në Qendrën Sociale
Multidisiplinare. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,
u shpreh se bashkia mbajti premtimin për hapjen e tre mensave sociale, pikërisht
për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

 

“Një shoqëri
e mirë është një shoqëri e cila gjen dashamirësi, solidaritet për të ndihmuar
njerëzit në nevojë. Përgjegjësinë kryesore e ka bashkia, por besoj se edhe
aktorë të tjerë të rëndësishëm në shoqëri, si bankat, kompanitë, bizneset, të
gjithë mund të japin një dorë, sidomos në kohë të tilla siç është koha e
festave”, tha ai, duke falenderuar Alpha Bank. Veliaj deklaroi se me hapjen e
mesave sociale, Bashkia e Tiranës ka krijuar një mundësi më shumë për njerëzit
në nevojë.

 

“E mbajtëm
një premtim këtë vit, hapëm tre menca sociale. E para në Laprakë, e dyta në
Kombinat, dhe e treta në Shkozë, për t’u siguruar që asnjë qytetar i Tiranës,
sado nevojtar të jetë, të mos e ngrysë ditën pa një vakt të ngrohtë. Kjo është
diçka që e premtova para një viti, e kemi mbajtur fjalën për një vit, por besoj
që s’na pengon asgjë që ta shtojmë këtë lloj dashamirësie e këtë lloj solidariteti
përtej këtyre tre mensave”, tha kreu i bashkisë. Veliaj theksoi se ndonëse kjo
mund të duket një ndihmë e vogël, Bashkia e Tiranës është e vendosur për të parë
të gjitha mundësitë për të zgjeruar ndihmën.

 

Por, pavarësisht
vështirësive, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje familjeve që t’i kushtojnë
vëmendje arsimimit të fëmijëve. “Është shumë e rëndësishme që ata të vazhdojnë
shkollën, të shkojnë në kopësht. Po bëjmë çmos që edhe në kopësht, në çerdhe,
në shkolla të kemi ndihma për fëmijët sepse besoj se kjo është një zgjidhje
afatshkurtër, por arsmimi i tyre, është bileta për të dalë nga varfëria”, tha ai.

 

Drejtor i
Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, Periklis Drougkas u shpreh se: “Festat e
fundvitit janë një periudhë e veçantë të cilat na sjellin më afër familjes dhe
miqve tanë; është një periudhë ku ne duhet të jemi mirënjohës për çfarë kemi
dhe të ndihmojmë ata që kanë më pak se ne. Bamirësia është një veprim altruist
që i pasuron shpirtërisht pa fund ata që dhurojnë, dhe jam i lumtur që ndjenja
e bamirësisë është pjesë e kulturës korporative të Alpha Bank, ndaj në këto 17
vite prezencë në Shqipëri ne kemi kontribuar me projekte shumë të rëndësishme
të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së komunitetit ku ne
jetojmë”.