Basha për raportin e DASH/ Trafikantët kanë status të privilegjuar në qeverinë Rama – Meta

427
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e quan një provë tëe fuqishme të mbështetjes për dekriminalizimin Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Trafikimin e Personave për 2015.
Përmes një deklarate për shtyp nga selia e PD-së, Basha tha se “Shqipëria rasti unikal kur trafikantë njerëzish janë deputetë dhe se trafikanët e vajzave vihen krerë bashkish dhe drejtorë nga Rama”
“Krimi i veshur me pushtet dhe pushteti është i veshur me krim në vendin tone. Trafikantët kanë status të privilegjuar në qeverinë Rama – Meta” akuzoi Basha duke shtuar se SHBA përkrah opozitën në betejën për dekriminalizimin.
Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit i kushton një vend të gjerë trafikimit dhe shfrytëzimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, njëherësh gjithë problematikave që lidhen me këto fenomene sa të dhimbshme për qindra mijëra vajza, gra, fëmijë, prindër, aq edhe të shëmtuara e kriminale.
Ky raport është fotografia e vërtetë e përmasave tronditëse, e përmasave në rritje dhe larmisë së shtuar të këtyre krimeve në Shqipëri.
Por Shqipëria është rasti unikal kur trafikantët e qenieve njerëzore, tutorë të vajzave shqiptare të shndërruara në skllave të prostitucionit, emërohen deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë dhe shefa të rëndësishëm në poste kyçe nga kryeministri Edi Rama dhe ortaku i tij, Ilir Meta.
Kjo është arsyeja kryesore që trafiku dhe shfrytëzimi për qëllime seksuale i qënieve njerëzore, i grave dhe vajzave, dhe i fëmijëve ka njohur një përhapje kaq të gjerë në këtë periudhë.
Sepse krimi është veshur me pushtet dhe pushteti është veshur me krim.
Të gjitha të ashtuquajturat masa të imponuara nga standardet dhe faktori ndërkombëtar kanë rezultuar sterile dhe demagogjike përsa kohë trafikantët kanë status të privilegjuar në qeverinë Rama-Meta.
Raporti i DASH është berë publik. Ai tregon qartë gjendjen e rëndë dhe shkaqet e saj, po citoj një paragraf; “Korrupsioni dhe ndryshimet e shpeshta në drejtimin e policisë vështirësojnë luftën kundër trafikut. Bashkëpunimi dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë me krimet që lidhen me trafikun vazhdon të mbetet shqetësuese, ndërkohë që një deputet i Parlamentit shqiptar ka qenë i dënuar më parë për akuza të tilla”, nënvizon raporti që mbulon vitin e kaluar.
Personalisht, edhe pse kam nisur prej afro një viti bashkë me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe mbështetësit e shumtë në mbarë vendin, nismën tonë për dekriminalizmin e institucioneve shqiptare nga personat me rekorde të tmerrshme kriminale, ndihem dhe jam thellësisht i brengosur me këtë situatë tronditëse të trafikimit dhe shfrytëzimit të qenieve njerëzore në vendin tim.
E di se pas kësaj tablloje vlojnë dhimbje dhe drama njerëzore të papërshkrueshme, për shërimin e të cilave jam zotuar të bëj gjithçka dhe do bëjmë gjithçka, dekriminalizmin në radhë të parë, si parakusht për luftën e vërtetë ndaj krimit në Shqipëri.
Nga ana tjetër, në emër të Partisë Demokratike, opozitës shqiptare dhe mbarë qytetarëve shqiptarëve që ndajnë me ne këto shqetësime, dua të falenderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Departamentin e Shtetit në veçanti për vëmendjen e jashtëzakonshme dhe ndihmën e madhe që vazhdojnë ti japin Shqipërisë në sfidat e saj të reja të ndarjes dhe çlirimit nga sundimi i krimit, për raportin realist dhe konstruktiv që u publikua dje.
E kam nënvizuar dhe vijoj ta përsëris se në betejën kundër krimit dhe trafiqeve, të lidhur ngushtë me betejën për dekriminalizimin, nuk jemi vetëm, kemi në krah aleatin tonë strategjik, SHBA që na është gjendur në ditët më të vështira të historisë sonë, kemi në krah Bashkimin Europian ku duam të integrohemi.
Raporti i DASH është provë e fuqishme e kësaj mbështetje. Ai pason dhe sintetizon në një kulm të ri qëndrimet e mëparshme të DASH, të ambasadorit të SHBA në Tiranë, zotit Donald Lu për pastrimin e institucioneve nga personat me rekorde kriminale, për moskandidimin e tyre në zgjedhjet vendore pasi kandidimi i tyre përbën një poshtërim për popullin shqiptar.
Nuk ka dyshim se raporti do të shërbejë për ti dhënë një impuls të ri betejës tonë kombëtare për dekriminalizimin.
Edi Rama që e ka krijuar problemin nuk mund të fshihet pafund prapa gjethes së fikut. Tashmë bota mbarë e ka të konfirmuar të vërtetën tronditëse të gradimit të trafikantëve me pushtet, deri si ligjvënës e kryetarë bashkish, nga Rama dhe ortaku i tij. Raporti i DASH është nga kjo pikëpamje një burim referencial për çdo qeveri dhe institucion euroatlantik e më gjerë.
Shtetet e Bashkuara kanë folur e po flasin me shqetësim të madh për kriminalizimin e institucioneve publike dhe parlamentit. Bashkimi Europian, Parlamenti Europian, vendet anëtare po kështu.
Partia Demokratike dhe opozita e kanë bërë prej kohësh kryefjalë të qëndrimeve dhe aksionit të tyre politik.
Kanë folur e po flasin mediat, gazetarët shqiptarë e të huaj, shoqëria civile, bota akademike, intelektualët, elita e vendit. Mbarë qytetarët shqiptarë, të rinj e të moshuar, të djathtë e të majtë janë ndërgjegjësuar gjithnjë e më shumë.
Ka vetëm një institucion, vetëm një instancë që nuk flet fare, që bën sikur ky problem nuk ekziston, dhe kjo është qeveria Rama-Meta.
Nuk flet sepse kjo qeveri nuk është zgjidhja, por pjesë e problemit, është vetë problemi.
Nuk flet dyshja Rama-Meta sepse janë ata vetë që i qëmtuan dhe i sollën trafikantët dhe kriminelët e dënuar apo në kërkim. Janë ata që mbrojtën, rehabilituan e kandiduan Ndokën, Prengën, Frrokun, Bushin, Roshin, Peçin, Ndonin dhe dhjetëra të tjerë e duke sfiduar hapur publikun, opozitën dhe aleatët tanë amerikanë dhe europianë.
Nuk flet Rama dhe ortaku i tij sepse me ta morën pushtetin, me ta blejnë votat, kërcënojnë zgjedhësit dhe administratën, me ta mbushin kutitë e vjedhin votat.
Nuk flet Rama dhe Meta se me ta qeverisin, ndajnë pushtetin dhe privilegjet, drogën, lagunat, koncesionet, tenderat, lejet, gjobat, kontrabandën dhe evazionin.
Prandaj hesht Rama dhe Meta sepse krimi dhe personat me rekorde kriminale janë vetë themeli i kësaj qeverije. Prandaj manipulojnë provat dhe kërcënojnë e zhdukin dëshmitarët e mbrojtur, fshehin kërkesat e Interpolit për ekstradime, lirojnë dhe largojnë në drejtim të paditur vrasësit e punonjësve të policisë, kërcënojnë media, gazetarë e zyrtarë që u bien në gjurmë aferave të tyre mafioze e kriminale.
Sepse Rama dhe Meta nuk shkëputen dot nga ortakët e tyre të krimit.
Ndaj nuk ka e nuk mund të ketë asnjë hap të vërtetë përpara në demokraci, drejtësi, ekonomi, luftë ndaj varfërisë dhe papunësisë sa kohë që vendi bashkqeveriset nga kriminelët.
Ka e do të ketë vetëm demagogji, propagandë boshe, përkeqësim, rrokullisje, thepisje, eksod dhe mjerim.
Por vendi nuk mund të mbetet peng i krimit të veshur me pushtet. Nuk e pranojnë qytetarët. Nuk e pranojnë aleatët dhe partnerët tanë, SHBA dhe Europa.
Ndaj, dua t’u flas hapur sot shqiptarëve e t’u them se pa zgjidhur këtë problem, asnjë problem tjetër nuk do marrë dot rrugën e zgjidhjes së vërtetë.
Ndaj dua t’u ftoj të bashkohemi të gjithë, më të shumtë se kurrë, të vetëdijshëm për barrën e rëndë të sfidës së çlirimit të vendit nga sundimi i krimit dhe depërtimi i tij kapilar në të gjithë ngrehinën e pushtetit.
Por të vendosur që ta çojmë deri në fund këtë betejë pa fitoren e të cilës me çdo kusht e me çmim nuk ka e nuk mund të ketë të ardhme për asnjë qytetar të ndershëm të këtij vendi.
Sigal