Bashkëpunimi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri, marrëveshje financiare në kuadër të IPA-s

419
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot nismën për lidhjen e marrëveshjes financiare për IPA 2014 dhe marrëveshjes financiare për IPA 2015, për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Këto marrëveshje do të mundësojnë përfitimin e fondeve për bashkëpunim kufitar nga ana e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Programet do të fokusohen në mbrojtjen dhe ruajtjen e burimeve mjedisore, në promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si mënyrë për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe integrimin socio-ekonomik të të rinjve”, u theksua në mbledhje.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt, ku ka miratuar edhe vendimin për transferim të mjeteve për pensionet e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kabineti qeveritar ka miratuar edhe dy marrëveshje me Hungarinë, një mbi njohjen e ndërsjellë të certifikatave shkollore ekuivalente dhe diplomave të lëshuara në Republikën Popullore të Hungarisë dhe Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, të vitit 1980. Gjithashtu është miratuar edhe marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Hungarisë dhe Këshillit Ekzekutiv Federativ të Kuvendit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë mbi bashkëpunimin shkencor, arsimor dhe kulturor, të viti 1986. Një hap i tillë, do t’i mundësojë 30 studentëve kosovarë, që nga viti i ardhshëm akademik, të shkojnë në studime falas në Hungari. Kjo, pasi qeveria e Hungarisë ka vendosur të ndajë 30 bursa për studentët kosovarë që të studiojnë në universitete hungareze, veçanërisht në fushën e bujqësisë.
Sigal