Basha në Berlin: CDU dhe KAS thellojnë bashkëpunimin me Partinë Demokratike

    74
    Thelbi i demokracisë europiane janë zgjedhjet e lira dhe llogaridhënia e politikës
    Basha në Berlin: CDU dhe KAS thellojnë bashkëpunimin me Partinë Demokratike
    Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është në Berlin për një vizitë pune ku do të takohet me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të politikës dhe institucioneve gjermane, të Fondacionit Konrad Adenauer dhe të partisë Kristian-Demokrate të kancelares Merkes, CDU.
    Sot kryetari i PD-së dhe deputetët që e shoqërojnë në Berlin zhvilluan një takim me ish Presidentin e Parlamentit Europian Hans-Gert Pöttering, aktualisht president i Fondacionit Konrad Adenauer (KAS) të CDU-së të Kancelares Merkel.
    Zoti Basha i shprehu Dr. Poteringut mirënjohjen e sinqertë për mbështetjen e jashtëzakonshme të Fondacionit KAS për Partinë Demokratike, veçanërisht në mundësimin e ekspertizës gjermane për hartimin e politikave publike të qeverisjes sonë të ardhshme dhe përgaditjen e politikanëve të rinj të PD-së.
    Doktor Pottering siguroi për vazhdimin e mbështetjes si pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të ngushtë midis PD-së dhe CDU-së.
    Zoti Basha dhe Dr. Pottering diskutuan për çështjet kryesore politike që po kalon vendi. Me përvojën e gjatë politike dhe me njohuritë e jashtëzakonshme të politikës gjermanë dhe europiane, Dr.Pottering këshilloi për rreziqet që e presin Shqipërinë nëse nuk mban dot zgjedhje të lira dhe nuk pastron politikën nga kapja prej krimit dhe interesave korruptive.
    Ai u shpreh se thelbi i demokracisë europiane janë zgjedhjet e lira dhe llogaridhënia e politikës, dhe politika e lidhur me krimin dhe e zhytur në korrupsion janë të papajtueshme me vlerat europiane.
    Delegacioni i PD-së zhvilloi disa takime pune në Fondacionin Konrad Adenauer dhe në selinë e CDU, ku u diskutua gjerësisht për politikat publike dhe reformat që përgaditet të marrë qeveria e PD-së.
    PD së bashku me ekspertët e KAS dhe CDU është në fazën përfundimtare të detajimeve të programit qeverisës i cili, sic thekson një ndër hartuesit e politikave ekonomike të Gjermanisë, Mathias SCHAFER, do të rikthejë besimin, dhe do t’i japë shtysë zhvillimit ekonomik duke u mbeshtetur në zgjidhje realiste dhe jo premtime boshe.
    Duke paraqitur pikat kryesore, Kryetari i Partise Demokratike, Lulzim Basha tha se programi qeverisës parashikon taksa të ulëta, investime që sjellin zhvillim dhe hapin vende pune dhe kujdes social. 
    Keqqeverisja dhe kriza ekonomike, tha Basha, kanë shkaktuar drama të mëdha njerëzore dhe sociale.
    Kryetari Basha theksoi se Partia Demokratike është e vendosur të sjellë standardet më të larta demokratike që nga përzgjedhja e kandidateve, ku në një proces të hapur po merren propozime jo vetem nga anëtarësia e PD, por edhe nga qytetaret. Kandidatët, shtoi Basha, do t’i nënshtrohen një kontrolli të pastërtisë së figurës dhe përmes një procesi transparent, do të përgjidhen më të mirët, më të kualifikuarit dhe njerëzit që gëzojnë integritetin më të lartë në zonat ku do të kandidojnë.
    Në kuadër të bashkëpunimit me Fondacionin Konrad Adenauer dhe CDU një ekip ekspertësh do të mbërrijë në Tiranë në mes të shkurtit për një sërë seancash pune me përfaqësuesit dhe ekspertët e PD.